2017-07-24 00:00:00

Papa në Kolumbi. Imzot Urbina: nga Françesku, një shtytje drejt paqes


Vlojnë përgatitjet në Kolumbi, në pritje të shtegtimit që do të bëjë Papa në këtë vend, nga 6 deri më 11 shtator. Vendi, pas marrëveshjes së paqes të vitit të kaluar, që i dha fund një gjysëm shekulli lufte civile, po ecën, jo pa vështirësi, në rrugën e rindërtimit. Pas dhunës së vazhdueshme, udha drejt paqes është ende e gjatë. Kryetari i ipeshkvijve kolumbianë, kryeipeshkvi Oscar Urbina Ortega, në një video botuar në faqen e internetit të Konferencës ipeshkvnore, me rastin e 207-vjetorit të pavarësisë së vendit, i nxit kolumbianët të bëjnë hapin e parë për pajtimin me Zotin, me vëllezërit e me krijimin. Vizita e Papës do të jetë një çast tejet i rëndësishëm për t’i dhënë hov të ri procesit të paqes. Por, cila është Kolumbia, që gjen Françesku?  Përgjigjet imzot Urbina në mikrofonin e  Radios sonë:

Përgjigje: - Mund të themi se gjen një Kolumbi në fazën e “lindjes”, domethënë, të aftë  për një lindje të re. Mendoj se pikërisht këtë krijesë të re, të sapolindur, do të gjejë Papa e do ta inkurajojë të zhvillohet në dritën e Ungjillit e të dëshmimit të tij.

Çfarë shtytje pritet nga fjalët e Papës?

Një fjalë inkurajimi për ungjllëzimin, për pajtimin e për të mos u kthyer më mbrapa...

Ç’mund të na thoni lidhur me respektimin e  ambientit në Kolumbi?

Papa do të vizitojë edhe qendrën e Kolumbisë. Ky do të jetë skenari i privilegjuar për të zhvilluar gjithë ç’ka shkruar në “Laudato si’”, që të mund të inkurajojë e edhe të korrigjojë çka nuk shkon. Këtu nuk po veprohet mirë, sepse kjo hapësirë nuk është jona: është pronë e shtëpisë së përbashkët e, siç thotë Papa, duhet ta mbrojmë, ta zhvillojmë, ta ruajmë.

Në Kolumbi, pas një konflikti të brendshëm gjysëmshekullor, u arrit marrëveshja për paqen: por megjithëkëtë, mund të themi se pikërisht tani gjendemi para një rruge edhe më të ndërlikuar, ku duhet të ndjehet fort mbështetja e Kishës. Ç’mund të bëjë Kisha?

Kisha, nga njëra anë, ka mundësi, sepse ka fjalën e Ungjillit, fjalën e mësimit papnor mbi gjithë aspektin e pajtimit e të paqes e i ka edhe mjetet për pajtim. Sakramenti i Rrëfimit, i Pajtimit me Zotin, është mjeti më i i madh për faljen. Njeriu i pajtuar me Zotin mund të pajtohet edhe me tjetrin  e edhe me krijimin. Puna e Kishës është shumë e madhe!








All the contents on this site are copyrighted ©.