2017-06-29 11:52:00

Kard. Pell, akuzuar për abuzime: kthehem në Australi për të provuar pafajësinë


Prefekti i Sekretarirë së Vatikanit për Ekonominë, kardinali George Pell, është hedhur në gjyq në Australi, i akuzuar për abuzime seksuale. Faktet në fjalë e kanë zanafillën në vitet ’70, kur ishte meshtar. Prelati, që duhet të dalë në gjyq më 18 korrik, deklarohet i pafajshëm e njofton se do të mbrohet me të gjitha forcat deri në fund.Sot paradite, në orën 8.30, nga Salla e Shtypit e Vatikanit, kard. Pell dha këtë deklaratë:

         “Këto çështje kanë qenë objekt hetimesh, tashmë, që prej dy vjetësh. Lajmet janë dhënë përmes mediave. Është fjala për luftë të tërbuar me deklarata, që kanë vijuar për mëse një muaj, e që i referohen faktit se vendimi për këto akuza qenkësh ‘shumë i afërt’. Jam i kënaqur që tani, së paku mund të mbrohem para gjyqit. Përsëris se jam i pafajshëm e akuzat janë të rreme. Vetë ideja e abuzimeve seksuale është e neveritshme për mua.

         Ati i Shenjtë është informuar vazhdimisht prej meje gjatë kësaj periudhe të gjatë e, kam pasur rastin të flas me të mbi nevojën e një lejeje të përkohshme për të mbrojtur dinjitetin tim. I jam mirënjohës Shenjtërisë së Tij që ma dha këtë leje, në mënyrë që të kthehem në Australi. Kam folur me avokatët e mi për t’u marrë vesh mbi kohën e kthimit e mbi mënyrën më të mirë për ta bërë këtë. Kam qenë gjithnjë koherent dhe i qartë se unë i hedh poshtë plotësisht këto akuza. Lajmet në media e përforcojnë vendosmërinë time e procesi gjyqësor do të më japë mundësinë të hedh poshtë çdo akuzë e të kthehem në punë në Romë”.

         Pas deklaratës së kardinalit, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke, u lexoi gazetarëve këtë komunikatë:

         “Selia e Shenjtë mori vesh me keqardhje lajmin e hedhjes në gjyq në Australi të kardinalit George Pell për akuza, që u referohen ngjarjeve të disa dhjetëvjeçarëve më parë. Pasi u njoftua për këtë masë, kard. Pell, në respekt të ligjeve civile dhe i vetëdijshëm për rëndësinë e pjesëmarrjes së tij, që procesi të zhvillohet drejtësisht e të favorizojë kërkimin e së vërtetës, vendosi të kthehet në vendin e vet për t’u bërë ballë akuzave.

         Ati i Shenjtë, i informuar për këtë nga vetë kard. Pell, i dha një periudhë lejeje për t’u mbrojtur. Gjatë mungesës së prefektit, Sekretaria për Ekonominë do të vijojë të kryejë detyrat e saj institucionale. Sekretarët do të mbeten në detyrë për të vazhduar punët e zakonshme ‘donec aliter provideatur’. Ati i Shenjtë, që ka pasur mundësinë ta vlerësojë ndershmërinë e kard. Pell gjatë tre viteve të punës në Kurien Romake, i shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin e, në veçanti, për impenjimin energjik në favor të reformave në sektorin ekonomik dhe administrativ dhe për pjesëmarrjen aktive në Këshillin e Kardinajve (C9).

         Selia e Shenjtë shpreh respektin e vet ndaj drejtësisë australiane, e cila duhet të vendosë për çështjet e shtruara. Njëkohësisht, kujton se kardinali Pell, që prej dhjetëvjeçarësh tashmë, i ka dënuar haptas e vazhdimisht abuzimet kundër të miturve si akte imorale dhe të patolerueshme, ka bashkëpunuar në të kaluarën me Autoritetet australiane (për shembull, në deponimet para Royal Commission), ka mbështetur krijimin e Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve e, së fundi, si ipeshkëv dioqezan në Australi, ka miratuar sisteme e procedura për mbrojtjen e të miturve e për ndihmesën e viktimave të abuzimeve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.