2017-07-02 09:00:00

Veprimtaria javore e Papës dhe e Selisë së Shenjtë


Papa mbajti të mërkurën e kaluar koncistorin për krijimin e pesë kardinajve të rinj. “Jezusi ju thërret ta shihni realitetin” e vuajtjeve, u tha atyre. Ati i Shenjtë foli edhe mbi punën për të rinjtë dhe mbi kuptimin e vërtetë të martirizimit.

         Duke ndjekur Krishtin, theksoi, shikojeni realitetin e dhimbjes, të vuajtjes, të hedhurinave. Në përfundim të kremtimit, Françesku i shoqëroi kardinajtë e rinj në kuvendin “Mater Ecclesia” për një përqafim me Papën e nderit, Benedikti XVI.

         Po më 28 qershor, duke paraprirë kremtimin e festës së Shën Pjetrit e të Shën Palit, Papa Françesku i quajti martirët ‘shtyllat e Kishës”. Në audiencën e përgjithshme, të fundit para pushimeve verore, Ati i Shenjtë kujtoi se martirizim do të thotë dëshmi e besnikëri ndaj Ungjillit. Papa Bergoglio bëri thirrje të mos i përgjigjemi “së keqes me të keqe”, sepse në mesin tonë, është gjithnjë Dikush, “më i fortë se mafiet” dhe “komplotet e errta”.

         Ndërkaq, më 29 qershor, gjatë meshës për Solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit, Papa Françesku u ndal mbi tre tiparet dalluese të jetës së apostujve: “dëshmia, persekutimi, lutja”. Gjatë homelisë së meshës, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në Solemnitetin e dy Pajtorëve të Romës, Ati i Shenjtë, ashtu siç bëri edhe në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, nënvizoi se “të dy e vulosën me gjakun e tyre dëshminë për Krishtin”.  Papa bashkëkremtoi me pesë kardinajtë e rinj, që i krijoi në koncistorin e së djeshmes, si edhe bekoi paliot e kryeipeshkvijve metropolitë, emëruar gjatë vitit të fundit, ndër të cilët, edhe imzot George Frendo-n, kryeipeshkvin metropolit të Tiranë Durrësit. Ta dëgjojmë, në mikrofonin e Radio Vatikanit në gjuhën shqipe…

         Në meshën për 25-vjetorin e shugurimit ipeshkvnor, kremtuar të martën e kaluar, së bashku me kardinajtë e pranishëm në Romë, Papa Françesku kërkoi që Kisha të projektohet tek të rinjtë. Kardinajtë, nënvizoi në meshën e bashkëkremtuar më 27 qershor, në Kapelën Paoline në Vatikan, të jenë si “gjyshër ëndërrimtarë” për të rinjtë e sotëm. Ati i Shenjtë theksoi se mosha e thyer në Kishë nuk është sinonim i “gerontokracisë”, pra, i qeverisjes autokrate të pleqve. Nuk duhet të mbyllemi në trishtim, por të shpresojmë gjithnjë në Zotin, ashtu siç pati bërë Abrahami, të cilit iu dha një fëmijë pikërisht në moshë të shtyrë, përfundoi Papa Françesku.

         Të mërkurën, Ati i Shenjtë priti në Vatikan sindikalistët italianë të CISL-it, me në krye sekretaren e përgjithshme Anna Maria Furlan, që deri dje, ishin mbledhur në kongresin e tyre në Romë. Papa foli kundër të ashtuquajturave “pensione të arta”, që në Itali, e kalojnë shifrën 2.500-3.000 euro. Gjithashtu, kërkoi një pakt të ri shoqëror për punën, që t’u japë mundësi më të mëdha të rinjve.

         Prefekti i Sekretarisë për Ekonominë, kardinali George Pell, akuzohet në Australi për abuzime seksuale. Faktet u referohen viteve ’70, kur Pell ishte meshtar. Prelati, i cili do të paraqitet në gjyq më 18 korrik, deklarohet i pafajshëm dhe njofton se do të mbrohet deri në fund nga këto akuza. Të enjten, kardinali Pell dha një deklaratë për këtë në Sallën e Shtypit të Vatikanit.

        Edhe Selia e Shenjtë, po atë ditë, me një deklaratë zyrtare, shprehu respektin e plotë ndaj drejtësisë australiane dhe kujtoi impenjimin e kardinalit pikërisht kundër abuzimeve. Papa Françesku i dha lejen të kthehet në Australi për t’u mbrojtur nga akuzat e abuzimeve me të miturit.

         Ipeshkvijtë e SHBA-ve e shohin me shqetësim të ashtuquajturin “Muslim ban”, dekretin e diskutueshëm presidencial, që ndalon pjesërisht hyrjen në vend të qytetarëve të ardhur nga gjashtë vende myslimane: Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni. Dekreti hyri në fuqi pardje, por nuk do të vlejë për ata, që kanë lidhje të qëndrueshme me SHBA-të, lidhje me natyrë familjare, ose pune.








All the contents on this site are copyrighted ©.