2017-07-23 14:15:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: vija e kufirit ndërmjet së mirës e së keqes kalon nëpër zemrën e secilit nesh


Vija e kufirit ndërmjet së mirës e së keqes kalon nëpër zemrën e çdo njeriu, sepse “jemi të gjithë mëkatarë”. Këtë u kujtoi Françesku besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, për lutjen e Engjëllit të Tënzot. Papa u nis prej njërës nga shëmbëlltyrat e propozuara nga Jezusi në Ungjillin e  sotëm. Asaj, në të cilën flitet për “grurin e mirë” e  “egjrën”, shëmbëlltyrë që shpjegon problemin e së keqes në botë dhe vë në dukje “durimin e Zotit”. Secili prej nesh mund të thotë: “Sa shumë po më duron Zoti!”- theksoi Françesku.

Zotëria i botës simbolizon Zotin, ndërsa armiku, Shejtanin. Njëri hedh farë të mirë, tjetri, të keqe. Shërbëtorët do të dëshironin ta shkulnin me gjithë rrënjë egjrën, por zotëria kundërshton, sepse nuk do që njëherësh me të, të shkulet edhe gruri e, prej këndej, i fton t’i lënë të rriten së bashku, deri në kohën e të korrave. “Përmes kësaj figure - shpjegoi Papa në Engjëllin e Tënzot -  Jezusi na kujton se në këtë botë e mira me të keqen ngatërrohen aq shumë njëra me tjetrën, saqë  është e pamundur t’i ndash veçmas, për ta shkulur, pastaj, pa frikë, gjithë të keqen. Këtë mund ta bëjë vetëm Zoti, e edhe do ta bëjë në kohën e të korrave, domethënë në Gjyqin e Mbramë. Kështu, me dykuptimësinë e me karakterin e saj të ndërlikuar “situata na paraqet arën e lirisë, arën e lirisë së të krishterëve, në të cilën kryhet ushtrimi i vështirë i dallimit të së mirës nga e keqja”.

Papa Françesku i nxiti, prandaj, besimtarët, t’i shikojnë të lidhura bashkë dy sjelljet, në dukje kontradiktore: vendimin e durimin, domethënë vendimin e prerë për të qenë grurë i mirë, duke u distancuar nga i keqi e nga joshjet e tij, e durimin, që do të thotë ta parapëlqesh më shumë Kishën, e cila nuk ka frikë t'i ndotë duart duke larë rrobat e bijve të vet, sesa Kishën e “të pastërtve”, që pretendon të gjykojë para kohe kush është në Mbretërinë e Zotit e kush jo!

Papa deshi, kështu, t’i ftojë të gjithë ta pranojnë mëkatin “që është në ne”: Zoti sot na ndihmon të kuptojmë se e mira dhe keqja nuk mund të dallohen lehtë, nuk ndodhen në troje të kufizuara ose të përcaktuara nga grupe njerëzore: “Këta janë të mirë - e këta, të këqij!”.  Zoti na kujton - vijoi Papa - se vija e kufirit ndërmjet së mirës e së keqes kalon nëpër zemrën e çdo njeriu, nëpër zemrën e secilit nga ne, gjë që do të thotë se jemi të gjithë mëkatarë. Më lind dëshira t’ju pyes – vijoi - “Kush është mëkatar, të çojë dorën! Askush! Sepse të gjithë, të gjithë jemi mëkatarë!”.

“Të shikosh gjithnjë e vetëm të keqen jashtë nesh - vërejti në vijim Françesku – do të thotë të mos e pranosh mëkatin, që e kemi edhe ne në zemër". Është Jezusi ai, që na çliron nga skllavëria e mëkatit, na jep hirin të ecim në një jetë të re e na jep edhe Rrëfimin, ngaqë e di se kemi gjithnjë nevojë për faljen e mëkateve.

Jezusi, pra, na mëson ta shikojmë ndryshe realitetin, domethënë, të shikojmë “kohët e Zotit”, që “nuk janë kohët tona”,  e vështrimin e Tij që, falë pritjes, “çka dukej se ishte egjër, të mund të bëhet drith i mirë”. “Është realiteti i kthesës, i pendimit. Perspektiva e shpresës” - shpjegoi Papa.

“Virgjëra Mari na ndihmoftë t'i dallojmë në realitet jo vetëm ndyrësirën e të  keqen, por edhe, e sidomos, të mirën e të bukurën, duke ia çjerrë maskën “veprës së Shejtanit”, por sidomos, duke u mbështetur fort në veprimin e Zotit, që e  pllenon historinë”








All the contents on this site are copyrighted ©.