2017-06-07 17:35:00

Venezuela: ipeshkvijtë, Maduro e manipulon figurën e Papës


 “Nicolas Maduro dëshiron ta paraqesë Papën si mik të qeverisë, por ipeshkvijtë e vendit nuk e pranojnë këtë manipulim, për të treguar se ndjehen shumë pranë popullit venezuelan, i cili po vuan tepër e, sidomos, se janë shumë të bashkuar me Atin e Shenjtë”. Është ky pohimi i kardinalit  Jorge Urosa Savino, kryeipeshkëv i Karakasit. Në një intervistë dhënë Radio Vatikanit, në prag të takimit të Papës me Konferencën ipeshkvnore venezuelane, imzot Urosa thekson: “Maduro e ka humbur mbështetjen popullore e, prandaj edhe ka hartuar projekt-kushtetutën, që u kundërvihet interesave të të gjithëve, posaçërisht, të më të varfërve”

Kardinali nënvizon se rrugëdaljet nga kjo situatë politike mbeten ato që skicoi sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, dhjetorin e kaluar: kanal humanitar për ushqimin dhe ilaçet, kthim i pushtetit në duart e Parlamentit, lirim i të burgosurve politikë, kalendar elektoral demokratik:

“Bashkësia ndërkombëtare duhet ta shikojë nga afër e ta njohë mirë situatën, që çdo ditë bëhet më kritike, më e dhunshme, në një vend ku njerëzit po vdesin nga uria. E ta bëjë qeverinë të kuptojë se duhet t’i zgjidhë këto probleme. Nëse nuk është në gjendje t’i zgjidhë, duhet të japë dorëheqjen e t’i hapë rrugën zgjedhjeve për një president të ri”- përfundon imzot Urosa.








All the contents on this site are copyrighted ©.