2017-07-24 13:08:00

Më 25 korrik niset Marshimi Françeskan: të rinjtë, për udhë drej Asizit


Niset nesër, Marshimi i 37-të Françeskan drejt Asizit. Të rinj mbledhur nga gjithë Italia, me moshë 18 deri në 32 vjeçare, organizuar nga Fretërit e Vegjël italianë, do të bëjnë 10 ditë udhë në këmbë, për të arritur, më 2 gusht, në Porciunkola, për Festën e Ndjesës, themeluar pikërisht nga Shën Françesku në vitin e largët 1216.

Për udhë, pra, për të rizbuluar vlerën e dashurisë së anasjelltë e për të  ndjerë kënaqësinë e pajtimit, gjatë shtigjeve që të lodhin, por edhe të prehin, shpirtërisht e fizikisht, duke të dhuruar gëzimin e pafundmë të bijve të Zotit.

“Një hap përtej” - kjo parulla që shoqëron marshimin e që i krijon çdo të riu mundësinë të thellohet, përmes lutjes, në dëgjimin e Fjalës së Zotit. Gjithsesi, zemra e Marshimit mbetet ecja: ecet, me çantën në shpinë, duke i bërë ballë lodhjes të udhës së gjatë, përkrah shtegtarëve të tjerë e duke ndarë bashkë kapitjen, por edhe lumturinë, që lind nga rizbulimi i bukurisë së faljes  e  të mëshirës.

“Duke ecur, duke u lodhur, mund t’i flakim shumë maska e të arrijmë tek ajo, e cila duhet të jetë themelore, tek rizbulimi i vetvetes, i shpirtit tonë, që shpesh është shumë më i pasur e më i bukur, sesa e kishim menduar - shpjegon fra Alessandro Martelli, drejtues i punës baritore rinore të Fretërve të Vegjël të Toskanës. Falja - pohon - është mjekim i çmuar për jetën tonë, për jetën e shumë të rinjve: takimi me një Atë, që  na do kështu siç jemi e, prandaj, është gati të na falë, shndërrohet në mjekim të vërtetë, bëhet rast për t’u nisur nga zeroja e për ta rimarrë në dorë jetën tënde”. 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.