2017-06-28 13:06:00

Papa: e papranueshme ideja që terroristët të quhen martirë


 Të krishterët nuk e pranojnë idenë se atenatorët vetëvrasës mund të quhen “martirë”: asgjë në fundin e jetës së tyre nuk i përngjan sjelljes së bijve të Zotit. Këtë theksoi Papa sot, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke shpjeguar se martirizim do të thotë dëshmi dhe besnikëri ndaj Ungjillit e duke i nxitur besimtarët të mos i përgjigjen së keqes me të keqe, sepse mes nesh gjendet gjithnjë Dikush, që është më i fortë se mafiet e se intrigat e errta.

Martirët nuk jetojnë për vetveten, nuk luftojnë për të afirmuar idetë e veta. Martirët pranojnë se duhet edhe të vdesin për t’i qëndruar gjithnjë besnikë Ungjillit. Papa Françesku vijoi, kështu, të reflektojë përsëri për shpresën e krishterë, parë sot si “forca e martirëve”. Megjithatë - shpjegoi më pas - martirizmi nuk është ideali më i lartë i jetës së krishterë, sepse ka lart e më lart. E mbi gjithçka, është dashuria: dashuria për Zotin e për të afërmin:

“Nuk mund ta pranojë i krishteri idenë që atentatorët vetëvrasës të mund të quhen ‘martirë’: jo! Këta nuk janë martirë, nuk ka asgjë në fundin e tyre, që mund t’i përngjajë sjelljes së bijve të Zotit. Nganjëherë, duke lexuar historitë e martirëve të shumtë të djeshëm e të sotëm - që janë edhe më të shumtë se martirët e kohëve të para të krishterimit - mbetemi të mahnitur përballë qëndresës, me të cilën e përballuan provën e madhe. Burrëria e tyre është shenjë e shpresës së sigurt, që i frymëzonte: shpresës së pamposhtur se asgjë e askush nuk do të mund t’i ndante nga dashuria e Zotit, që na u dhurua në Jezu Krishtin”.

Papa u nis nga fragmenti ungjillor i Shën Mateut, për të shpjeguar se Jezusi, duke i dërguar dishepujt në mision, nuk u premton mirazhe me suksese të lehta, por i paralajmëron qartë se kumtimi i Mbretërisë së Zotit është plot pengesa e kundërshtime, duke saktësuar se prandaj do të urrehen nga të gjithë. Papa shpjegoi, më pas, se të krishterët duan, por jo gjithnjë edhe duhen, domethënë, ku më pak e ku më shumë, dëshmia e fesë rrethohet përherë me një frymë të keqe, armiqësore:

“Të krishterët janë burra e gra, që shkojnë kundër rrymës. Është normale: sepse bota është e njollosur nga mëkati, që shfaqet në një mori formash, si egoizmi, urrejtja, padrejtësia. Kush ndjek Jezusin, ecën në drejtim të kundërt. Jo për shkak të frymës polemike, por për besnikëri ndaj logjikës së Mbretërisë së Zotit, që është logjikë shprese e shndërrohet në stil jete, bazuar mbi porositë e Jezusit”.

Duke u ndaluar tek porosia e varfërisë, Papa vuri në dukje se dishepujt,  ashtu si Jezusi, kujdesen më shumë për “t’u zhveshur”, sesa “për t’u veshur”: i krishteri, që nuk është i varfër e i përvujtë, i shkëputur nga pasuritë e nga pushteti, mbi të gjitha, është i shkëputur nga vetvetja - nënvizoi Françesku - e nuk i ngjan fare Jezusit. I krishteri, prandaj, e përshkon gjithë udhën e tij me zemrën plot dashuri:

“Disfata më madhe për të, është të bjerë në tundimin e hakmarrjes e të dhunës, duke iu përgjigjur së keqes me të keqe. Jezusi  na thotë: ‘Po ju çoj si delet në mes të ujqve’. Pra, pa dhëmbë të mprehtë ujqish, pa kthetra, pa armë. Por, megjithatë, i krishteri duhet të jetë tejet i urtë, nganjëherë madje edhe finok: këto janë virtyte të pranuara nga logjika ungjillore, që ndërkaq nuk e pranon kurrë të krishterin e dhunshëm. Kurrë dhunë! Për ta mposhtur të keqen, nuk mund të përdoren metodat e së keqes”.

E vetmja forcë e të krishterit, është Ungjilli. E, në kohë të vështira - vijoi Françesku - duhet të besojmë me gjithë shpirt se Jezusi është para nesh, se nuk pushon kurrë së na shoqëruari. Persekutimi - shtoi - nuk është në kundërshtim me Ungjillin, por bën pjesë në të, sepse edhe vetë Mësuesi ynë u persekutua. Prej këndej, edhe në mes të gjeratoreve të jetës, i krishteri nuk duhet ta humbasë kurrë shpresën, duke menduar se është i vetëm, në mes të ujqërve:

 “Asnjë vuajtje e njeriut, as më e vogla e më e thella, nuk mund t’u fshihet syve të Zotit. Zoti na shikon e sigurisht na mbron e na jep edhe shpërblimin. Është gjithnjë mes nesh Dikush, më i fortë se keqja, më i fuqishëm se mafiet, se intrigat e errta, të atyre që fitojnë duke ua rrjepur lëkurën njerëzve të dëshpëruar, atyre, që e shtypin tjetrin nën thundrën e prepotencës… Është Dikush, që e ndjen qysh prej krijimit të botës, zërin dhe afshin e gjakut të Abelit, që ngrihen nga toka drejt qiellit!".

Të krishterët duhet të gjenden gjithnjë në anën tjetër të botës, në atë që e zgjodhi Zoti:

“Jo persekutues, por të persekutuar; jo arrogantë, por të butë; jo shitës tymi, por të nënshtruar para së vërtetës; jo batakçi, por të ndershëm. Këtë besnikëri ndaj stilit të Jezusit - stil shprese - deri në vdekje, të krishterët e parë e patën pagëzuar me një emër shumë të bukur: ‘martirizim’, që do të thotë ‘dëshmi’. Fjalori kishte shumë fjalë të tjera: ky stil mund të quhej heroizëm, vetmohim, flijim i vetvetes. Por të krishterët e orës së parë nuk zgjodhën asnjë nga këto fjalë. U pëlqeu më shumë ta thërrisnin me një emër, që ka aromën e dishepullatit”.

Të lutemi, prandaj, që Zoti të na japë  forcën për të qenë dëshmitarë të Tij, për ta jetuar shpresën e krishterë, posaçërisht në martirizimin e fshehur, domethënë, duke i kryer sa më mirë e sa më me dashuri detyrat tona të përditshme.

Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Papa kujtoi se nesër liturgjia na propozon martirizimin e Shën Pjetrit e të Shën Palit, pajtorë të Romës, e - duke përshëndetur në mënyrë të veçantë, miqtë e ipeshkvijve metropolitë, që nesër do të marrin palion – uroi që Zoti të na japë edhe ne forcë, për të qenë dëshmitarët e tij besnikë. Së fundi, i nxiti të gjithë ta  kultivojnë miqësinë me meshtarët, posaçërisht me ata, që ndjehen më të vetmuar, duke i mbështetur në thirrjen meshtarake e duke i shoqëruar në shërbesën e shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.