2017-06-09 12:35:00

Kardinali Marx: “Shumica e myslimanëve dëshiron të jetojë në paqe”


Kryetari i ipeshvijve gjermanë komentoi, gjatë një kuvëndimi mbajtur në Luksemburg, atentatet e kohëve të fundit:” Janë të shumta luftërat e shoqëruara nga feja - kujtoi - por duhen dalluar mirë. Nuk duhen futur të tëra në një thes”- theksoi.

“Shumica e myslimanëve dëshiron të jetojë në paqe”. Përballë fakteve tejet të rënda të kohëve të fundit lidhur me terrorizmin islamik, kardinali Reinhard Marx tërheq vëmendjen për t’iu shmangur përgjithësimeve të nxituara. Kryetari i Konferencës ipeshkvnore gjermane (Dbk) - njofton agjencia Sir - foli në një kuvëndim mbajtur në Luksemburg, e pikërisht në Echtenach.

Sipas Prelatit të lartë, është më se e qartë që pjesa më madhe e sulmeve terroriste vërehet në vendet myslimane, e jo në Perëndim, e njëkohësisht kritikoi  faktin se vende si Arabia Saudite dhe Qatari kanë toleruar, e madje edhe kanë nxitur, synimet ekstremiste islamike. Për kardinalin Marx, toleranca dhe hapja e dialogut mbeten detyrë shoqërore themelore: “Do të kalojë  shumë kohë, para se procesi të realizohet plotësisht, por ne duhet të vijojmë të marrim pjesë në të. E mendoj se të krishterët janë të mirëpërgatitur për këtë”.

Kryeipeshkvi, anëtar i K9 (Grupit të nëntë kardinajve këshilltarë të Papës), shtoi: “Askush nuk mund ta mohojë se është ushtruar dhe se ushtrohet dhunë në emër të fesë, as se një mori luftërash u shoqëruan nga feja, por duhet t’i dallojmë mirë, sepse feja nuk është e njëjtë. Për kardinalin, “është çështje themelore për ardhmërinë e njerëzimit që fetë të japin ndihmesën e tyre për paqen”

Në kuvëndim mori pjesë edhe kryetari i nderit i kishave ungjillore të Gjermanisë (ekd), ipeshkvi Wolfgang Huber, i cili pohoi se “nuk duhet vënë shenja e barazimit ndërmjet islamit e islamizmit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.