2017-07-08 15:07:00

Papa: emigrantët janë vëllezërit tanë. Atë Biaggio: Evropa të dëgjojë Françeskun


“Emigrantët janë vëllezërit e motrat tona, që kërkojnë një jetë më të mirë larg varfërisë, urisë, luftës”. Është tweet-i i botuar sot nga Papa Françesku në faqen e tij Twitter @Pontifex, në përvjetorin e katërt të vizitës së tij në Lampeduzë. Papa kërkon të ndihmohen emigrantët dhe refugjatët, pa ua mbyllur rrugët. Është thirrje e re kjo, të cilën e komenton për ne atë Fabio Baggio, zëvendës-sekretar i seksionit për Emigrantët dhe Refugjatët pranë Dikasterit për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, seksion që, e kujtojmë, drejtohet personalisht nga Ati i Shenjtë:

Përgjigje: - Përvoja na mëson se indiferenca, e lindur sidomos nga mosnjohja e tjetrit, në çastin kur njihen historitë – historitë e vërteta  të njerëzve, që trokasin në portat tona – bëhet zemër e hapet natyrshëm. Të paktën zemra e njerëzve, që janë të ndjeshëm e solidarë. Jam i bindur se ky është edhe mendimi i Atit të Shenjtë në këtë çast. Papa mendon për takimin, që njerëzit t’i njohin historitë e vëllezërve e të motrave, të cilët trokasin në portat tona, me bindjen se zemra jonë do të hapet e mikpritja do të bëhet gjithnjë më e përzemërt.

Pyetje: - Katër vjet më parë, vizita profetike e Papës në Lampeduzë: vërtet profetike, nëse mendojmë për atë që po ndodh sot. Ky shtegtim asokohe u duk se shkundi shumë ndërgjegje. Ç’ trashëgim la - sipas jush - kjo ngjarje  në Kishë, e jo vetëm, por edhe përtej kufijve kishtarë?

Përgjigje: - E kemi nënvizuar shumë herë. Shtegtimi i parë i Papës jashtë Rome ishte ai i Lampeduzës, shtegtim drejt një tragjedie, një tragjedie të papërshkrueshme e të pamasë. Tragjedi, që përfshiu e përfshin akoma,  qindra jetë njerëzore, duke e lënë me gojë hapur Evropën,  përballë asaj që mund të ndodhë, kur mungon mikpritja, mungon ai humanizëm, që duhet të na karakterizonte edhe si Kontinent, ku u krijuan vijat humanitare të qytetërimit, të cilat i trashëgon nga pak e gjithë bota. Trashëgimi, që ia la botës pikërisht Kontinenti i Vjetër. Prej këndej, Papa deshi ta bënte këtë gjest, të ishte i pranishëm, t’u kujtonte të gjithëve se askush nuk duhet ta ndjejë veten të papërgjegjshëm përballë tragjedive, sepse diçka mund ta bëjë gjithkush. Mund të krijojë mundësi, të hapë korridore, kanale, të gjejë mënyra për t’i shpëtuar këta njerëz të ikur prej fatkeqësive nga më të ndryshmet, nga luftërat, nga varfëria, nga mjerimi, në kërkim të strehës ndër viset tona.

Pyetje: - Cilat janë rrugët e këshilluara nga Selia e Shenjtë, edhe përmes seksionit tuaj, për qëndrimet që duhen mbajtur ndaj emigrantëve sot, katër vjet pas vizitës papnore në Lampeduzë, ku Papa kujtoi me forcë thirrjen evropiane për mikpritje…?

Përgjigje: - Ne e bëjmë tonën atë, që këshillon Papa në më se një rast. Atë, që ia ka kujtuar Evropës në një mori rastesh, e pikërisht misionin e  saj të qytetërimit përballë vëllezërve e motrave më nevojtare, më të pafate. Natyrisht, duke pasur parasysh se hapja e portave për këta njerëz duhet bërë në mënyrë inteligjente, të sigurt, përmes një procesi strehimi, që pasohet nga procesi i integrimit. Prandaj duhet theksuar se ky proces nuk dëmton askënd, sepse nuk prodhon frikë, por pasuri e zhvillim të përbashkët. Natyrisht, e gjithë kjo përgjegjësi mbetet tepër e vështirë, nëse vijon të shkarkohet vetëm mbi trojet italiane; prej këndej, duhet ndarë së bashku me vendet tjera.








All the contents on this site are copyrighted ©.