2017-07-07 13:45:00

Çlirimi i Mosulit: “Daesh është mundur ushtarakisht, por jo ideologjikisht"


Në Mosul vijon beteja e qyteti është në prag të çlirimit nga ushtria irakiane, pikërisht ajo që më 2014-tën u tërhoq para përparimit të  milicive të shtetit islamik, duke e braktisur popullsinë e pambrojtur e duke i detyruar mijëra e mijëra njerëz, posaçërisht të krishterë, të ikin nga viset e veta. Çlirim, ky, me vlera të larta simbolike. Mosuli - të mos e harrojmë - është qyteti ku al-Bagdadi shpalli lindjen e Kalifatit. Ndoshta prandaj të krishterët mbajnë qëndrim të ftohtë e të matur ndaj betejës së Mosulit. Dëshmia e një meshtari kaldeas, atë Paolo Mekko:

“Pjesa më e madhe e kishave janë të shkatërruara. Thua ia vlen të rindërtohen, nëse të krishterët nuk do të rikthehen kurrë më?”.

Gjithsesi, flamujtë irakianë duken mbi çatitë e lagjeve të çliruara të Bab-al- Saray e Makawi, në qytetin e vjetër të Mosulit. Sulmi kundër zemrës historike të qytetit të dytë irakian, nisi më 18 qershor, me vështirësi të shumta, sepse shpesh xhihadistët në tërheqje i përdornin civilët si mburoja njerëzore. Irakianët rimorën spitalin Ibn Sina, disa qendra të tjera mjekësore, si dhe gjithë zonën e Al-Shifaa, rreth institucionit shëndetësor. Të enjten e kaluar  forcat  irakiane  rimorën edhe rrënojat e xhamisë al-Nuri, prej nga, në vitin 2014, Abu Bakr al-Bagdadi pati shpallur rilindjen e Kalifatit. E gjithë kjo, ndërsa vijojnë luftimet për t’i nxjerrë nga strofulli luftëtarët e Shtetit Islamik(Daesh), që tashmë kontrollojnë vetëm një zonë të vogël. Domethënëse, në këtë drejtim, fjalët e Yahia Rasoul, zëdhënës i ushtrisë irakiane:

“Ushtria po përparon në qytetin e vjetër. Fitorja në pjesën perëndimore të qytetit do të kumtohet shumë shpejt”.

E konfirmon për agjncinë Sir, atë Paolo Mekko, meshtar kaldeas i dioqezës së Mosulit, shumë aktiv ndërmjet të krishterëve të qytetit irakian e të Rrafshit të Ninives, sot të strehuar në Erbil të Kurdistanit:

“Tani për tani  në zonën lindore të Mosulit situata duket e qetë, Përparimi i ushtrisë irakiane në fushën perëndimore e ka bllokuar që prej tre muajsh hedhjen e raketave nga ana e Daesh-it në drejtim të Lindjes. Aktualisht luftohet në qendrën historike të Mosulit, ku udhët janë të ngushta, ka shumë rrugica dhe është tejet e vështirë të lëvizësh. Brenda janë ende shumë civilë. Por çlirimi është çështje ditësh”.

Të krishterët e shikojnë me maturi këtë që po ndodh. Ndonëse mund të jetë lajm shumë i bukur, nuk duket se ua ngroh shumë zemrat mijëra të krishterëve, të shpërngulur në kryeqytetin e Kurdistanit, që tregohen tejet të matur përballë ngjarjeve në zhvillim e sipër. Shkaqet na i shpjegon i njëjti meshtar:

“Daeshi u mund ushtarakisht, por idelogjia e tij do të mundet vonë e herë”.

E kjo do të thotë se do të duhet shumë kohë, para se njerëzit e ikur, ndërmjet të cilëve, edhe besimtarët e krishterë, të mund të rikthehen në Mosul e të rifillojnë një jete sa më normale që të jetë e mundur. Sapo të lirohet qyteti - shton - duhet të krijohen kushtet e sigurimit  e, posaçërisht, besimi ndërmjet përfaqësuesve të shtresave të ndryshme të popullsisë. Për të mos folur për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara gjatë luftimeve si dhe për lirimin e atyre, që janë zënë nga Daesh-i gjatë këtyre tre viteve.

E vështirë, pra,  të mendohet për rikthimin e shpejtë të të krishterëve në Mosul, në ndryshim nga ata të fshatrave të krishtera të Rrafshit të Ninives, që dalëngadalë po rikthehen në plang. Vijimi i ndeshjeve e pengon hyrjen në qytet, e kështu nuk mund të bëhet as regjistrimi i kishave dhe i vendeve të kultit, të dëmtuara, të shkatërruara ose të zëna:

“Në qytet - shpjegon atë Mekko - kemi kisha e katedrale të krishtera, për shembull ajo e Shën Isaisë dhe e Zojës së Papërlyer, disa edhe të shekullit IV, shumë më të lashta se xhamia e al-Nurit. Nga fotografitë që disponojmë, mund të shihen ndërtesa kulti të rrënuara, të tjera, të dëmtuara. Për fat të keq nuk e dimë a ka mbetur brenda tyre ndonjë orendi a ndonjë objekt kishtar. E dimë edhe se disa kisha përdoren si garazhe. Sapo të jetë e mundur, do të shkoj në këto zona të Mosulit për të parë me sytë e mi  ç’mund të bëhet për të rindërtuar ose për risistemuar”.

Dyshimi i madh

Atë Mekko ka një dyshim, që e shqetëson fort:

 “Nëse të krishterët nuk do të rikthehen, nëse nuk do të ketë popull, kujt do t’i shërbejnë kishat e rindërtuara?”.

E të njëjtin dyshim e ka edhe për banesat:

“Në Mosul, Daeshi ka zënë shumë nga shtëpitë e të krishterëve. E po kështu kanë bërë edhe shumë familje myslimane, që përkrahin xhihadistët. Shpresohet se këto shtëpi do t’u rikthehen të zotëve, sapo të rivendosen në qytet. Në këtë drejtim - sqaron meshtari - po punon një Komision i përbashkët edhe me anëtarë të ushtrisë e krerë fetarë, i ngarkuar të verifikojë shtëpitë e pushtuara të të krishterëve dhe të marrë masa për rikthimin e tyre në duart e pronarëve të ligjshëm”.

Por që të krishterët të rikthehen, duhet garatuar edhe siguria  e stabiliteti në gjithë zonën, sapo të jetë dëbuar përfundimisht Daeshi.

“Në këtë drejtim qeveria duhet të punojë me seriozitetin më të madh. Para vitit 2014, domethënë para se të dukej këndej pari Daeshi, marrëdhëniet ndërmjet  institucioneve të ndryshme politike e ushtarake nuk ishin të mira, kishte përçarje sektare ndërmjet shiitëve e sunitëve. E sot, në krahasim me të kaluarën, kemi më shumë jetimë, më shumë vejusha, më shumë të varfër e më shumë ligështi ekonomike. Vështirë është të shmangen të gjithë faktorët  e destabilizmit që, në të ardhmen, mund të shkaktojnë konflikte të reja, të ushyera nga hakmarrjet e vjetra”.

Vështirë për të krishterët t’u besojnë përsëri fqinjve të tyre myslimanë. Siç e thashë më sipër - shton atë Mekko - mendësia e Daeshit është rrënjosur në mendjen e shumë prej tyre e mund të kthehet në rrezik të ri:

“Të krishterët e dinë mirë se kur milicët e Daeshit e pushtuan qytetin, shumë nga myslimanët i pritën me krahë hapur. Tani shikojmë të njëjtat skena hareje për ushtarakët irakianë, që hynë në qytet. Cila është e vërteta? A mund t’u besohet njerëzve të këtillë? Sot siguria është përparësi. Pa të nuk do të ketë rikthime as rindërtime!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.