2017-07-05 12:34:00

Ambienti. imzot Tomasi (Selia e Shenjtë): të rritet niveli i mbrojtjes së deteve, ose njerëzit do të vijojnë të vdesin me mijëra


“Nuk mund të ecet më me nivelin aktual të mbrojtjes së deteve: nëse nuk e rrisim, njerëzit do të vijojnë të vdesin me mijëra, në kërkim të sigurisë ose të kushteve më të mira të jetesës”. Kjo, thirrja e imzot Silvano Maria Tomasit, Sekretar i Dikasterit Papnor për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, gjatë takimit “Oceans. Caring for a comon heritage”(Oqeanet. Kujdes për këtë pasuri të përbashkët), organizuar në Romë nga i njëjti Dikaster. Prelati kishte parasysh dramën e emigrantëve, të cilët kërkojnë të largohen legalisht ose ilegalisht, duke kapërcyer Detin Mesdhe e dete të tjera, që mund të shndërrohen në kurthe vdekjeprurëse për ata, që ikin nga lufta, uria, persekutimi.

“Në Itali vihet në jetë një politikë shumë e qartë në këtë drejtim - kujtoi imzot Tomasi - duke pasur parasysh veprimtarinë e kapjes dhe të shpëtimit të varkave me emigrantë, të cilët provojnë një tronditje të thellë fizike e psikike. E natyrshme, duke pasur parasysh se shumë nga operacionet e shpëtimit, përfundojnë në katastrofa, gjatë të cilave një mori njerëzish mbyten në det, pak para se t’i shkelin brigjet aq të dëshiruara”.

“Duhet ndërrmarrë një aksion politik e shkencor për t’i mbrojtur oqeanet, pa harruar edhe miliona njerëzit, që punojnë në ujërat e tyre” - këtë nënvizoi imzot Tomasi - e më pas kujtoi edhe 58 milionë peshkatarët, që nisen ditë për ditë për peshkim, duke përballuar një mori rreziqesh, gjithnjë të pranishme në det. Prej këndej, pikërisht ndërmjet punonjësve të këtij sektori vërehet numri më i madh i të vdekurve dhe i viktimave të aksidenteve në punë, pa folur këtu për shpërdorimin e të drejtave të njeriut, posaçërisht të të miturve.   

 








All the contents on this site are copyrighted ©.