Lidhja me Jezusin dhe dëshmia, në qendër të Engjëllit të Tënzot
Përballë mijëra njerëzish, që e kishin mbushur përplot Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku komentoi liturgjinë e ditës, duke nënvizuar dy aspekte themelore për jetën e dishepullit misionar. Së pari, se lidhja me Jezusin është “më e fortë se çdo lidhje tjetër” e, së dyti, se “misionari nuk sjell vetveten, por Jezusin e, përmes Tij, dashurinë e Atit qiellor”.
Lidhja parësore, me Jezusin
“Dashuria e atit - tha Papa - dhembshuria e nënës, miqësia e ëmbël ndërmjet vëllezërve e motrave, e gjithë kjo, edhe pse shumë e mirë dhe e ligjshme, nuk mund të vihet mbi Krishtin”. E jo pse Zoti kërkon të jemi njerëz të pazemër e të pamirënjohje - shpjegoi - përkundrazi, por sepse dishepulli duhet të lidhet në radhë të parë me Mësuesin. “Cilido dishepull - pohoi - laik qoftë, apo laike, meshtar apo ipeshkëv”. Për Papën, ndoshta, pyetja e parë që duhet t’i bëjmë të krishterit, është “Po ti, a takohesh me Jezusin? A i lutesh Jezusit?”.
Mos ki zemër të dyfishtë
“Kush tërhiqet në këtë lidhje dashurie e jete me Zotin Jezus - vijoi Papa - bëhet përfaqësues i Tij, ambasador i Tij, posaçërisht në mënyrën si është e si jeton. Për Papën, nuk kanë rëndësi kufizimet e as gabimet, mjafton t’i pranosh. Rëndësi ka të mos kesh zemër të dyfishtë. Kjo, po, është tejet e rrezikshme. Prandaj Papa i ftoi besimtarët të kenë zemër të thjeshtë, njëfishe; të mos mbathin dy palë këpucë në një këmbë, por të jenë të ndershëm me vetveten e me të tjerët. I krishteri nuk duhet të jetë kurrë mësallë me dy faqe, njeri me zemër të dyfishtë - shtoi Papa duke folur lirisht - prandaj Jezusi i lutet Atit që dishepujt të mos bien në kurthin e shpirtit të botës. “O je me Krishtin, me shpirtin e Krishtit, o je me shpirtin e botës”.
Populli i Zotit të ndihmon të jesh prift i mirë
Papa, pastaj, e shikoi nga afër përvojën meshtarake, duke pasur parasysh afërsinë dhe mirëpritjen e popullit të shenjtë e besnik të Zotit, që të ndihmon të jesh prift i mirë. Sepse - shtoi - ka reciprokësi edhe në mision: nëse ti lë gjithçka për Jezusin, njerëzia sheh në ty vetë Zotin; e njëkohësisht të ndihmon edhe të bësh kthesë ditë për ditë në rrugën e Krishtit, të përtërihesh e të pastrohesh nga kompromiset e t’i kapërcesh tundimet. Sa më pranë popullit të jetë meshtari - shtoi - aq më pranë do ta ndjejë edhe Jezusin; e sa më afër Jezusit të jetë, aq më afër do të jetë edhe me popullin e Zotit.
Udha e Virgjërës Mari
Papa e përfundoi lutjen, duke u treguar të gjithëve rrugën e Virgjërës Mari, “që e provoi në zemër të vet ç’do të thotë ta duash Jezusin, duke u shkëputur nga vetvetja e duke i dhënë kuptim të ri lidhjeve familjare, nisur nga besimi në Të”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |