2017-07-09 15:46:00

Papa: e Diela e detit, ia besoj detarët e peshkatarët Marisë


“Ia besoj detarët, peshkatarët dhe të gjithë ata, që kalojnë çaste të vështira larg shtëpisë, mbrojtjes amtare të Marisë, Yll i Detit”. Kështu shkruan Papa Françesku në një tweet, botuar në faqen e internetit @Pontifex, me rastin e të Dielës së detit. E me këtë rast bashkësia e krishterë ndërkombëtare larton një lutje korale drejt qiellit për detarët e peshkatarët. Në mesazhin kushtuar kësaj dite, kardinali Peter Turkson, kryetar i Dikasterit për shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, kërkon mbrojtjen e punonjësve, por edhe të familjeve të tyre si dhe marrjen e masave të sigurimit kundër terrorizmit e piraterisë.

Deti, pasuri me vlera të pallogaritshme, që mbulon 70% të sipërfaqes tokësore… Deti, që na sjell në mendje menjëherë pushimet verore, sportet e ujërave, mirëqenien fizike të njeriut... Deti, që na kujton shëndetin, vijon të sëmuret gjithnjë më shumë. Kush është fajtori? Në radhë të parë ndotja, sidomos me plastikat, që e tejkalojnë edhe numrin e peshqve si dhe shfrytëzimi i egër, pa llogaritur pasojat. E sot deti, për fat të keq, na kujton edhe atë, që nuk duhet të na e kujtonte në asnjë mënyrë: varrezën! Sepse kohët e fundit po shndërrohet gjithnjë më shumë në varrezë vigane për fatzinjtë e varfër, që përpiqen ta kapërcejnë, për të arritur në brigjet e tij të pasura. Duke ia ngjyrosur me ngjyrën e kuqe të gjakut, blunë përtëritëse të jetës. Shpenzimet për gjithë këtë tragjedi nuk i paguajnë aq njerëzit që zbaviten në ujërat e pafundme, sa bashkësia e punonjësve të detit, e përbërë nga një miliard e gjysëm njerëz, që jetojnë falë oqeaneve, deteve, lumenjve. Përgjithësisht, ujërave!

Për ta, të detyruar të rrinë larg familjeve për muaj e muaj, të përballojnë mot të mirë e të lig, të rrezikojnë jetën, u themelua e Diela e detit. Ditë e veçantë, në të cilën Kisha i fton të krishterët për lutje, afërsi e mirënjohje, kushtuar njerëzve të detit. Pa harruar se edhe falë punës së tyre të rëndë, jeta jonë është më e rehatshme, sepse janë ata, që transportojnë rreth 90% të çdo tipi mallrash, përmes oqeaneve.

Në mesazhin e tij për këtë rast, kardinali Peter Turkson, kryetar i Dikasterit në shërbim të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, vë theksin mbi nevojën për krijimin me e për detarët, të “ndërlidhjes njerëzore”, më shumë se të asaj virtuale, për t’iu kundërvënë e për ta parandaluar vetminë, izolimin, depresionin dhe rrezikun e vetëvrasjes që, sipas një studimi britanik të kohëve të fundit, mendohet të jetë shkaku kryesor i vdekjes së punonjësve të detit. Më shumë kujdes e vëmendje edhe për familjet, me krijimin e grupeve të grave e të familjarëve për ndihmë e asistencë reciproke.

Por - sipas kardinalit Turkson - duhen marrë edhe masa të reja sigurie, për t’i mbrojtur njerëzit e detit nga kërcënimi i terrorizmit.

Një notë më vete, në tekstin e kardinalit Turkson i kushtohet peshkimit e peshkatarëve, sivjet në qendër të vëmendjes në Kongresin botëror, që do t'u kushtohet e që do të mbahet në Taivan. Prelati i lartë kërkon krijimin e një rrjeti solidariteti ndërmjet Apostullimit të Detit të kombeve të ndryshme, në ndihmë të peshkatarëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.