2017-06-20 13:58:00

Papa: Don Milani, meshtar, që u dha dinjitet të varfërve


Shtegtar “në gjurmët e dy famullitarëve, që lanë një rrugë të shndritshme, megjithëse të parehatshme, në shërbimin e tyre ndaj Zotit e ndaj Popullit të Hyjit”. Kështu e quajti veten Papa Françesku, i cili, pasi u përkul mbi varrin e don Primo Mazzolari-t, në Bozzolo të dioqezës së Kremonës, shkoi në Barbiana, pranë Firences, për t’u lutur edhe mbi varrin e don Lorenzo Milani-t, meshtarit italian, që mbrojti e promovoi dinjitetin e të varfërve, duke u dhënë atyre zë.

T’u jepet fjala të varfërve, sepse pa fjalë nuk ka dinjitet

“T’u jepet fjala të varfërve, sepse pa fjalë nuk ka dinjitet – përmendi Papa Françesku thënien e don Milanit. E është fjala, që mund t’i hapë udhën pjesëmarrjes së plotë në shoqëri, përmes punës dhe përkatësisë në Kishë, me një fe të vetëdijshme”. U mbushën 50 vjet nga vdekja e këtij meshtari, që dëshmoi se dhurimi i vetvetes për Krishtin realizohet duke takuar vëllezërit në nevojë e aty, ky dhurim shërben për të mbrojtur e promovuar dinjitetin e tyre. “Gjesti, që bëra sot – theksoi Papa Françesku në Barbiana – i përgjigjet kërkesës, që don Lorenzo ia pati bërë shumë herë ipeshkvit të vet, pra, që t’i njihej e t’i kuptohej besnikëria e tij ndaj Ungjillit”. Shkolla, për don Milanin, i cili njihet si edukator, nuk ishte diçka e ndryshme nga misioni meshtarak, por mënyra konkrete për ta kryer këtë mision. T’u japësh zë të varfërve, vlen edhe sot si rrugë emancipimi, theksoi Papa Françesku:

“Kjo, në mënyrën e vet, vlen edhe për kohët tona, në të cilat edhe vetëm zotërimi i fjalës mund të lejojë përzgjedhjen ndërmjet mesazheve të shumta e shpesh konfuze, që reshin mbi ne; mundëson shprehjen e aspiratave më të thella të zemrës, si edhe të dëshirës për drejtësi të shumë vëllezërve e motrave, që presin drejtësi. Në atë humanizim, që duam për çdo njeri në këtë tokë, përkrah bukës, shtëpisë, punës, familjes, bën pjesë edhe zotërimi i fjalës, si mjet lirie dhe vëllazërimi”.

Don Lorenzo na mëson se mund ta duash Kishën me ndershmëri e vërtetësi

Nga Barbiana, Ati i Shenjtë falenderoi të gjithë edukatorët, që kontribuojnë në formimin e brezave të rinj. Është mision i vështirë, tha Papa, por plot dashuri, sepse pa të, askush nuk mund t’u mësojë diçka të tjerëve. Dikush nga meshtarët e pranishëm në takimin me Françeskun, ka qenë në seminar me Don Milanin. Atyre, Papa u tha se bashkëmoshatari “kishte etje për absoluten” e se “don Lorenzo na mëson se mund ta duash Kishën me ndershmëri e vërtetësi, cilësi që mund të krijojnë tensione, por jo çarje dhe braktisje”:

“Me praninë time në Barbiana, me lutjen mbi varrin e don Lorenzo Milani-t, mendoj t’i jap përgjigje dëshirës së nënës së tij: ‘Më intereson – thoshte – që sidomos të njihet meshtari, të dihet e vërteta, të nderohet Kisha edhe për atë, që ka qenë ai në Kishë e Kisha ta nderojë… ajo Kishë, që e bëri të vuajë kaq shumë, por së cilës, ai i dha meshtarinë dhe forcën e asaj feje, që, për mua, mbetet misteri më i thellë i tim biri’”.

Para se të largohej, në përfundim të shtegtimit të tij në varret e don Primo Mazzolari-t, në Bozzolo, dhe të don Lorenzo Milani-t, në Barbiana, Papa Françesku falenderoi dhe bekoi të pranishmit, duke kërkuar lutje, që edhe ai të marrë shembull nga këta “meshtarë të mirë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.