2017-07-18 13:10:00

Kardinali Parolin: mjaftojnë tepricat për ta zhdukur urinë


“Përmes paqes zhduket lufta e gjithçka pason, duke kursyer kështu, jetë të pafajshme e duke ndaluar tregtinë e armëve”. Është kjo, një nga pikat më të rëndësishme të intervistës së Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, për revistën e Shën Françeskut, gazetës on line të Fretërve të Asizit, me rastin e së kremtes së “zhveshjes” së Varfanjakut.

Duke kujtuar atë gjest radikal në sheshin e Ipeshkvnisë së qytetit të Umbries, pikturuar edhe nga Giotto, prelati pohon: “Janë të shumta rrënjët, që lidhin vendimet e sotme, marrë në vazhdën e nxitjeve të Papës Françesku e të paraardhësve të tij, me ato të Shenjtit të Asizit. Do të mjaftonte të zbatohej vetëm një pjesë e mesazhit françeskan për të zgjidhur problemet e shumta, që sot shqetësojnë popullsinë e botës”.

Për shembull, nënvizon kardinali Parolin, “përmes mbrojtjes së Gjithësisë, ambienti do të ishte më mikpritës e më i shëndetshëm; por, edhe më tej, duke vënë në dispozicion të shtresave shoqërore më të brishta e më të varfëra vetëm pasurinë e tepërt, që dihet se e kanë në dorë pak vetë, përbindëshi i urisë dhe i kequshqimit do të ishte mposhtur sigurisht”.

“E pikërisht Shën Françesku, me gjestin e zhveshjes, na e kujton këtë çdo ditë; ai gjest u flet njerëzve të sotëm, pavarësisht nga kombësia, përkatësia politike, feja”, përfundon Sekretari i Shtetit të Vatikanit, duke komentuar pikërisht çastin, kur ai, që do të njihej më vonë si Varfanjaku i Asizit, hoqi dorë nga pasuria e të atit e nga gjërat e kësaj bote. “Do të mjaftonte ta dëgjonim me më tepër vëmendje, ashtu siç na mëson, pa u lodhur, Ati i Shenjtë, Papa Françesku, kur u flet grave e burrave vullnetmirë, besimtarë, jo besimtarë, besimtarë të feve të tjera, të rinjve, afaristëve, punëtorëve dhe të papunëve e, madje, edhe atyre, që e kanë humbur lirinë, si populli i të burgosurve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.