2017-06-27 13:46:00

Françesku: jo gerontokracisë në Kishë, ëndërrojmë për të rinjtë


Kardinajtë janë si “gjyshër ëndërrtarë” për të rinjtë e sotëm. Këtë pohoi Papa Françesku në Meshën, bashkëkremtuar në Kapelën Paoline, në Vatikan, me kardinajtë e pranishëm në Romë, me rastin e 25-vjetorit të shugurimit të tij ipeshkvnor. Papa pohoi se pleqëria në Kishë nuk është sinonim me “gerontokracinë”, nuk është pra, qeveri oligarkike pleqsh! Nuk duhet të mbyllemi në trishtim - nënvizoi, më pas - por të shpresojmë gjithnjë në Zotin, siç bëri Abrahami.

“Ngreju, shiko, shpreso!”. Françesku e shtjelloi homelinë, duke u përqendruar përsëri mbi figurën e Abrahamit e mbi  dialogun e tij me Zotin, për të cilin fliste Leximi i Parë. Abrahami - vërejti - u përgjigjet tre urdhërave të Zotit: të ngrihet e të mos rrijë ulur; të shikojë horizontin pa ndërtuar mure; të shpresojë në Zotin, që do t’i japë pasardhës sa yjet që janë në qiell. “Ngreju! Shiko! Horizonte, jo mure, horizonte të hapura!” – tha Papa - “Shpreso! Sepse shpresa nuk ka mure, është horizont i pastër, pa cak”.

Ashtu si i pati thënë Abrahamit, Zoti na thotë: “Ngreju! Shiko! Shpreso!”.

Kur Zoti e thirri Abrahamin, ai kishte pak a shumë moshën tonë: po dilte në pension, në pension, për të pushuar… Por nuk ishte fund. Ishte rifillim. Rifilloi në këtë moshë. I moshuar, me barrën e pleqërisë mbi shpinë, asaj pleqërie, që sjell me vete vetëm dhimbje, sëmundje… Po ti, si të ishe në lule të moshës, merr urdhërin: “Ngreju! Ec! Shko!”. Si të ishe skaut: “Shko, shiko e shpreso!”. E këto fjalë Zoti nuk i tha vetëm për Abrahamin: i tha edhe për ne, që jemi moshatarë me Abrahamin. Pak a shumë… - sepse këtu ka edhe të rinj - por shumica është në moshë. E edhe ne Zoti na jep të njëjtin urdhër: “Ngreju! Shiko! Shpreso!”.

Kardinajtë nuk janë gerontokratë, por “gjyshër ëndërrtarë” për të rinjtë

Zoti - vijoi Françesku - na thotë se nuk ka ardhur ende ora ta mbyllim jetën tonë, t’i japin fund historisë sonë, ta përmbledhim ëndrrën tonë. Zoti - kujtoi - na thotë se historia jonë nuk ka marrë fund akoma, libri i jetës është i hapur deri në fund të fundit, i hapur për e me një mision. E na e tregon misionin me këto tre urdhëra: “Ngreju! Shiko! Shpreso!”.

Ndokush, që nuk na do mirë, thotë se ne jemi gerontokracia e Kishës –  jemi qeveri oligarkike pleqsh.  Shaka fare pa kripë, kjo, e pa kuptim. Ne nuk jemi  oligarkë; jemi gjyshër, gjyshër! E nëse nuk e ndjejmë këtë, duhet ta kërkojmë hirin për ta ndjerë. Jemi gjyshër e nipat tani i kanë sytë të ngulur mbi ne. Gjyshër, që duhet t’u japin atyre kuptimin e jetës, me përvojën e tonë. Gjyshër, që nuk mbyllemi në zymtinë e historisë sonë, por jemi gati për ta dhënë, plot jetë, këtë histori. E për ne, kjo “ngreju, shiko, shpreso”, quhet “ëndërrim”. Ne jemi gjyshër të thirrur për të ëndërruar e për t’ia dhuruar ëndrrën tonë rinisë së sotme: ka shumë nevojë! Që ta marrë nga ëndrrat tona forcën për të profetizuar e për ta çuar përpara detyrën e saj.

Sot - vijoi Papa duke iu drejtuar kardinajve të pranishëm -  Zoti kërkon nga ne të jemi gjyshër. Të kemi vitalitet për t’u dhënë të rinjve, sepse të rinjtë e presin këtë nga ne. Duhet, prandaj t’ia kërkojmë Zotit këtë hir “hirin të jemi gjyshër, hirin të ëndërrojmë e hirin për t’ua dhënë të rinjve tanë ëndrrën tonë; kanë nevojë”.

Papa i falënderon kardinajtë: lutuni, që të jem ngulmues në fe  

Në përfundim të Meshës, para bekimit, Papa i falënderoi kardinajtë e pranishëm, duke nisur nga kardinali Dekan, Angelo Sodano:

“Ju falënderoj për lutjen e përbashkët në këtë përvjetor, duke kërkuar falje për mëkatet e mia e ngulmim në fe, në shpresë e në dashuri. Ju falënderoj shumë për këtë shoqëri vëllazërore e i lutem Zotit t’ju bekojë e t’ju shoqërojë në udhën e shërbimit ndaj Kishës. Shumë faleminderit!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.