2017-06-23 13:15:00

Papa Françesku: jo, të krishterë muzeu, më mirë të çalosh, por në ecje


Sot Papa priti në audiencë pjesëmarrësit në Kuvëndimin e 75-të Ndërkombëtar të Serra International, shoqatë laike, që mbështet thirrjet meshtarake e rregulltare. Kuvëndimi nisi dje e do të vijojë deri më 25 qershor, në Romë.

Dy, argumentet kryesore, që trajtoi Papa gjatë këtij takimi, pasi i falënderoi pjesëmarrësit në Kuvëndim, mbledhur për të rizbuluar, në shkollën e Mësuesit Hyjnor, domethënien e çdo thirrjeje të krishterë: dhurimin e jetës  për vëllezërit me dhembshurinë e mëshirën e Zotit.

Fjalimi i Papës u mbështet krejtësisht mbi fjalën “mik” dhe shprehjen “gjithnjë përpara”.

Fjala mik - u kujtoi Françesku miqve të meshtarëve - sot ka humbur shumë nga kuptimi i saj i vërtetë, edhe pse është një nga fjalët më të përdorura. Por ne e dimë se njohja e cekët nuk mjafton për të shprehur përvojën e takimit dhe të afërsisë, që të kujton fjala “mik” :

“Miqësia është e vërtetë, kur të lidh me tjetrin deri në dhurimin e vetes. Jezusi u thotë dishepujve të vet: ‘Nuk ju quaj më shërbëtorë, po miq, sepse gjithçka dëgjova nga Ati im, jua thashë edhe juve’. Në këtë mënyrë Krishti krijon një lidhje të re ndërmjet Zotit e njeriut, e çliron miqësinë nga sentimentalizmi, duke na kujtuar se ‘askush nuk ka dashuri më të madhe se kjo: të japë jetën për miqtë”.

Mik është ai që më afrohet me kujdes e maturi, më dëgjon, shkon përtej fjalëve, ec mbi gjurmët e mia, më bën ta ndjej se nuk jam vetëm, është gati të më ndihmojë të ngrihem  përsëri në këmbë, sa herë që rrëzohem përdhe.

Këtë miqësi ju dëshironi t’ua jepni meshtarëve - u kujtoi me mirënjohje Papa pjesëmarrësve në audienecë - duke vijuar me shprehjen që e ka aq për zemër e që është edhe tema e kuvëndimit: “Siempre adelante”! “Gjithnjë përpara!”:

“Kam frikë nga të krishterët, që nuk ecin e mbyllen në strofkën e tyre, Më mirë të ecësh duke çaluar, nganjëherë edhe duke rënë, por duke besuar gjithnjë në mëshirën e Zotit, sesa të jesh i krishterë muzeu, që ka frikë nga ndryshimet e që, si merr një karizmë a një thirrje, në vend që ta vërë në shërbim të risisë së Ungjillit, mbron vetveten e rolet e veta”.

Po kush mund të ecë e kush jo? Ja edhe përgjigjja e Papës:

“Tani, nuk mund të ecë, kush nuk vihet në diskutim. Nuk përparon drejt cakut, kush ka frikë ta humbasë vetveten, sipas Ungjillit. Asnjë anije nuk do të lundronte, po të kishte frikë ta linte sigurinë e portit. E po kështu, asnjë i krishterë nuk mund të hyjë në përvojën shndërruese të dashurisë së Zotit, nëse nuk është gati ta vërë në diskutim vetveten, por mbetet i lidhur me planet e veta e zakonet e veta”.

Kisha dhe thirrjet kanë nevojë për ju - u tha në përfundim Papa të pranishmëve - duke ia besuar Zojës së Bekuar misionin e tyre në ndihmë të meshtarëve. 








All the contents on this site are copyrighted ©.