2017-06-18 14:39:00

Vatikani: të thellohet çështja e shkishërimit për të korruptuarit dhe mafiozët


Më 15 qershorin e kaluar u mbajt, në Vatikan, i pari “debat ndërkombëtar për korrupsionin”, ndërmjet anëtarëve aktualë të një këshillimi të Dikasterit për Shërbimin e Gjithanshëm Njerëzor, kushtuar kësaj problematike globale, edhe në ndërthurjen e saj me mafiet dhe krimin e organizuar. Në takimin, zhvilluar në bashkëpunim me Akademinë Papnore për Shkencat Shoqërore - njofton një komunikatë e dikasterit -  morën pjesë rreth 50 gjykatës kundër mafies e korrupsionit, ipeshkvij, personalitete, gazetarë, studiues, intelektualë si dhe disa ambasadorë.

Lufta kundër korrupsionit e mafieve - u nënvizua - nuk është thjesht çështje ligjshmërie, por kryesisht, çështje qytetërimi. Kardinali Peter Turkson e motivoi kështu këtë takim: “E menduam, për t’i bërë ballë një fenomeni, që synon ta shkelë, ta mohojë, ta pengojë dinjitetin e njerëzve. Prej këndej, na përket ne, me këtë dikaster, të punojmë për ta mbrojtur e për ta vënë në vendin që i takon, respektin për dinjitetin e njeriut. Prandaj kërkojmë të tërheqim vëmendjen mbi këtë argument”.

Kryeipeshkvi Silvano Maria Tomasi shpjegoi se objektivi është të sensibilizohet opinioni publik, të përcaktohen hapat konkrete, që mund të ndihmojnë për të arritur tek politikat dhe ligjet e mundshme, të cilat e parandalojnë korrupsionin. Korrupsioni është si tenjë – nënvizoi prelati - që depërton në proceset e zhvillimit për vendet e varfra e të pasura, duke i rrënuar marrëdhëniet ndërmjet institucioneve dhe njerëzve. Prandaj përpjekja që po bëjmë, synon në krijimin e një mendësie, të një kulture e të një drejtësie, që i kundërvihet korrupsionit e vihet në shërbim të së mirës së përbashkët

Grupi - përfundon komunikata – po përgatitet për hartimin e një teksti,  që do t’u prijë punimeve të mëvonshme dhe nismave të ardhshme. Ndërmjet tyre, shënohet nevoja për t’u thelluar, në nivelin ndërkombëtar e të doktrinës juridike të Kishës, çështja lidhur me shkishërimin për korrupsion e pjesëmarrje në grupet mafioze.  








All the contents on this site are copyrighted ©.