2017-06-04 18:27:00

Papa: Kisha është misionare, bota ka nevojë për Ungjillin


“Bota ka nevojë për Ungjillin e Jezusit”. Këtë pohon Papa në mesazhin për Ditën Misionare Botërore, që do të kremtohet më 22 tetorin e ardhshëm. Françesku, në tekstin e botuar dje, kujton forcën shndërruese të Ungjillit dhe nxit të rriten zemra misionare. Shpirti Shenjt - u lut Françesku në Mbretëreshën Qiellore - e mbështetët misionin e Kishës në mbarë botën dhe u dhashtë forcë të gjithë misionarëve dhe misionareve të Ungjillit.

Ditë për të reflektuar mbi misionin, në zemër të fesë së krishterë. Është ftesa e Papës në Mesazhin për Ditën e ardhshme Misionare Botërore, në kalendar, më 22 tetor, sepse - shkruan Papa - “Kisha është misionare për vetë natyrën e saj e, po të mos ishte misionare, nuk do të ishte as Kishë e Krishtit, por një shoqatë ndërmjet tjerash”.

Është e nevojshme, prandaj, në një botë të pështjelluar nga një mori iluzionesh, të plagosur nga poshtërime të mëdha, të copëzuar nga  luftërat vëllavrasëse, që padrejtësisht godasin sidomos të pafajshmit, të pyesim cili është themeli i misionit.

Misioni është forca shndërruese e Ungjillit

Papa kujton se Ungjilli është Lajmi i Mirë, që dhuron një gëzim ngjitës,  një jetë të re në Krishtin, i cili është udha, e vërteta, jeta. Në udhën, që e ndjekim plot besim e guxim, provojmë të vërtetën - nënvizon Papa - e marrim jetën e Tij, “e cila na bën të lirë nga çdo formë egoizmi, sepse është burim i çdo forme krijuese në dashuri”. Kështu kumti bëhet “fjalë e gjallë” në Jezu Krishtin, i cili mishërohet në çdo situatë njerëzore.

Misioni e bota

Kisha është Jezusi, që vijon të ungjillëzojë e të veprojë, është kairos “koha e përshtatshme për shëlbimin në histori”. Misioni i Kishës, prandaj, nuk është  përhapje e një ideologjie fetare, e as propozim i një etike të lartë; është takim me një Vetje, që bëhet gjithnjë e gjithnjë bashkëkohasi ynë. Takimi me forcën shndërruese të Shpirtit Shenjt e bën pjellore natyrën njerëzore dhe krijimin, si shiu tokën. Ungjilli, me Pagëzimin, është burim i jetës së re; me Krezmimin, bëhet vajim fortifikues e me Eukaristinë, ushqim i ri e ilaç pavdekësie. Bota - nënvizon Papa në mesazh - ka nevojë themelore për Ungjillin e Jezu Krishtit i cili, përmes Kishës, vijon misionin e Tij të Samaritanit të Mirë, duke mjekuar plagët e njerëzimit, që kullojnë gjak, e të Bariut të Mirë, duke kërkuar pa u ndalur kurrë të humburin në shtigjet e shtrembëra, pa cak. Papa kujton edhe disa shembuj e dëshmi, si një kremtim shumë ngushëllues në Veri të Ugandës, së tronditur nga konfliktet, kur një misionar pati përsëritur britmën e Krishtit në kryq, duke ndaluar një ndeshje të përgjakshme. Ungjilli, kujtoi Papa, ndihmon për t’i kapërcyer shtigjet e mbyllura, konfliktet, racizmin, përçarjet fisnore, duke çuar kudo e ndërmjet të gjithëve, pajtim, vëllazërim, ndarje të përbashkët.

Misioni, përshpirtëri në dalje të vazhdueshme

Kisha është e thirrur ta kapërcejë gardhin e vet, e kjo nxit një sjellje shtegtimi të vazhdueshëm përmes shkretëtirave të jetës, përmes përvojave të ndryshme të urisë e të etjes për të vërtetën e drejtësinë, me zemrën drejtuar nga qielli. Është ky, misioni i një Kishe, që nuk i përket vetvetes, por Krishtit, Korpit të tij të kryqëzuar e të lumnueshëm.

Të rinjtë, shpresa e misionit

Papa Françesku nënvizon bukurinë e të rinjve shtegtarë feje, të lumtur, nësa e çojnë Jezusin në çdo rrugë, në çdo shesh, në çdo skaj e skutë të  tokës. Të rinjtë janë shpresa e misionit e Sinodi i ardhshëm i 2018-tës, me temë “Të rinjtë, feja e shqyrtimi i thirrjes”, është rast për ta tërhequr rininë  në përgjegjësinë e përbashkët misionare, që ka nevojë për fantazinë dhe aftësinë e tyre krijuese.

Shërbimi i Veprave Papnore Misionare

Papa thekson edhe kontributin e çmuar të Veprave Papnore Misionare, që përpiqen të ngjallin në të gjitha bashkësitë e krishtera, dëshirën për t’u nisur larg kufijve e vet, sigurive të veta, për të dalë në det të hapur e për t’ua kumtuar Ungjillin të gjithëve. Që kështu të rriten njerëz me zemër misionare të cilët, duke u lutur, duke e dëshmuar Krishtin me jetë e duke i bashkuar pasuritë, të mund t’u përgjigjen nevojave të mëdha të Ungjllëzimit.

Së fundi, ftesa për t’u frymëzuar nga Maria, “Nëna e Ungjillëzimit”, që të na ndihmojë të themi ‘po’-në tonë në urgjencën për ta bërë të rikumbojë në të katër anët Lajmi i Mirë i Jezusit, në kohët tona.








All the contents on this site are copyrighted ©.