2017-06-22 11:40:00

Kardinali Parolin në Moskë, për t’u takuar me Kishën ortodokse


Kardinali Pietro Parolin ka shumë mundësi të jetë në Moskë gushtin e ardhshëm. E pohoi vetë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, në përfundim të një kuvëndimi kushtuar refugjatëve, organizuar nga Universiteti Papnor Gregorian.

“Në Moskë, gushtin e ardhshëm? Po, po shikohet nëse do të bëhet kjo vizitë: flitet prej kohe për të, po tani janë krijuar të gjitha kushtet që të mund të realizohet. Mendoj se do të takoj edhe presidentin Putin, sepse kjo vizitë do të jetë e nivelit të lartë, si me autoritetet politike, ashtu edhe me ato të Kishës Ortodokse”.

Kardinali vërejti se vizita në Moskë bën pjesë në kontekstin e vijave të papnisë së Françeskut. Marrëdhëniet dypalëshe - shtoi -  vijojnë në nivele të ndryshme. Kjo do të jetë një majë, por gjithnjë në hullinë e marrëdhënieve të vendosura prej   shumë kohe.

 E gjithë kjo tregon se marrëdhëniet ndërmjet Vatikanit dhe shtetit rus vijojnë të përmirësohen. E theksoi këtë edhe drejtori i Institutit të Historisë Botërore të Akademisë Ruse të Shkencave, Aleksandër Chubarian.

Më 22 e 23 qershor akademiku priti në selinë e atij, që për rusët është tempulli i mendimit shkencor, shumë miq të ardhur nga Roma, për të ndjekur kuvëndimin dyditor kushtuar temës “Ostpolitika vatikanase, Bashkimi Sovjetik dhe Kisha ortodokse ruse” (1958-1978).  Në kuvëndim u fol gjatë edhe për figurën e Agostino Casarolit, sekretar i Shtetit të Vatikanit në vitet 1979-1990.

Vizita e kardinalit Parolin, ende e pakonfirmuar nga burimet zyrtare, mendoj se do të jetë shenjë shumë e mirë - pohoi shkencëtari. - Më duket se në Evropë marrëdhëniet me Moskën po ecin në drejtim të përmirësimit. Pa Rusinë është vështirë të flasësh për situatën evropiane. E pastaj kemi edhe rreziqe të përbashkëta. Mjafton të kujtojmë atentatet e përditshme - vijoi akademiku rus - e shtoi: “Përsa i përket Vatikanit, një shtytje serioze për thellimin e marrëdhënieve ishte takimi i Patrikut Kirill me Papën Françesku, në Havanë. Papa është personalitet thellësisht njerëzor e kjo hap perspektiva të mëdha” - përfundoi akademiku Chubarian.








All the contents on this site are copyrighted ©.