2017-07-17 16:24:00

“Civiltà Cattolica”: në SHBA, rrezik “ekumenizmi fundamentalist”


“Fundamentalizëm evangjelikal dhe integralizëm katolik. Një ekumenizëm i çuditshëm”. Ky është titulli i artikullit të nënshkruar nga atë Antonio Spadaro dhe Marcelo Figueroa në numrin e fundit të revistës së njohur të jezuitëve italianë “Civiltà Cattolica” (Qytetërimi Katolik). Drejtori i revistës dhe drejtori i edicionit argjentinas të gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano” ndalen mbi fenomenin e “ekumenizmit fundamentalist”, siç e quajnë, për të cilin vërehet një aleancë e qartë ndërmjet ungjillorëve fundamentalistë dhe katolikëve integralistë amerikanë.

 Pasi vënë në dukje rolin e fesë në SHBA-të, që shihet edhe nga fraza e njohur, shkruar në dollarin amerikan “In God we trust” (Në Zotin besojmë), të dy autorët vërejnë se përdorimi i fesë dhe i moralit në mënyrë manikeiste po e ndan realitetin më dysh, në Të Mirën Absolute e në Të Keqen Absolute. Ata përmendin veçanërisht, rolin e pastorit Rousas John Rushdoony, ati i të ashtuquajturit “rikonstrucionizëm i krishterë”, vijë fundamentaliste, që aktualisht, ka si eksponent kryesor kryestrategun e Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon. Sipas kësaj doktrine, shteti duhet t’i nënshtrohet Biblës, duke u kthyer kështu në një shtet teokratik, as më shumë e as më pak nga logjika, që frymëzon fundamentalizmin islamik, nënvizon revista “Civiltà Cattolica”.

 Pikërisht, duke u mbështetur në këtë lloj fundamentalizmi, shkruajnë jezuiti atë Spadaro dhe presbiteriani Figueroa, “po zhvillohet forma e habitshme e një ekumenizmi të çuditshëm ndërmjet fundamentalistëve evangjelikalë dhe katolikëve integralistë, të bashkuar nga i njëjti vullnet për ndikim fetar të drejtpërdrejtë mbi përmasën politike” të shoqërisë. Rreziku, që vjen prej tij, shihet në botëkuptimin ksenofob e islamofob, i cili pretendon ngritjen e mureve dhe deportacionet spastruese.

Shihet qartë ndryshimi ndërmjet këtij ekumenizmi dhe atij të propozuar nga Papa Françesku, i cili kërkon gjithëpërfshirje, paqe, takim, ura. Ati i Shenjtë, shkruajnë autorët e artikullit, impenjohet kundër “çdo forme lufte ndërmjet feve” dhe dëshiron të mos ngatërrohet “elementi fetar” me atë “politik”. Françesku, vijon “Civiltà Cattolica”, “e zbraz nga brenda makinën narrative të mijëvjeçarëve sektarë”, që përgatit për “apokalipsin dhe për ndeshjen përfundimtare”. Papa synon ta këpusë lidhjen organike ndërmjet kulturës, politikës, institucioneve dhe Kishës e të vërë theksin mbi “mëshirën, si tipar themelor të Zotit”. Përshpirtëria, thekson Papa, “nuk mund të lidhet me qeveri apo pakte ushtarake, sepse është në shërbim të gjithë njerëzve”.

Atëherë, cilat ndjenja shfrytëzon kjo aleancë ndërmjet politikës e fundamentalizmit fetar? – pyesin atë Spadaro e Figueroa. Përgjigjja jepet pa doreza: “mbi frikën e prishjes së rendit mbizotërues e të vendosjes së kaosit”. Pikërisht për këtë arsye, Papa flet gjithnjë kundër frikës dhe, me guxim, nuk e konsideron fenë islamike të njëjtë me terrorizmin islamik, duke u hequr integralistëve çdo legjitimim teologjiko-politik.    








All the contents on this site are copyrighted ©.