2017-07-23 16:07:00

Shën Brigjida. Tweet i Papës: t’i drejtohemi Atit, që na shikon gjithnjë me dashuri


Në ditën kur Kisha kujton Shën Brigjidën, bashkëpajtore e Evropës, në faqen e internetit @Pontifex të Françeskut, lexojmë një tweet të ri kushtuar shenjtores suedeze: “Kur kemi nevojë për ndihmë, t’i drejtohemi Atit, që na shikon gjithnjë me dashuri e nuk na braktis kurrë”.

Jeta e Shën Brigjidës mbetet gjithnjë aktuale. Ka shumë për t’i mësuar shoqërisë sonë, si nënë, që rriti tetë fëmijë në fenë e krishterë, si bamirëse, që u kujdes më shumë për të tjerët, sesa për vete e si rregulltare.

Shenjtorja bashkëpajtore e Evropës pati shumë vegime, duke nisur nga mosha e mitur shtatë vjeçare. Së pari iu duk Zoja e Bekuar, që i zgjati një kurorë dhe e pyeti në se e donte. Më pas, pa Krishtin e kryqëzuar, të mbytur në gjak, të cilin e pyeti: “Kush të katandisi kështu?”; duke marrë përgjigjen: “Të gjithë ata, që e harrojnë ose e përbuzin dashurinë time!”.

Themeluesja e Motrave Brigjidine vijon të na kujtojë se feja mund të jetohet plotësisht në çdo gjendje. Nuk është thirrje e posaçme, nuk është mbyllje në kuvend. Fenë mund ta jetosh duke qenë rregulltar a prift, por edhe i martuar, baba fëmijësh, i vetëm a i vejë. Sido që të jetosh, nëse jeton me besim të plotë e të patundur në Zotin, mund ta praktikosh plotësisht fenë. Pa harruar kurrë se “kur kemi nevojë për ndihmë, mund e duhet t’i drejtohemi Atit, që na shikon gjithnjë me dashuri e nuk na braktis kurrë”.

Prandaj Shën Brigjida u zgjodh Pajtore e Evropës, së bashku me Shën Benediktin nga Norcia, Shën Katerinën nga Siena, Shenjtorët Çirili e Metodi, Shën Terezën Benedikta e Kryqit dhe Shën Edvigën e Polonisë.

Për më shumë, mund të shfletoni Shenjtin e ditës, në faqen e  kalendarit tonë kishtar.








All the contents on this site are copyrighted ©.