2017-07-03 16:07:00

Janë të Rafaelit, dy figurat femërore në Muzetë e Vatikanit


Nga Salla e Kostandinit, në Muzetë e Vatikanit, në restaurim e sipër, vjen pohimi i shumëpritur: figurat femërore alegorike të dy virtyteve: Miqësisë dhe Drejtësisë, janë vepra të Rafaelit. Në Vatican Magazine, e përjavshme televizive e Sekretarisë për Komunikimin–CTV, shikojmë figurat  e Comitas, siç quhet latinisht Miqësia, e cila sapo është restauruar dhe  provat e para të pastrimit mbi figurën alegorike të Drejtësisë.

Falë veprimtarisë së restauratorëve të Muzeve të Vatikanit, koordinuar nga Maria Ludmilla Pustka, kryerestauratore e laboratorit të pikturave të Muzeve vatikanase, historiani i artit, Arnold Nesselrath, delegat për fushën tekniko-shkencore të Muzeve të Vatikanit dhe Drejtor i Repartit për artin  e shekujve XV e XVI, e vërtetoi autorësinë, duke u mbështetur mbi dëshmitë e shkruara të epokës, posaçërisht mbi veprën e famshme të Vasarit: “Jetët e piktorëve, të skulptorëve dhe arkitektëve më të shquar, ndërmjet treqindës e pesëqindës”.

Pak para se të vdiste papritmas nga ethet e malaries, pra, ndërmjet viteve 1519 e 1520, mjeshtri Rafael Sancio, që projektoi e pikturoi zbukurimet  e sallës së caktuar për bankete, për emërimin e kardinajve dhe pritjen e ambasadorëve e të autoriteteve politike, realizoi, me dorën e vet në këtë sallë, dy figura, që më pas u përfunduan nga nxënësit e tij. Ndërmjet tyre spikasin Giulio Romano e Giovan Francesco Penni.

Restauratori Fabio Piacentini, që punon në Sallën e Kostandinit që nga marsi i vitit 2015, shpjegon, në mikrofonet e Vatican Magazine:

“Duke analizuar pikërisht pikturën ‘de visu’, vumë re se ndjehej fort prekja e penelit të Mjeshtrit, Rafaelit të madh. Ishim para një pikture të realizuar me vaj mbi mur, teknikë vërtet e veçantë, nëse kemi parasysh atë të afreskut. Si kryem provat e para të pastrimit e i hoqëm të gjitha substancat që kishin krijuar shtresa në rrjedhë shekujsh (mjafton të kujtojmë tymin e qirinjve), si dhe gjatë restaurimeve më të lashta, u duk qartë vlera e pikturës dhe u ndje, pas kaq shekujsh, dora e sigurt e Mjeshtrit. Ishte pikërisht teknika, që përdori Rafaeli për dekorimin e gjithë sallës. Piktori i madh, para se të niste vizatimin e figurës, shtronte mbi mur një shtresë të mjaftueshme rrëshire natyrore, që njihej edhe me emrin peshkve greke e pastaj, përmbi të, realizonte pikturën, si të ishte duke punuar mbi pëlhurë, ose, edhe më mirë, mbi dërrasë.

Profesor Arnold Nesselrath, delegat i fushës tekniko-shkencore në Muzetë e Vatikanit, sqaron: “Dihej, nga burimet e pesëqindës se Rafaeli kishte pikturuar edhe dy figura në këtë sallë. E dihej edhe që, para se të vdiste,  kishte bërë dy prova me teknikën e vajit, po në këtë sallë. Këto dy figura, për të cilat po flasim, janë pikturuar me vaj, ashtu siç thonë burimet, e janë të një cilësie shumë më të lartë sesa figurat, që i rrethojnë. Ndjehet në to, peneli i Mjeshtrit, i cili njihej si aventurier i madh në pikturë. Provonte vazhdimisht teknika të reja, shpikte metoda të reja e përdorte ngjyra të reja, të cilat nuk mundi t’i përdorte askush pas tij. Vulosi, kështu, vetveten në art. Pa u trembur nga provat. Kur nuk i shkonte mbarë prova e parë, bënte të dytën, të tretën…. derisa ia delte mbanë asaj, që dëshironte. E kështu, kur ia nisi punës në sallën më të madhe të apartamentit papnor, vendosi ta pikturonte këtë sallë me bojë vaji. Arriti të pikturonte vetëm dy figura. Të fundmet e paletës së tij të papërsëritshme. Punën e vijuan nxënësit, me metodën tradicionale, duke i lënë të paprekura këto dy figura autografe të Mjeshtrit të madh, që sot mund t’i admirojnë të gjithë dashuronjësit e artit në përgjithësi, e të Rafael Sancios, në veçanti.








All the contents on this site are copyrighted ©.