2017-06-20 16:09:00

Karitasi i Shqipërisë feston Ditën Botërore të Refugjatëve


Në Ditën Botërore të Refugjatëve, Caritas-i Shqiptar tërhoqi edhe një herë vëmendjen ndaj dhembshurisë dhe kujdesit, që duhet treguar ndaj atyre, të cilët për shkak të luftës, urisë, dhunës, diskriminimit detyrohen të kërkojnë një jetë më të mirë e më të sigurtë. Caritas-i Shqiptar, në bashkëpunim me UNHCR, Caritas-in Amerikan, Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qeverinë Angleze po zbaton një program, duke u ardhur në ndihmë strukturave shtetërore për të përballuar nevojat në pritjen e refugjatëve. Gjatë vitit 2015- qershor 2017 , më shumë se 2000 refugjatë dhe migrantë kanë udhëtuar nëpërmjet Shqipërisë me shpresën për të shkuar në vendet perëndimore, kryesisht të ardhur nga Siria, Afganistani, Iraku, Pakistani, Irani dhe vende të tjera. Për të parandaluar përballjen e këtyre grupeve, sidomos grave dhe fëmijëve, me sfida si dhuna, trafikimi për qëllime shfrytëzimi të ndryshme dhe për të ofruar shërbime dinjitoze për ta, Caritas-i Shqiptar ka ngritur zyrat e asistencës në Pikat kufitare Gjirokastër, Korçë, Shkodër dhe Kukës, ku me mbështetjen e kongregatave katolike dhe koordinatorëve lokalë asiston të gjithë refugjatët dhe migrantët, që hyjnë në kufi. Caritas-i Shqiptar po punon në:

a) Përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore, ambjenteve të pritjes, higjenës në pikën kufitare Kakavijë,

b) Aktivitete edukuese, krijuese, integruese dhe kulturore për fëmijët dhe gratë, të cilët janë strehuar në qendrën për azilkërkuesit në Tiranë.

c) Trajnime me punonjës të Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kufirit, dhe të strukturave të tjera lokale në Tiranë, Gjirokastër, Shkodër, Kukës dhe Korcë në lidhje me përmirësimin e sistemit të mbrojtjes për grupet e rrezikuara tek refugjatët.

d) Ndërtimin e hapësirave miqësore për fëmijët në qendrat e pritjes me qëllim që fëmijët të kenë mundësi të argëtohen e të përfshihen në aktivitete të ndryshme argëtuese, krijuese dhe sociale pavarësisht situatës së vështirë ku ata ndodhen.

e) Është hartuar një guidë për integrimin social të azilkërkuesve, të cilët janë në procesin e marrjes së statusit në Shqipëri. Guida është një mundësi për njohjen e procedurave ligjore, marrje informacionesh bazike për jetesën në Tiranë, si dhe të informacioneve sociale, kulturore dhe historike. Guida ka si qëllim të lehtësojë dhe orientojë sadopak procesin e integrimit të azilkërkuesve në shoqëri.

f) Shërbime direkte për refugjatët dhe migrantët si: furnizim me ushqim, materiale higjenike, batanije, veshmbathje, ilaçe, ndihmë shëndetësore, shoqërim në ambjentet e spitaleve, mbështetje për bebe dhe fëmijë të vegjël, transport dhe përkthim.

Duke iu përgjigjur thirrjes së Papës Françesku se “Sot, më shumë se kurrë, duhet të radhitemi nga ana e refugjatëve” kemi kremtuar së bashku me refugjatët e me komunitetin e zonës këtë ditë të shënuar. Sot ne qëndrojmë krah tyre, sepse kur njerëzit punojnë së bashku, të gjitha palët fitojnë. Prandaj në Ditën Botërore të Refugjatëve, është momenti për të pyetur veten se çfarë mund të bëjë secili prej nesh për të kapërcyer indiferencën dhe frikën, si edhe për të përqafuar idenë e përfshirjes, të mikpritjes së refugjatëve në komunitetet tona, duke kundërshtuar gjithashtu të gjithë ata që kërkojnë të përjashtojnë e të lënë mënjanë refugjatët dhe migrantët.

Sektori i Migracionit dhe i Antitrafikimit në Caritas Shqiptar








All the contents on this site are copyrighted ©.