2017-07-19 11:06:00

Benedikti dhe Papët e tjerë, kundër luftës. Kisha e paanëshme (por jo asnjanëse)


Është e mërkurë sot, e kjo ditë të kujton menjëherë audiencën e përgjithshme të Papës mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Po Françesku është me pushime, ndonëse vijon të bëjë jetën e zakonshme në Shtëpinë e Shën Martës. Gjithsesi, kur pushon Papa, pushon edhe Sheshi i Shën Pjetrit. Deri në ditët e para të gushtit, kur audiencat do të rifillojnë në Sallën Pali VI, për t’i mbrojtur shtegtarët nga vapa e verës, që vijon. Sheshit i mungon audienca, por shtegtarët e ardhur në Romë këto ditë vere, nuk mund të mos e vizitojnë: i tërheq kujtimi i zërit të Papës, që jehon këtu të mërkurave, pothuajse gjatë gjithë vitit.

E ne, në vend të katekizmit të audiencës së Papës, kushtuar sivjet shpresës së krishterë, po kujtojmë sot një nga artikujt së përjavshmes italiane  “La Stampa”, botuar këto ditë, kushtuar njëqindvjetorit të thirrjes së Benediktit XV kundër “kasaphanës së kotë” të Luftës I Botërore dhe shërbesës së Papëve për paqen në shekullin XIX.

Ngaqë nuk ishte vetëm Benedikti, që lëshoi kushtrimin kundër luftës. Historia tregon se i prinë dhe e pasuan disa Papë, deri në ditët tona. Britma vetmitare, e padëgjuar, kundër “masakrës së kotë e pa pikë kuptimi”, që lartoi Papa Giacomo Della Chiesa njëqind vjet më parë, ndërsa Lufta e Madhe korrte e grinte njerëz,  shënonte fillimin e magjisterit të paqes nga ana e papëve të nëntëqindës. Kështu mendohej deri më sot. Por duke u thelluar në studimin e historisë, mësojmë se  Benediktit XV i parapriu në këtë mision Papa Piu IX, ai që, më 29 prill 1848, vendosi të mos merrte pjesë në luftën kundër Austrisë me ushtrinë e tij, sepse asokohe edhe papët kishin ushtri me ushtarë të rregullt, duke  pohuar: “Ne i përqafojmë të gjithë njerëzit, popujt e kombet me të njëjtin kujdes e të njëjtën dashuri atërore”.

Asokohe luftëtarët për çlirimin dhe bashkimin e Italisë e shikuan  tërheqjen e Papës Mastai si tradhti ndaj vendit. Ndërsa në të vërtetë ishte një farë e re që hidhej në trojet e rrënuara nga luftërat e edhe një sjellje e re, e panjohur deri asokohe: paanshmëria (që nuk duhet ngatërruar me asnjanësinë) e që niste pikërisht me thirrjen e 1917-tës, të cilën bota nuk deshi ta dëgjojë. Për ta paguar, më pas, paqen, me një çmim shumë të lartë. Që atëhere e tutje, duke pasur parasysh armët gjithnjë më të fuqishme dhe masakrat gjithnjë më të përgjakshme, që pësojnë gjatë konflikteve masa gjithnjë më të mëdha të popullsisë civile, Papët nisën të planifikonin “sulme të mirëfillta”, për parandalimin e luftërave. E në rast shpërthimi, për t’i kufizuar sa më shumë dëmet e mundshme e, sidomos, humbjen e jetëve njerëzore.

Vërejmë se fjalimet e Papëve kushtuar paqes, duke nisur nga Benedikti XV, për të arritur deri në ditët tona, përshkohen nga i njëjti fill i kuq. Ky fill nuk shikon vetëm faktin se Selia e Shenjtë angazhohet në favorizimin e  rrugëzgjidhjeve, që mund të arrihen përmes bisedimeve, për të shmangur konfliktet ose, nëse këto kanë shpërthyer, për të shpëtuar një numër sa më të madh jetësh njerëzore, duke mbajtur të hapura kanale dialogu me të gjitha palët në ndeshje. Shikon edhe vazhdimësinë e përbërë prej njerëzish.

Një nga bashkëpunëtorët kryesorë të Benediktit XV, në kohën kur u shkrua “Nota e paqes”, ishte imzot Eugenio Pacelli. Më 1939, sapo u ul në fronin e Shën Pjetrit me emrin Piu XII, bëri çmos ta shmangte Luftën II Botërore. Më 24 gusht të këtij viti, kur tanket e Adolf Hitlerit shkelnin mbi tokën polake,  Piu XII shqiptoi radiomesazhin e mirënjohur, duke theksuar: “Me paqen nuk humbet asgjë, me luftën, gjithçka”. Për këtë fjalim, i cili mbeti në histori,  ndërmjet  propozimeve të ndryshme, që kishte mbi tryezën e punës, Papa Pacelli zgjodhi bocën e hartuar nga Sekretari i asokoshëm i Sekretarisë së Shtetit,  Giovanni Battista Montini të cilit, si u bë Papë me emrin Pali VI, iu desh të merrej me luftën në Vietnam, duke përballuar një situatë në të cilën shtytjet për ndërhyrje ndesheshin me lëvizjet pacifiste, të nxitura shpesh nga Bashkimi Sovjetik.    

Gjonit XXIII, Papës së parë që shkroi një enciklikë kushtuar krejtësisht paqes (Pacem in terris), i shkoi puna më mbarë në rastin e krizës së Kubës, në tetor 1962, sepse në këtë rast asnjëri nga dy rivalët nuk dëshironin të shkonin deri në fund të fundit. E këtu jemi para një të dhëne tjetër, që meriton të kujtohet: për të pasur sadopak shpresë për sukses, është e nevojshme që thirrjet e papëve t’i bëjë të vetat ndonjë nga aktorët më të rëndësishëm në fushën e ndeshjes së mundshme. E kjo u pa në rastin e Gjon Palit II. Roli i tij u theksua fuqimisht gjatë viteve ’80 lidhur me luftën kundër komunizmit, pikërisht atëhere kur SHBA-të e Ronald Reganit synonin “besëlidhjen e shenjtë” me Vatikanin.

Por vetëm dy vjet pas rënies së Murit të Berlinit, kur Wojtyla kërkoi të mos niste Lufta e Gjirit, fuqitë perëndimore, të cilat pak më parë vareshin nga buzët e Papës së ardhur prej përtej perdes së hekurt, nuk deshën ta dëgjonin.  E njëjta gjë ndodhi edhe kur, tashmë i plakur e i prekur rëndë nga sëmundja, Gjon Pali II u bëri thirrje liderëve evropianë dhe atyre amerikanë, që nuk e kishin provuar si ai tmerrin e Luftës II Botërore, të mos e nisnin luftën kundër Sadam Husseinit. Edhe këtë herë thirrja e Gjon Palit II nuk u përfill.  Pasojat vijon t’i ketë parasysh mbarë bota!

Benedikti XVI, që e mori emrin nga Papa Della Chiesa, u ndodh përballë luftës asimetrike të nisur nga terrorizmi fundamentalist. Prej këndej, në mesazhin e tij të parë për Ditën Botërore të Paqes, në janarin e vitit 2006, bëri thirrje të fuqishme për çarmatimin bërthamor, duke kujtuar se në një luftë të mundshme bërthamore nuk do të kishte as fitues e as humbës, por vetëm  viktima e duke i ftuar si qeveritë që kanë armë të deklaruara ose të fshehura, ashtu edhe ato, që synojnë t’i prodhojnë, të bëjnë menjëherë kthesë.

Së fundi Françesku, që po e thellon më tej vijën e pararendësve, përmes nismave, si Letra drejtuar Putinit më 2013, me ftesën për t’u dhënë fund bombardimeve në Siri, shoqëruar me agjërim për paqen. Pa harruar cilësimin e konflikteve të ditëve tona “lufta e tretë botërore copa-copa” e edhe pohimin  se  shumë konflikte, të njohura e të harruara, janë si katrorët e fjalëkryqit, që mbushen njëri pas tjetrit, duke çuar në humnerën e konfliktit të përgjithshëm, E veçanta e Papës argjentinas qëndron në faktin se në mesazhet dhe fjalimet e tij  prek gjithnjë plagën e trafikut të armatimeve, e sidomos, të interesave të patregueshme e të pallogaritshme ekonomike, që i shoqërojnë.Ky shkrim u botua këtë javë  në edicionin Origami(Letër e palosur).   








All the contents on this site are copyrighted ©.