2017-06-19 13:18:00

Londra: furgon mbi turmën, që dilte nga xhamia. Pistë terroriste


Britania e Madhe edhe një herë në ankth. Në zemër të Londrës, në ditën e fillimit të bisedimeve për Brexit, kthehet frika. Kësaj radhe, në shënjestër ishin myslimanët e xhamisë së Finsbury Park, mbi të cilët, gjatë natës së djeshme, u vërsul një furgon, menjëherë pas namazit të teravive, në muajin e Ramazanit. Së paku, një viktimë dhe 8 të plagosur.

         Policia po bën hetime për “një sulm të mundshëm terrorist”. Kështu u shpreh kryeministrja angleze, Theresa May, para mbledhjes së komitetit të emergjencës. Sipas dëshmitarëve, furgoni i hodhi njerëzit mbi rrugë e pasi u ndal, turma e zemëruar gati sa nuk e linçoi shoferin, i cili, më pas, u arrestua. Scotland Yard foli për një 48-vjeçar, por nuk dha detaje të tjera. Fillimisht mendohej se ishte fjala për një “aksident tragjik”, ndërsa kryetari i bashkisë, Sadiq Khan, është i bindur se kemi të bëjmë me një sulm terrorist kundër vlerave të përbashkëta të tolerancës, respektit dhe lirisë.

         Nga ana tjetër, Muslim Welfare House (Shtëpia Myslimane e Asistencës), që ndodhet pikërisht në të njëjtën rrugë me xhaminë, dënon çdo akt urrejtje, që synon ta përçajë bashkësinë dhe kërkon qetësi. “Kemi punuar shumë, prej dhjetra vitesh, këtu në Finsbury Park, për të krijuar një bashkësi paqësore e tolerante – lexohet në notën e qendrës. Në këtë çast kërkojmë qetësi. Spekullimet nuk e ndihmojnë çështjen. Nevojitet çdo përpjekje për t’u siguruar drejtësinë viktimave dhe për ta mbajtur bashkësinë të ndryshme, tolerante e mikpritëse, siç e njohim”.

         Xhamia e Finsbury Park është famëkeqe, sepse gati dhjetë vjet më parë, aty predikonte kundër Perëndimit, imami egjiptian, Abu Hamza, i cili u dënua me burgim të përjetshëm, në vitin 2005.

         Ndërkaq, Londra i ka akoma sytë e ngulur në Kensington, ku policia mendon se numri i viktimave në Grenfell Tower do të jetë më i lartë se ai aktual, që ka arritur në 79. Qeveria ka caktuar që sot rreth 6 mijë euro për çdo familje, që ka humbur gjithçka gjatë djegjes së ndërtesës. Të shumta, protestat kundër kryeministres May, e impenjuar gjatë këtyre orëve në fillimin e bisedimeve formale me Brukselin, për shkëputjen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.








All the contents on this site are copyrighted ©.