2017-07-22 15:14:00

Katër vjet më parë, DBR-ja e Françeskut në Rio de Janeiro


Papa Françesku: “Tri fjalë. ‘Shkoni, pa frikë, për të shërbyer’. Duke i vënë në jetë këto fjalë do të provoni se kush ungjillëzon, ungjllëzohet: kush jep gëzim, merr edhe më shumë gëzim!”.

Para katër vjetësh, duke kryer shtegtimin e tij të parë ndërkombëtar për DBR-në e Rio de Zhanejros, Françesku linte pas tri porosi: “Shkoni, pa frikë, për të shërbyer. Duke i vënë në jetë këto fjalë do të provoni se kush ungjillëzon, ungjillëzohet: kush jep gëzim, merr edhe më shumë gëzim! Të dashur të rinj, duke u rikthyer në shtëpitë tuaja, mos kini frikë të jeni bujarë me Krishtin, ta dëshmoni Ungjillin e Tij. Ta çosh kudo Ungjillin, domethënë të çosh forcën e Zotit për ta çrrënjosur e për ta shembur të keqen e dhunën; për t’i shkatërruar e për t’i rrëzuar muret e egoizmit, të intolerancës e të urrejtjes; për të ndërtuar një botë  të re”.

Me këto fjalë Papa Françesku u drejtohej tre milionë të rinjve, mbledhur gjatë plazhit të Copacabana-s. Ishte 28 korriku i vitit 2013 e Rio de Zhanejro  kremtonte Ditën Botërore të Rinisë, me moton ungjillore “Shkoni e bëjini dishepujt e mi gjithë popujt!”.

Ishte takim feje e shprese, tipik për të gjitha DBR-të (duke nisur nga viti i largët 1985, kur Gjon Pali II pati intuitën t’i themelonte) drejt të cilit ngarendin të rinjtë e mbarë botës.

Në ato ditë korriku, nga 23 deri më 28, dyndeshin në Rio, të rinj nga 175 vendet të ndryshme të botës, të shoqëruar nga 250 ipeshkvij që, çdo ditë në një vend të ndryshëm, udhëhiqnin katekizmin me temat e zgjedhura nga Papa për këtë vit.

Por Brazili nuk do të regjistronte në kujtesë vetëm natën e 3 milionë të rinjve mbledhur në bregdet, sepse shtegtimi apostolik i Papës në këto vise qe i ngarkuar me shumë takime e vizita të tjera domethënëse, nga të cilat po kujtojmë vetëm disa: vizitën në Shenjtëroren e Aparesidës, në Spitalin Shën Françesku i Asizit, në Pallatin e Qytetit për bekimin e flamujve olimpikë, takimin me bashkësinë e Varginha…

E pikërisht në këtë ish-vend shkarkimi plehrash, kthyer në lagje periferike, Françesku, duke iu përgjigjur pyetjes pse zgjodhi pikërisht këtë favelë, pohoi: “Do të kisha dëshiruar të trokisja në të gjitha portat, të pija një cafezinho me të gjithë. Po Brazili është tepër i madh, e unë ju zgjodha ju, që përfaqësoni të gjitha lagjet”.

E paharrueshme, edhe Udha e Kryqit mbrëmjen e 26 korrikut: turmë oqeanike; trembëdhjetë stacione gjatë Rugës së Atlantikut; stacioni i 14-të mbi tribunën qendrore, meditimet, pastaj, para çdo Stacioni, lidhur me problemet, me vuajtjet, me pyetjet ekzistenciale të të rinjve të sotëm. E pastaj, Mbëmësorja e lutjes, më 27 e, një ditë më pas, Mesha përfundimtare me  Engjëllin e Tënzot dhe takimi i ri në Krakov 2016, me moton, nga Ungjilli i Mateut: “Lum të mëshirshmit, sepse do të mëshirohen!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.