2017-06-15 14:37:00

Papa: korrupsioni, kancer që vret njeriun dhe shoqërinë


Është “gjuha më e zakonshme” e mafies, “proces vdekjeje”, që cënon bashkëjetesën ndërmjet njerëzve, favorizon krimin dhe në fund të fundit, ia shkatërron jetën edhe autorëve. Ky është korrupsioni sipas Papës Françesku, që flet për këtë plagë shoqërore në parathënien e librit-intervistë të kardinalit Peter Turkson, me titull “Korrozion”, për të cilin është kujdesur filozofi italian Vittorio V. Alberti. E pikërisht sot, në Vatikan, u hap Debati ndërkombëtar mbi korrupsionin, organizuar nga Dikasteri për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, në bashkëpunim me Akademinë Papnore të Shkencave Shoqërore.

        Në parathënien e librit, Papa luan me fjalën “i korruptuar”, që në italisht është “corrotto”, apo “cuore rotto” (zemër e prishur), siç e komenton Ati i Shenjtë. “Zemër e thyer, e njollosur, e dekompozuar”, ashtu si kufoma që kalbet. Një fjalë pas tjetrës, fenomeni i korrupsionit shpërbëhet në metastaza, në prozën e Papës. Ato ndikojnë si në gjendjen e brendshme të njeriut, ashtu edhe në shoqërinë ku ai bën pjesë.

Françesku niset nga “tri marrëdhënie”, që karakterizojnë jetën e njeriut: ajo me Zotin, ajo me të afërmin dhe ajo me ambientin. Kur njeriu është i ndershëm, nënvizon, i jeton këto marrëdhënie me përgjegjësi, duke pasur parasysh të mirën e përbashkët. Përkundrazi, njeriu i korruptuar bie tepër poshtë në sjelljen e qëndrimin e tij kundër shoqërisë, aq sa këto marrëdhënie nuk kanë më asnjë vlerë. Bien shtyllat-bazë të bashkëjetesës së njerëzve dhe interesi vetjak vepron si helmi, që ndot çdo perspektivë të përgjithshme.

         “Korrupsioni qelbet”, pati thënë para disa vjetësh Papa Françesku, gjatë vizitës së tij në lagjen Scampia të Napolit. E, edhe në parathënien e librit, thekson të njëjtin koncept. I korruptuari mban erë të keqe, sepse e ka zemrën të kalbur - zanafilla e shfrytëzimit, degradimit, padrejtësisë shoqërore, mospërfilljes së meritave profesionale, mungesës së shërbimeve për njerëzit. Këtu, sipas Atit të Shenjtë, gjenden rrënjët e skllavërisë, të moskujdesit për qytetet, për të mirën e përbashkët e për natyrën.

        Korrupsioni, përsërit me forcë Papa Françesku, është një “formë blasfemie”, “është arma, gjuha më e zakonshme e mafies”, “proces vdekjeje, që ushqen limfën e kulturës së vdekjes”, karakteristike për kriminelët. E kështu, edhe imagjinimi i së ardhmes bëhet i vështirë, sepse korrupsioni minon “shpresën” në një përmirësim të mundshëm. E Papa, duke vlerësuar analizën e kardinalit Turkson në libër, e paralajmëron Kishën nga forma e saj më e rrezikshme e korrupsionit, nga “mondaniteti shpirtëror”, nga “vakësia, hipokrizia, triumfalizmi”, nga “ndjenja e indiferencës”.

         Papa përfundon, duke kujtuar bukurinë absolute të vendeve brenda Vatikanit, nga të cilat shkruan këtë parathënie. Dhe e quan bukurinë jo ndonjë “aneks kozmetik”, por diçka, që vë në qendër të vëmendjes njeriun. “Kjo bukuri – pohon Ati i Shenjtë – duhet të bashkohet me drejtësinë”. Korrupsioni duhet kuptuar e denoncuar që mëshira të mbizotërojë mbi mendjengushtësinë, kurioziteti dhe krijimtaria mbi dorëzimin nga lodhja. I korruptuari harron “të kërkojë falje”, nënvizon së fundi Papa, sepse është i ngopur, indiferent e plot me vetveten. Kisha dhe të krishterët, por edhe jo të krishterët, e mbyll Ati i Shenjtë parathënien e librit të kardinalit Turkson, mund të bashkohen si “flokët e dëborës” që pastaj krijojnë, të bashkuar, “ortekun e një ‘humanizmi të ri’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.