2017-06-18 13:36:00

Papa Françesku: jemi nga ana e refugjatëve: t’i pranojmë pa frikë


T’i pranojmë refugjatët pa frikë e duke i mundur ideologjitë e shtrembra! Për këtë bëri thirrje Papa Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Solemnitetin e Corpus Domini. Papa vuri theksin mbi forcën që mund të gjejë çdo i krishterë në Eukaristi. Së fundi, kujtoi se të martën e ardhshme do të shkojë në Bozzolo e Barbiana  për t’i bërë homazh Don Mazzolarit e Don Milanit.

“Sot, më shumë se kurrë, duhet të radhitemi nga ana e refugjatëve”. Këtë pohoi Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot, me rastin e Ditës ndërkombëtare të refugjatit, organizuar nga OKB-ja, që do të kremtohet më 20 qershor.

T’i takojmë refugjatët për t’i mundur frikën dhe ideologjitë e shtrembra

Duhet t’i ndjekim me vëmendje të veçantë - kujtoi Papa - gratë, burrat, fëmijët, që ikin nga konfliktet, nga dhuna, nga persekutimi:

“I kujtojmë në lutje edhe ata, që  humbën jetën në det ose në shtegtimet raskapitëse udhëve. Historitë e tyre të dhimbjes e të shpresës mund të shndërrohen në mundësi për takime vëllazërore e njohje të vërtetë reciproke. Takimi personal me refugjatët i zhduk frikën dhe ideologjitë e shtrembra dhe bëhet faktor rritjeje njerëzore, i aftë për t’ia hapur zemrën tjetrit  e për të ndërtuar ura”.

Para thirrjes për mikpritjen e refugjatëve, Papa u ndalua tek domethënia e Solemnitetit të Korpit e Gjakut të Krishtit. Françesku nënvizoi se të ushqehesh me Jezusin në Eukaristi, “do të thotë edhe të lëshohesh me besim të plotë në krahët e Tij e ta lësh të të prijë”.

Në Eukaristi, Jezusi na jep forcë shpirtërore për ta ndihmuar tjetrin

Në këtë mënyrë - shtoi Papa - dashuria falas, që e morëm nga Krishti në Kungim, përmes veprës së Shpirtit Shenjt, e ushqen dashurinë tonë për Zotin e për vëllezërit, që i takojmë në udhën e përditshme:

“Kjo prani solidare e Birit të Zotit është kudo, në qytete e fshatra, në Veri e në Jug të botës, në vende të traditës së krishterë e në ata të ungjillëzimit të parë. E, në Eukaristi Ai dhuron vetveten si forcë shpirtërore për të na ndihmuar ta vëmë në jetë urdhërimin e Tij - të duhemi, si na deshi Ai – duke ndërtuar bashkësi mikpritëse, të gatshme për t’iu përgjigjur nevojave të të gjithëve, posaçërisht të njerëzve më të brishtë, më të varfër, më nevojtarë”.

Paqe për Republikën Qendrafrikane

Në çastin e përshëndetjeve, Papa kujtoi posaçërisht një grup besimtarësh nga Republika Qendrafrikane, duke uruar që, me ndihmën e Zotit e me vullnetin e mirë të të gjithëve, të realizohet e të fuqizohet gjithnjë më shumë procesi i paqes, kusht i nevojshëm për zhvillimin e vendit.

Të martën, vizita tek varret e Don Milanit e Don Mazzolarit

Së fundi, mendimi për vizitën private, por me vlerë të madhe për Kishën italiane, të së martës së ardhshme:

“… do të shtegtoj në Bozzolo e Barbiana, për të nderuar kujtimin  e Don Primo Mazzolarit e të Don Lorenzo Milanit, dy meshtarëve që na ofrojnë një mesazh, për të cilin kemi shumë nevojë. Edhe në këtë rast i falënderoj të gjithë ata, e posaçërisht meshtarët, që do të më shoqërojnë me lutjen e tyre”.








All the contents on this site are copyrighted ©.