2017-06-19 12:32:00

Papa sot u takua me 30 refugjatë, të mikpritur nga dioqeza e Romës


Papa hapi sonte kuvëndimin 2017 të dioqezës së Romës, në kompleksin  e Lateranit, pak hapa larg Bazilikës së Shën Gjonit, katedrale e Romës.  Para se t’u drejtonte të pranishëmve fjalën e hapjes së takimit me temë “Të mos i lëmë vetëm! T’i shoqërojmë prindërit në edukimin e fëmijëve adoleshentë”, në prag të Ditës Botërore të Refugjatit, Françesku u takua me tridhjetë refugjatë të mikpritur nga famullitë romake. Kështu Papa vetë u bë mesazh i mikpritjes, për të treguar konkretisht dhembshurinë e tij ndaj atyre që jetojnë drama, të cilat shpesh lënë gjurmë të pashlyeshme për gjithë jetën.

Sot, rreth orës 18.00, Papa ishte para këtyre njerëzve, në sytë e të cilëve  lexohej trishtimi e dhimbja, por njëkohësisht edhe një gëzim i papërshkrueshëm për këtë takim të papërfytyruar. Takimi tregoi sesa për zemër i ka Kisha e Romës njerëzit e varfër, të munduar, të detyruar të marrin rrugët e botës për ta ruajtur, për ta shpëtuar e, mundësisht, edhe për ta përmirësuar jetën. E këtë e kuptuan mirë 38 famullitë dhe institutet fetare që, deri tani, kanë strehuar 121 vetë: 57 gjatë periudhës së parë e 64, gjatë së dytës, duke u nisur nga thirrja që u drejtoi Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 6 shtatorit 2015. Kjo thirrje, e dalë nga zemra, u kuptua mirë e pati jehonën e duhur. E dëshmuan më se 135 telefonatat, gatishmëria mikpritëse e 20 familjeve si dhe njerëzit, që u takuan me Papën, dëshmi e solidaritetit të mishëruar. E ishte pikërisht ky solidaritet, që u konkretizua sot para Papës Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.