2017-06-14 18:35:00

Atë Lorenci Gavran: Shëna Ndou na mëson dashurinë e Zotit për njeriun


Figura e shën Antonin të Padovës, predikatar i shquar e pajtor qiellor i të varfërve e atyre që vuajnë, u nderuar nga besimtarët natën më 12 e ditën e festës më 13 qershor. Këtë e dëshmoi edhe prania e shumënumërt e shtegtarëve në shenjtërore e Kisha kushtuar Shenjtit. Edhe në trevat shqiptare Shna Ndou u kremtua me solemnitet e përshpirtëri, posaçërisht në Laç në Shqipëri e në Gjakovë në Kosovë. Mbi këtë të fundit flasim me françeskanin Atë Lovro Gavran në mikrofonin e Radio Vatikanit............

Si kaloi festa e Shna Ndout në Gjakovë?

Si 13 të martet e shën Antonit, po ashtu edhe vetë festa, kaluan shumë mirë dhe bukur. Zoti na ka dhënë hirin që asnjë prej këtyre ditëve meshën nuk e ka penguar shiu, megjithëse në këtë pranverë shpeshherë binte shi, kështu që patëm mundësi që çdo të martë ta kremtonim meshën në oborrin e kishës së shna Ndout. Gjatë 13 të marteve çdo herë meshën e ka kremtuar e ka predikuar një tjetër meshtar, pra, jo nga famullia e Gjakovës. Prandaj populli mund të dëgjonte shumë predikatarë të mirë – disa prej tyre për të parën herë, si p. sh. meshtarët e rinj të vitit të kaluar.

Një orë para çdo meshe, po edhe gjatë meshëve, besimtarët patën mundësi për sakramentin e pajtimit me Zotin. Rrëfeheshin shumë besimtarë, kështu që 7-8 meshtarë rrëfyes çdo të martë kishin mjaft punë edhe para, edhe gjatë meshës.

Kush i ka kremtuar meshët për festë?

Natën e Shna Ndout, të hënën në mbrëmje, më 12 qershor, në orën 19, meshën e kremtoi p. Anton Nua, i cili në fillim të meshës e bekoi mozaikun e ri të shna Ndout, që gjendet në altarin e jashtëm në oborr të kishës, të cilin e kanë bërë artistët tashmë të njohur shqiptarë, Eduard dhe Albana Sinaj pak ditë para kësaj feste.

Në program të kremtimit sipas traditës kemi edhe adhurimin e të Shenjtërueshmit Sakrament, nga ora 21 deri në 22.

Ditën e festës patëm katër meshë:

në orën 7 meshën e kremtoi p. Ambroz Ukaj;
në orën 9 – p. Ndue Kajtazi, guardian dhe famullitar i Gjakovës;
meshën kryesore në orën 11 e kremtoi p. Aleksandër Tanushi, guardian dhe famullitar i Bajzës;
kurse kremtimi i festës përfundoi me meshën e mbrëmjes, në orën 18, të cilën e tha p. Lovro Gavran.

Përveç predikimeve të zakonshme për jetën, predikimet, veprat dhe mrekullitë e shna Ndout, disa predikatarë e theksuan edhe faktin se duhet t’i falënderojmë Zotit sepse deshi që Kosova ta fitonte lirinë pikërisht ditën e shna Ndout, para 18 vjetëve. A ishte edhe kjo një prej mrekullive të shna Ndout për nderuesit e tij, apo thjeshtë vullneti i Zotit dhe Provania e tij, nuk e dimë, po e falënderojmë Zotin për këtë dhuratë.

Si e priti dhe si e kremtoi populli këtë festë?

Populli, si zakonisht, festën e shna Ndout e pret me gëzim dhe me përshpirtëri të madhe. Shumica e besimtarëve janë rrëfyer për këtë festë – edhe pse ishin rrëfyer edhe për Pashkë. Një numër i madh ka ardhur në meshë për 13 të marte, edhe prej së largu. Një numër i bukur i besimtarëve vullnetarisht ka agjëruar 13, apo së paku disa të marte të shna Ndout.

Për festë na kanë ardhur rreth 100 shtegtarë nga Prizreni – këmbë, sikurse e kanë traditë. U nisën Natën e festës në orën 19 – së bashku me kapelanin e vet, don Alfred Sokolin, udhëtonin krejt natën, e në mëngjes rreth orës 5 arritën në Shenjtërore.

Shtegtarët erdhën edhe nga Peja, Zllakuqani, Zymi dhe nga të gjitha famullitë e afërme. Na ka ardhur një minibus i shtegtarëve edhe nga Shkodra, së bashku me m. Cristiana Basso (Motër françeskane misionare e Zemrës së Krishtit). Erdhën nga të gjitha skajet e Kosovës, si edhe shumë të tjerë nga bota e jashtme – para së gjithash shqiptarët katolikë, por edhe kombe dhe religjione tjera, sepse shenjtin shna Ndue e nderojnë të gjithë, pa dallim feje dhe kombësie. Faleminderit Zotit!

Zoti i bekoftë dhe shenjti shna Ndue u ndihmoftë të gjithëve!

(Për RV – Don David Gjugja)  

(LG, 14.06.2017)  








All the contents on this site are copyrighted ©.