2017-07-23 00:00:00

Me 23 korrik, kalendari Kishtar përkujton Shën Brigjidën e Suedisë, Bashkëpajtore e Evropës


Sot me 23 korrik, kalendari Kishtar përkujton Shën Brigjidën e Suedisë, Bashkëpajtore e Evropës.

Grua e nënë, fisnike dhe e përkushtuar varfërve, mistike e Mundimeve të Krishtit, Shenjte e Pajtore Qiellore e Evropës: kjo me pak fjalë është Shën Brigjida e Suedisë, përkujtimin liturgjik të së cilës Kisha e kremtoi sot.

Lindi në Finstad të Suedisë në qershor të vitit 1302 në një familje fisnike, thellësisht të krishterë. I ati, Birgen Person, gjykatës dhe guvernator i zonës Upplan, njihet si autor i legjislacionit të parë të krishterë në mbretërinë e Suedisë.

Brigjida, e martuar në moshë të re, qe bashkëshorte e nënë shembullore e tetë fëmijëve. Pas vdekjes së burrit, u dha pas jetës asketike.   

Më 1350 shtegtoi drejt Romës me rastin e jubileut e nuk u kthye më në atdhe. Themeloi urdhrin rregulltar të të Shëlbuemit, që njihet edhe me emrin ‘Urdhri i Brigjidineve’. Vdiq në Romë  me 23 korrik të vitit 1373.

Papa Gjon Pali II e quajti Shën Brigjidën “specialiste e shpirtit" dhe i ftoi simotrat e saj të jenë kudo ndërtuese të palodhura të ekumenizmit të madh të shenjtërisë. E Benedikti XVI, duke folur, mase tri vjet më parë, për Shën Brigjidën, Pajtore e Evropës, në ditën e festës së saj, theksoi: “Erdhi nga Suedia në Romë e, prej këndej, shtegtoi në Tokën Shenjte; na fton kështu ta ndihmojmë njerëzimin të gjejë paqen e vërtetë pikërisht në Tokën Shenjte”.

Kujtojmë se Urdhri i Motrave Brigjidine, veprimtaria ekumenike e të cilave vlerësohet shumë në viset veriore të Evropës, ku ka pak katolikë e ku prandaj dialogu është më i rëndësishëm se gjetiu, sot numëron 600 motra rregulltare dhe 45 bashkësi të përhapura në mbarë botën.

 “Amor Meus Crocifixus est” – “Dashuria ime është i Kryqëzuari” – ishte motua e Shën Brigjidës. Karizma e saj ishte lavdërimi i përhershëm i Hyjit, dhurimi i jetës për shpërblim të mëkateve  të njerëzimit dhe bashkimi i Kishës. Ajo i mëson gratë e kohëve tona ta çojnë dashurinë e Krishtit në të gjitha fushat e shoqërisë.

Shën Brigjida Pati meritën t’i bënte të vërtetat e fesë të kuptueshme për popullin, sepse i foli me një gjuhë që ndizte fantazinë, prekte zemrat, hapte horizontet e amshimit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.