2017-06-07 13:17:00

Papa: “Atësia e Zotit, burim i shpresave tona”


Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa Françesku, duke vijuar katekizmin kushtuar shpresës së krishterë, theksoi: “Atësia e Zotit është burim i të gjitha shpresave tona”. 

Papa, pra, foli përsëri për shpresën e krishterë, duke u ndaluar posaçërisht tek Atësia e Zotit.  Revolucioni i vërtetë i krishterimit - theksoi - është thirrja e Zotit me emrin Atë. E përqendroi, prandaj, katekizmin mbi “Atynën”, lutja e mirëfilltë e krishterë, ajo, që ua mësoi vetë Jezusi dishepujve të vet, e me ta, edhe ne:

“I gjithë misteri i lutjes së krishterë përmblidhet këtu, në këtë fjalë: të kesh guximin ta thërrasësh Zotin me emrin Atë. E pohon edhe liturgjia kur, duke na ftuar ta themi bashkërisht lutjen e Jezusit, përdor shprehjen: ‘Marrim guximin të themi’”.

Në të vërtetë, kjo thirrje e Zotit me emrin “Atë”, nuk na e mbush shumë mendjen. Dëshirojmë të përdorim tituj më të lartë, që na duket se e respektojnë më shumë transhendencën e Tij. Ndërsa, kur i lutemi si “Atit”, krijojmë marrëdhënie mirëbesimi me Të, ndjehemi si fëmija, që i drejtohet  atit, duke e ditur se do ta dojë e do ta përkujdesë. Ky është revolucioni i madh, që krishterimi e ngulit në psikologjinë fetare të njeriut. Është misteri i Zotit, që vijon të na mahnitë gjithnjë e të na bëjë ta ndjejmë veten të vegjël, por nuk na tremb më, nuk na ndrydh, nuk na mbush me ankth. Revolucion i vështirë për t’u pranuar në shpirtin tonë njerëzor! Aq është e vërtetë, sa deri në rrëfimet kushtuar Ngjalljes së Krishtit thuhet se gratë, pasi e panë varrin bosh dhe engjëllin “ikën me vrap”, sepse u pushtuan nga frika e nga mahnitja (Mk 16,8). Po Jezusi na tregon se Hyji Atë është i mirë e na thotë edhe “Mos kini frikë!”.

Në shëmbëlltyrën  e Atit të mëshirshëm, shikojmë Zotin Atë

Jezusi - vijoi Papa - na tregon shëmbëlltyrën e Atit të mëshirshëm (krh Lk 15,11-32). Flet për një atë, që di të jetë vetëm dashuri për bijtë e vet. Atë, që nuk e dënon të birin për arrogancën e tij, që ia jep menjëherë pjesën e trashëgimit dhe e lë të ikë lirisht nga shtëpia:

“Zoti është Atë, na kujton Jezusi, por jo në mënyrë njerëzore, sepse nuk ka asnjë atë në këtë botë, që do të mund të sillej si protagonisti i kësaj shëmbëlltyre”.

Zoti është atë në mënyrën e vet: i mirë, i pambrojtur përballë vullnetit të lirë të njeriut, i aftë vetëm për ta zgjedhuar foljen “me dashtë”. Kur djali rebel, pasi e shkapëderdh gjithçka, rikthehet më në fund në shtëpinë atërore, i ati nuk zbaton kriteret e drejtësisë njerëzore por, mbi të gjitha, ndjen nevojën ta falë e, me përqafimin e tij, e bën  të birin të kuptojë se i kishte munguar shumë e dhimbshëm dashurisë së tij prej ati gjatë gjithë kohës kur ishte larg strehës atërore.

“Ç’mister i pashqyrtueshëm është një Zot, i cili ushqen këtë tip dashurie ndaj të bijve” - komentoi Papa Françesku. Një Atë, të cilit Shën Pali Apostull nuk vendos t’ia përkthejë në greqisht emrin, që Jezusi, në aramajkshe, e shqiptonte “abba”. Dy herë rresht Shën Pali, në letërkëmbimin e tij  e prek këtë temë, e dy herë rresht e lë këtë fjalë ashtu si pati dalë nga buzët e Jezusit “abba”.

Ne nuk jemi vetëm, kemi një Atë që na shikon e nuk na braktis

Ky - ripohoi - është mister i madh. Nuk jemi kurrë vetëm. Mund të jemi të largët, kundërshtarë, mund ta shpallim haptas edhe se jemi “të pa zot”. Po Ungjilli i Jezu Krishtit na kujton se Zoti nuk mund të rrijë pa ne: Ai nuk do të jetë kurrë Zot “pa njeriun”. Kjo siguri është burim i shpresës sonë,  që e gjejmë të ruajtur në të gjitha lutjet drejtuar Atit tonë.

“Kur kemi nevojë për ndihmë, Jezusi nuk na fton të dorëzohemi e të mbyllemi në vetvete, por t’i drejtohemi Atit e t’ia kërkojmë Atij, me besim të plotë. Të gjitha nevojat tona, që nga ato më të ngutshmet e më të përditshmet, si buka, gjella shëndeti, puna e deri te dëshira për t’u falur e për të gjetur ndihmë në çaste tundimesh, nuk pasqyrojnë vetminë tonë: pranë nesh është Ati, që na  shikon gjithnjë me dashuri e që sigurisht nuk na braktisë kurrë!" 

Françesku, në përfundim, i ftoi besimtarët t’i luten Atit sa herë që kanë probleme a nevoja; të mendojnë për Atin, që nuk mund të jetë pa ne e që në çastin e vështirë na shikon, gati për të na dhënë ndihmë.








All the contents on this site are copyrighted ©.