2017-07-08 16:34:00

Hamburg: përparësitë e G20. Mbrëmë, lutja në të gjitha Kishat


G20 Hamburg: Wcc (Këshilli Botëror i Kishave)  e Aacc (Konferenca e Kishave afrikane) theksojnë: përparësi janë “paqja, përgjigjja  ndryshimeve klimaterike, qeverisja e mirë”. Mbrëmë, lutja në kishat gjermane e në mbarë botën.

“Me 1.4 milionë fëmijë në rrezik vdekjeje nga uria, G20 dhe pjesa tjetër e botës, duhet të thellojnë përpjekjet në nivel lokal, rajonal, kombëtar e global, për të shpëtuar jetë njerëzore në Nigeri, Somali, Sudanin Jugor e Jemen”: kështu shkruan Këshilli Botëror i Kishave (Wcc), së bashku me Konferencën e Kishave afrikane (Aacc). Kishat, ndërmjet tjerash, i kërkojnë Grupit të 20 shteteve më të pasura, t’i përdorin burimet e tyre të konsiderueshme për t’iu përgjigjur nevojave të dëshpëruara të bashkësive, me frymë solidariteti global e me hapa vendimtare. Vetëm një e treta e kontributit  ekonomik për përballimin e zisë së bukës ka arritur, deri tani, në vendet afrikane të dëmtuara rëndë (1,7 miliardë dollarë, nga 4,9, që nevojiteshin).

Përsa u përket konflikteve në vijim në Bririn e Afrikës dhe në rajonin lindor, Kishat u kërkojnë liderëve të G20 të bëjnë presione diplomatike mbi palët përgjegjëse në konflikt, për të rikthyer paqen dhe stabilitetin, në mënyrë që njerëzit të mund t'i marrin ndihmat, të kenë përsëri shërbimet e bazës, të kenë mundësi të rindërtojnë jetët e tyre të shprishura e të rrojnë në paqe. “Përparësitë e agjendës së G20 duhet të jenë paqja dhe fundi i konflikteve, përgjigjja për ndryshimet klimaterike dhe promovimi i qeverisjes së mirë”- kërkojnë Kishat. Nga Kishat vjen edhe thirrja për lutje. Mbrëmë, në orën 18.00, bashkësitë kishtare në Gjermani e në mbarë Planetin, u lutën për drejtësinë e paqen në botë!








All the contents on this site are copyrighted ©.