2017-06-29 14:36:00

Françesku: të krishterët persekutohen, shpesh në heshtje.


Papa Françesku kryesoi sot Meshën në Solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e  Pal, me ritin e bekimit të paliove për kryeipeshkvijtë e rinj metropolitë. Ndërmjet tyre, edhe imzot George Frendo, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit.

Në homeli, duke e marrë shtytjen nga Liturgjia e sotme, nënvizoi tri fjalë kryesore për jetën e apostullit: dëshmi, persekutim, lutje. Dëshmi është ajo e Pjetrit në Ungjill, kur pyetja e përgjithshme e Zotit “Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?”, bëhet e përveçme “Po ju ‑ ç’thoni: kush jam unë?”. Kësaj pyetjeje i përgjigjet vetëm Pjetri: “Ti je Mesia ‑ Biri i Hyjit të gjallë!”. Kjo do të thotë ta dëshmosh Krishtin, të pranosh se Krishti është Mesia i pritur, Zoti i gjallë, Zoti i vetë jetës:

“Këtë pyetje jetike – vijoi Papa - Jezusi na e drejton sot edhe ne, të gjithëve, e posaçërisht ne, barinjve. Ai na shikon në dritë të syrit e na pyet: ‘Kush jam unë për ty?’. Si të donte të na thoshte: ‘A jam akoma unë Zoti i jetës sate, drejtimi i zemrës sate, arsyeja e shpresës, e besimit të pamposhtur?”.

Me Shën Pjetrin, edhe ne përsërisim se jemi dishepuj e apostuj të Tij - tha Papa - e, menjëherë pas, një pyetje tjetër, karakteristikë e predikimit të Françeskut:

“Ta pyesim veten në se jemi të krishterë salloni, që marrin nëpër gojë punët e Kishës e të botës, apo apostuj për udhë, që e dëshmojnë Jezusin me jetën e  tyre, sepse e kanë në zemër. E kush e dëshmon Jezusin, e di se nuk duhet të japë vetëm mendimin e tij, por edhe jetën, e di se nuk mund të dojë vaktësisht, por duhet të digjet nga dashuria, se duhet të dalë në det të hapur, duke e dhuruar ditë për ditë vetveten”

Kush e dëshmon Jezusin, bën atë, që bënë Pjetri e Pali: e ndjek deri në fund të fundit, në udhën  tij, jo në udhët tona. Udha tij është udhë e jetës së re, e gëzimit, e ringjalljes, udhë që kalon edhe përmes kryqit e persekutimeve.

Françesku u ndalua menjëherë tek fjala “persekutime”:

 “Jo vetëm Pjetri e Pali derdhën gjakun e tyre për Krishtin, por mbarë bashkësia e orëve të para provoi shijen e persekutimit. Edhe sot, në vise të ndryshme të botës - nganjëherë të rrethuar nga heshtja,  heshtje bashkëfajtore - shumë të krishterë keqtrajtohen, përqeshen, diskriminohen, bëhen objekt dhune, vriten, shpesh pa impenjimin e detyrueshëm të atyre, që do të mund t’ua mbronin të drejtat e shenjta”.

Duke kujtuar Shën Palin, që nuk dinte tjetër, përveç Jezu Krishtit ‑ dhe Atë të kryqëzuar - e që e ndoqi Mësuesin, për ta dhuruar edhe ai vetë jetën, Papa theksoi:

“Pa kryq, nuk ka Krisht, por pa Krisht, nuk mund të ketë të krishterë. Sepse, siç na e kujton Shën Agostini, virtyt i krishterë është jo vetëm të bësh mirë, por edhe ta durosh të keqen, ta mbartësh mbi shpatulla, për Krishtin e për të tjerët. Ta pranojmë, pra, kryqin, me besimin se nuk jemi vetëm: Zoti i kryqëzuar e i Ngjallur, është me ne”.

Kështu, me Palin, mund të themi “U bëmë lojë për botën, për engjëjt e për njerëzit. Ne, të marrë për shkak të Krishtit, ju të urtë në Krishtin; ne të dobët, ju të fortë; ju të nderuar e ne të përbuzur. Deri tani s’ngihemi me bukë as me ujë, jemi të zhveshur e të shtypur, të paplang e të pashtëpi, lodhemi duke punuar me duart tona. Na shajnë, e ne flasim mirë për ta”     E ky është autoportreti i jetës apostolike të Shën Palit: ndërmjet gjithë këtyre vuajtjeve, mbizotëron gëzimi se është mbartës i bekimit të Hyjit e i hirit të Ungjillit.

Të durosh - pohoi - do të thotë të dish të fitosh me Jezusin, si Jezusi, jo me e si bota, Ja pse Pali  - e dëgjuam - e quan veten ngadhënjyes, gati për të marrë kurorën. Prandaj shkruan: “E luftova luftën e mirë, e përfundova vrapimin, e ruajta fenë”:

“Jetoi duke vrapuar e jo vetëm që nuk e kurseu veten, por e shkriu krejtësisht  për Krishtin. E kështu, në misterin e dhimbjes së dhuruar për dashuri, në këtë mister që shumë vëllezër të persektuar, të varfër e të sëmurë e mishërojnë edhe sot, shndrit forca shëlbuese e Kryqit të Krishtit”.

Së fundi Papa komentoi edhe fjalën e tretë: “lutje”.  Lutja – theksoi - është uji i domosdoshëm, që gurron nga dëshmimi dhe e bën të rrjedhë besimin. Lutja na bën ta ndjejmë veten të dashur e na krijon mundësinë të duam. Na bën të ecim përpara në çastet e errëta, sepse ndez para nesh dritën e Zotit.

Në vijim të homelisë, Françesku kujtoi:

“Zoti ndërhyn kur lutemi. Ai, besnik ndaj dashurisë, të cilën ia dëshmuam, është pranë nesh në prova. Ai, që shoqëroi hapat e Apostujve, do të na shoqërojë edhe ne”.

E do të jetë sidomos - nënvizoi Françesku - pranë vëllezërve Kardinaj e Kryeipeshkvij të cilët, duke marrë palion, morën njëkohësisht forcë të re, që të jetojnë për grigjën, duke i përngjarë Bariut të Mirë, që i mbështet e i mbart mbi shpatulla:

“Zoti, që dëshiron  nxehtësisht  ta shikojë të bashkuar grigjën e tij – përfundoi Papa - e bekoftë dhe e ruajtët Patrikun Ekumenik e edhe delegacionin e Patriarkanës ekumenike; e bekoftë edhe vëllain e dashur, Bartolomeun, që e dërgoi, në shenjë të bashkimit apostolik”.








All the contents on this site are copyrighted ©.