2017-06-27 12:21:00

Parlamentarët ortodoksë në Romë me objektiv nxitjen e vlerave të krishtera


115 parlamentarë ortodoksë, nga 46 vende të botës, mbledhur nga Asambleja ndërparlamentare e Ortodoksisë (IAO), ndodhen në Romë për takimin e tyre të 24-t. Shoqata synon promovimin e vlerave të përbashkëta ekumenike për të përballuar krizën, jo vetëm ekonomike, që ka përfshirë Evropën. Një delegacion parlamentarësh ortodoksë do të takohet me Papën Françesku, në përfundim të kremtimit eukaristik të 29 qershorit, në festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit.

Lindur në vitin 1993 me nismën e parlamentit grek, Asambleja mbledh deputetë nga e gjithë bota, por sidomos nga Greqia, Qipro, Gjeorgjia, Rusia, Kazakistani, Hungaria dhe Siria. Ngritur pas rënies së regjimeve komuniste në Evropë, shoqata vlerëson ortodoksinë - fe e përbashkët për shumë qytetarë evropianë - e, me frymë ekumenizmi, punon për kapërcimin e kontradiktave kombëtare e fetare. Ndër temat, për të cilat u diskutua këto ditë, ishte edhe kujdesi për ambientin, një nga impenjimet më të ndjera të fesë ortodokse. Për kuptimin e kësaj vizite, të dëgjojmë koordinatorin e Asamblesë, parlamentarin grek, Kostas Mygdalìs:

Kuptimi është se përpiqemi të takohemi në nivelin politik, ne, parlamentarët e botës ortodokse me botën politike katolike për të folur për përgjegjësitë tona në të tashmen e në të ardhmen. Si mund të reagojmë para ngjarjeve të sotme, para krizës globale e asaj të tregut? Teknologjitë e reja na japin një dorë, por, nga ana tjetër, shkaktojnë edhe varfëri. Gjithashtu, krijojnë pasuri të jashtëzakonshme për një pjesë të popullsisë, që bëhet e pakontrollueshme nga shoqëria. Ja arsyeja për të cilën jemi në Romë. Papa Françesku na ofron bazën e diskutimit. Pavarësisht nëse duam ta dëshmojmë këtë, ose jo, themeli i Evropës mbetet krishterimi. E gjithë shoqëria mbështetet mbi këto vlera, por edhe vetë demokracia e ka aty zanafillën, së cilës duhet t’i kthehemi.








All the contents on this site are copyrighted ©.