2017-07-01 16:31:00

Charlie. Papa: të mbrohet jeta, posaçërisht nëse e plagosur


Ngjarja dramatike e vogëlushit Charlie vijon ta prekë në shpirt botën: spitali londinez, ku është shtruar foshnja dhjetë muajshe, e prekur nga një sëmundje, që mjekët e konsiderojnë të pashërueshme, e ka shtyrë edhe për ca kohë vendimin për ta hequr ventilatorin, që e mban akoma në jetë. Mbrëmë Papa ndërhyu papritmas, me një tweet: thirrje për ta mbrojtur jetën, posaçërisht në rast sëmundjeje.

Miliona njerëz në mbarë botën luten për Charlie, që t’i jepet shpresa e fundit. Gara e solidaritetit ndërkombëtar u ka krijuar prindërve mundësinë të mbledhin një gjysëm milioni euro, për ta çuar foshnjën në SHBA, ku do të mund t’i shtrohej një mjekimi eksperimental. Për mjekët anglezë do të ishte mjekim i kotë, pa shpresë e pa rezultat, që do t’ia zgjaste vuajtjet fëmijës, prekur nga një sëmundje, që dobëson progresivisht muskujt dhe nervat. Por prindi nuk pushon së besuari se shpëtimi mund të arrijë edhe në çastin e fundit. Ndërsa edhe Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut  shpreh mosbesimin e plotë në këtë shpresë. Atëherë prindërit kërkuan që foshnja të vdesë në shtëpi. Por edhe kjo iu mohua.

Mbrëmë Papa Françesku mori pjesë, në këtë emocion dramatik botëror, me tweet-in befasues: “Ta mbrosh jetën njerëzore, posaçërisht kur plagoset nga sëmundja, është angazhim dashurie, që Zoti ia beson çdo njeriu”.

Shumë njerëz i shtangoi fakti i mosrespektimit të vullnetit të prindërve. Federata Italiane e sëmundjeve të rralla e kritikoi këtë vendim, pa harruar të pohojë se këto sëmundje janë pak të njohura e prandaj kanë edhe zhvillime të paparashikueshme. Mjekët nuk janë në gjendje ta parashikojnë  ardhmërinë e këtyre fëmijëve, sepse pak kuptojnë nga udha e zhvillimit të këtyre patologjive. 








All the contents on this site are copyrighted ©.