2017-06-09 00:00:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës kushtuar festës së Trinisë Shenjte ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të dielës, që kësaj radhe liturgjia e së Dielës përkon me festën e Trinisë Shenjte.  

Pas festën së Rrëshajëve, të dielën e kaluar, me të cilën u mbyll cikli i kohës së Pashkëve, me këtë të diele, Kisha e fillon ciklin tjetër kohor të kalendarit liturgjik, të quajtur “Gjatë Vitit” dhe, menjëherë na propozon festën më të Madhe e më të mistershme të fesë sonë të krishterë: festën e Trinisë Shenjte Hyjnore. Këtu mund ta dëgjoni programin tonë radiofonik kushtuar liturgjisë së Fjalës së Zotit të Solemnitetit të Trinisë Shenjte..

Kështu pra, si gjithmonë, edhe kësaj here bashkohemi nëpër Kisha e në vende tjera në lutje e në kremtim të Meshës, në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjtë, për ta dëgjuar e medituar Fjalën Hyjnore të Zotit Trini. E tërë jeta tokësore e Jezu Krishtit ka qenë shfaqje e misterit më të bukur, më të thellë , më të pashqyrtueshëm të Hyjit: e ky mister është Ati, Biri e Shpirti Shenjtë = Një natyrë e vetme Hyjnore në Tri vetje ( në tre persona).

Përmes festës së Trinisë Shenjte Kisha na propozon të vërtetën e fesë: Hyji Atë e ka dërguar në botë të Birin e Vet, Fjalën e së Vërtetës, Jezu Krishtin, dhe Shpirtin Shenjtë shenjtërues, për të na bërë pjesëmarrës të jetës së tij Hyjnore.  Hyji Atë, bashkë me të Birin e Tij Jezus, Njëlindurin dhe me Shpirtin Shenjtë, janë Një Zot i vetëm në Trininë e vehtjeve dhe në Njininë e natyrës. Ai na ka zbuluar këtë mister përmes Jezus Krishtit, e ne besojmë dhe dëshmojmë fenë tonë në Hyjin e vërtetë e të përjetshëm, rrëfejmë Njëninë e Natyrës dhe Barazinë e madhërisë së Trinisë Hyjnore.

E leximet biblike të liturgjisë së këtij solemniteti pohojnë se Zoti është Trini Dashurie për t’u besuar, për t’u dëgjuar e për t’u pranuar në jetë.  Zoti ynë është Zot “bashkësi”; Ai do që ne ti bashkohemi Atij e në të njëjtën kohë na thërret të jemi në bashkim edhe me të gjithë vëllezërit e të afrimit tanë. 

Hyji Atë e ka dërguar në botë të Birin e Vet, Fjalën e së Vërtetës, Jezusin, dhe Shpirtin Shenjtë shenjtërues për të na bërë pjesëmarrës të jetës së tij Hyjnore. E, Kisha na mëson, qysh në fëmijëri, që me shenjën e Kryqit, do të thotë në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt Zot të fillojmë e përfundojmë çdo ditë, çdo vepër, çdo punë me shenjën e kryqit, që do të thotë gjithçka të fillojmë e të mbarojmë në Emër të Shenjtënueshmes Trini Hyj.

Pra, në shenjën e Kryqit ne përkujtojmë misterin e Njësisë e Trinisë së Hyjit, dhe misterin e mundimeve, të vdekjes e ngjalljes së Jezusit Zot. Edhe kremtimi më solemn liturgjik, që është kremtimi i Meshës shenjte, Eukaristia, fillon në emër të Shenjtënueshmes Trini Hyjnore. Meshtari u drejtohet besimtarëve me këto fjalë: “Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit Atë dhe bashkimi i Shpirtit Shenjtë “ (qofshin përherë me ne).

“Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëllimit tonë, të ngjashëm me ne”, thotë Zoti në momentin e krijimit të Adamit. Në të gjithë prindërit e botës ekziston dëshira për të parë në fytyrën e fëmijëve tiparet e veta. Mirëpo ne nuk jemi shëmbëllim – imazh i Zotit për tiparet “fizike” që kemi – për kokën, duart e këmbët – sepse Zoti nuk ka trup.

Secili është i krijuar në shëmbëllim të Zotit sepse është i pajisur me inteligjencë, me mendje, me vullnet, me shpirt. Por më shumë se sa njeriu si individ, është familja ajo që i pasqyron tiparet trinitare: babai, nëna, fëmija: janë tre persona të ndryshëm, e megjithatë janë një familje e vetme, një gjë e vetme në dashuri. Zoti, në të vërtetë, është Familje, është Dashuri. Po, o Zot, Ti je Dashuria, e Vërteta dhe Jeta. “Zoti është dashuri”; kjo fjalë përmbledh gjithë zbulesën e Hyjit. E Dashuria është gjithnjë mister, e vetëm duke hyrë në këtë dashuri, njeriu gjen të vërtetën e vet e lumturinë e vet.


                                                               Liturgjia e Fjalës 

Leximi i parë   Dal 34, 4-6.8-9

Moisiu ngjitet drejt malit të Zotit për të gjetur një fjalë të sigurt se do të ruajë bashkimin në popull e do t’i japë paqe zemrës së tij.  Ngjitet drejt Hyjit me dy rrasa guri, që Hyji të shkruante Fjalën e tij, por Hyji që takon nuk kënaqet thjesht me vënien në praktikë të Ligjit: Hyji shfaqet si një Hyj plot me mëshirë dhe dashuri.

Lexim prej Librit të Daljes

Në atë kohë, Moisiu i latoi dy rrasa si të parat; u çua herët në mëngjes e u ngjit në malin Sinaj me dy rrasat në dorë sikurse i kishte urdhëruar Zoti. Atëherë Zoti zbriti në re. Moisiu u ndal aty, ngjat tij dhe e thirri emrin e Zotit. Zoti kaloi përpara tij e shpalli: “Jahuè, Zoti, Hyji i mëshirshëm e i butë, i durueshëm e shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë.” Moisiu ra vrik me fytyrë për dhe, adhuroi e tha: “O Zot, nëse kam gjetur hir para syve të tu, po të lutem, udhëto me ne. Njëmend, është një popull zverkngurtë, por ti na i fal fajet tona e mëkatet e na prano për pronën tënde.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

 

Psalmi Dn 3, 52-56

Ty, o Zot, të qoftë lavdi e nder në shekuj

I bekuar je, o Zot,

Hyji i etërve tanë.

I bekuar emri i shenjtë

i lavdisë sate.

 

I bekuar je në Tempullin

e lavdisë sate të shenjtë.

I bekuar je në fronin

e mbretërisë sate.

 

I bekuar je, ti që shqyrton

humnerat e që rri mbi kerubinë.

I bekuar je në kupën qiellore.

 

Leximi i dytë

Ja cila duhet të jetë atmosfera e bashkësisë liturgjike: gëzim, vëllazërim, ndihmë e ndërsjellët në bashkim me tre vetat hyjnore.  Nëse ndërtojmë këtë klimë në kremtimet tona eukaristike do të zbulojmë bukurinë e puthjes së të krishterëve të parë që shprehte gëzimin e të qëndruarit së bashku.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Më në fund, o vëllezër, gëzohuni! Mos pushoni të përmirësoheni! Ngushëllohuni dhe jini në përkim njëri me tjetrin! Jetoni në paqe, e Hyji, prej të cilit buron dashuria e paqja, do të jetë me ju. Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë! Ju bëjnë të fala të gjithë shenjtërit. Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit Atë, dhe bashkësia me Shpirtin Shenjt, qoftë me ju të gjithë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

 

Aleluja. Aleluja. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt: Hyjit që është, që ishte dhe që po vjen.  Aleluja

 

Ungjilli   Gjn 3, 16-18

Nikodemi, ashtu si të gjithë hebrenjtë priste Mesinë, njeriun e fortë që do të bënte drejtësi dhe do të gjykonte botën me fuqi.  Por, Jezusi i paraqitet atij si Mesia që pranon të jetë i gjykuar, më parë se të gjykojë.  Ai erdhi nga qielli të shpëtojë dhe jo të dënojë.  Gjykimi i vërtetë nuk vjen nga jashtë, por nga raporti personal që secili ka me të vërtetën e Hyjit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë Jezusi i tha Nikodemit: “Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur. Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të. Kush beson në të nuk dënohet, ndërsa kush nuk beson, ai është dënuar që tani, pse nuk besoi në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.