2017-07-13 14:46:00

Vizita e kardinalit Sandri në Ukrainën e martirizuar lindore


 Kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, në vijim të vizitës në Ukrainë, dje pasdite ishte në pjesën lindore të vendit. Prelati i lartë shoqërohej nga kryeipeshkvi i madh i Kishës greko-katolike, Sviatoslav Shevchuk. Hirësia e tij deshi të vizitojë, në Kharkiv, Karitasin  e drejtuar prej greko-katolikëve, që ndihmon familjet e shpërngulura nga zonat e luftës të Donjeckut, Luganskut dhe Slovianskut.

Veprimtarët e Karitasit vendas, mëkëmbës humaniteti

Struktura karitative po i jep ndihmë humanitare dhe psikologjike 40 mijë vetëve. E kjo vijon që prej tre vjetësh. Shumë nga veprimtarët, dhe ata vetë të shpërngulur, i treguan kardinalit Sandri se kushtet e jetesës po bëhen gjithnjë më të vështira, për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve për sendet më të domosdoshme të jetesës. Karitasi duhet të punojë edhe për parandalimin e trafikut të njerëzve, shfrytëzimit në punë e, për gratë, edhe shfrytëzimit  seksual. E  - siç e pa me sytë e vet prelati i lartë – për një realitet të tillë flitet pak e aspak. Realitet, të cilit i shtohet edhe fenomeni i mitrës me qira, që këtu është i ligjshëm dhe e nxjerr pa pengesa në treg vetë jetën njerëzore. Përballë gjithë kësaj vuajtje e këtyre sfidave, kardinali Sandri falënderoi, në emër të Papës, veprimtarët për gjithëçka po bëjnë. Nëse njerëzimi e harron këtë dhimbje - pohoi - veprimtaria dhe prania juaj ju bën gati-gati “mëkëmbës të  humanitetit”.

Dy mesazhet e kardinalit Sandri

Përcolli dy mesazhe, për të dy krahët e Ukrainës, gjatë një interviste televizive, kardinali Sandri. Për krahun lindor e atë perëndimor. Në përendim - kujtoi - kisha greko-katolike jeton përmasën teologale të fesë, ndërsa në lindje është bërë samaritane e mirë për të gjithë ata, që vuajnë. Por të dyja palët ushqejnë shpresën për ardhmërinë e paqes e të pajtimit.

Kretimi i Liturgjisë Hyjnore në Kiev

Dje paradite kardinali Sandri kremtoi Liturgjinë hyjnore pontifikale në Katedralen e Ngjalljes në Kiev, në festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit, sipas kalendarit julian, kryesuar nga kryeipeshkvi Shevchuk. Prelati ukrainas theksoi se prania e të dërguarit të Papës ishte, për Kishën greko-katolike të Ukrainës, shenjë  e thellë dashurisë, që vijon të ushqejë Françesku për popullin e vendit të stërmunduar nga konflikti i gjatë.








All the contents on this site are copyrighted ©.