2017-06-03 00:00:00

Fundjave me Papën e me Kishën katolike


Vatikan: Sot, duke nisur nga ora 10.30, Papa Françesku kremtoi, në Sheshin e Shën Pjetrit, Meshën në Solemnitetin e Rrëshajëve, e, në përfundim, edhe lutjen e Mbretëreshës Qiellore.

Ati i Shenjtë u lut që Zoti t’i përtërijë shpirtërisht besimtarët, për të qenë gjithnjë besnikë ndaj Shpirtit Shenjt, i cili na u dha si dhuratë nga Krishti i gjallë. Në qendër të homelisë, në Meshën e Rrëshajëve, rilidhja e njeriut me Atin qiellor, përmes flijimit të Krishtit e dikimit të Shpirtit Shenjt.  

Mbrëmësorja e lutjes së Rrëshajëve, kremtuar dje, përkoi me “Jubileun e artë” të përtëritjes karizmatike katolike. Mijëra anëtarë të lëvizjes u mblodhën në Cirkun romak Massimo, në pritje të Papës. Arritjes së Françeskut i paraprinë çaste prekëse reflektimi e dëshmish.

Fundmaj jo i zakonshëm për Kishën katolike në Shqipëri. Ipeshkvijtë ishin në Romë, për vizitën e tyre “ad Limina Apostolorum”, tek Varret e Apostujve Pjetër e Pal. Pikërisht një ditë para përfundimit të majit, vizita arriti pikën kulmore. Prelatët u takuan me Papën Françesku në një audiencë gati dy orëshe. Të shumta, argumentet e diskutuara me Atin e Shenjtë, që nga periferitë, për të cilat Papa u kërkoi të tregojnë më tepër kujdes, tek baritoria e thirrjeve e tek impenjimi për të shkuar mes njerëzve, atje ku jetojnë e punojnë, e për ta dëshmuar Krishtin me shembullin e jetës së tyre. Ipeshkvijtë i dhuruan Atit të Shenjtë dy vëllimet hagjiografike mbi 38 martirët e lum shqiptarë të periudhës së komunizmit, së bashku me fuguren e lumnimit të tyre.

 

Përkujtojmë sot 54-vjetorin e vdekjes së Shën Gjonit XXIII, në shekull, Giuseppe Roncalli. I lindur në Sotto il Monte, në provincën e Bergamos, më 25 nëntor 1881, u zgjodh i 261-ti papë, më 28 tetor 1958, pas Piut XII. Mbeti në kujtesën e Kishës e të njerëzimit si Papa i mirë. Papa që deshi t’i përqafojë gjithë njerëzit, duke nisur nga fëmijët. Papa i Koncilit II të Vatikanit. Papa i dialogut ekumenik, i Enciklikave “Mater et Magistra” (1961) dhe “Pacem in terris”(1963). Vdiq më 3 qershor 1963. I lumnuar nga Gjon Pali II më 3 shtator 2000, u shenjtërua nga Papa Françesku, më 27 prill 2014.

Në Gjermani u organizuan një sërë kremtimesh, me rastin e 375 vjetorit të Shenjtërores së Kevalaer, kushtuar Zojës Consolatrix Afflictorum (Ngushëllimi i të mjeruemve). I dërguar i posaçëm i Papës në kremtime,   kardinali Karl-Josef Rauber.

Prekëse, historia e shenjtërores së Zojës. Nuk është aq e njohur, sa ajo e Lurdës, e Fatimës a e Zojës së Madhe në Romë, por jo më pak prekëse. Popullsia e Kevelaer, zonë ndërmjet Gjermanisë dhe Vendeve të Ulëta, gjatë luftës 30 vjeçare u masakrua nga mercenarët kroatë. Në kujtim të kësaj ngjarjeje u ngrit një kryq guri, që njihej si “Kryqi i kroatëve” . Në vitin 1641, një shitës shëtitës, Hendrik Busman, duke u lutur para tij, dëgjoi  një zë, që i kërkoi tri herë rresht të ndërtonte një orator. A mund të kundështohej zëri i Kryqit? Burri iu përgjigj, duke ndërtuar një kapelë, me shpenzimet e veta. Një vit më vonë, së shoqes iu duk Zoja e Bekuar, e ngjashme me figuren e Zojës së Luksemburgut, që disa ushtarakë kishin dashur ta shisnin pak kohë më parë. Burrë e grua u vunë në kërkim të ushtarëve, i gjetën dhe e blenë figuren e Zojës, për ta vendosur në kapelën e re të Kevelaer. Me që këtu ndodhen shumë mrekulli, në vitin 1647 u bënë hetimet e nevojshme kanonike, që vërtetuan gjithë ç’kishte ndodhur në atë vend ku, në vitin 1654, përmbi kapelën e vogël, u ngrit shenjtërorja. Që aso kohe aty nderohet Zoja “Ngushllimi i të mjeruemve”. Më 1923 shentjërorja u lartua në rangun e bazilikës. Gjatë Luftës II Botërore, nazistët, që e kishin pushtuar vendin, duke parë se shenjtëroja vizitohej nga miliona shtegtarë, deshën ta hidhnin në erë. E minuan, por minat nuk shpërthenin. Çdo provë e tyre dështoi e shenjtëroja mbeti në këmbë, për të ngushëlluar të mjeruarit, që nuk mungojnë kurrë në këtë botë.  Për t’u njohur me hollësirat e ngjarjes, mund të lexohet libri “Dukjet mariane të lashta e të reja”, shkruar nga Joachim Bouflet.

Sot, në Ugandë, u kremtua “Dita e martirëve ungandezë”. Tema e sivjetme, “Të fortë në fenë, që jua mësuan”. Është fjala për Karl Lvangën me shokë. I dënuar me vdekje, u dogj i gjallë mbi kodrën e Namugongo, së bashku me tridhjetë shokë të tjerë, katolikë e anglikanë, të gjithë të rinj.   që u torturuan e u gjymtuan në mënyrë të tmerrshme. Pas tyre, nga 15 nëntori i vitit 1885 deri më 27 janar 1887, u masakruan mbi njëqind të krishterë. Martirët ugandezë janë heronj kombëtarë - këtë pati theksuar Papa  Françesku, duke vizituar Ugandën, në nëntor 2015:

 “Ata, pavarësisht nga besojmat tona të ndryshme fetare e nga bindjet tona, na kujtojnë se të gjithë jemi të thirrur të kërkojmë të vërtetën, të punojmë për drejtësinë e pajtimin, ta respektojmë, ta mbrojmë e ta ndihmojmë njëri-tjetrin, si anëtarë të së njëjtës familje njerëzore”.

Shtatë vjet më parë në Turqi, vritej imzot Luigi Padoveze, Vikar Apostolik i Anatolisë. Ishte data 3 qershor, kur u qëllua në shtëpinë e tij, në Iskenderun, jug i Turqisë. 'Lajmi tragjik i vdekjes së dhunshme të imzot Luigi Padovezes i tronditi të gjithë. Vështirë të kuptohej – të kuptohet edhe sot, tri vjet pas - një krim kaq i tmerrshëm, kundër njeriut të Kishës dhe  ipeshkvit, që konsiderohej mik i turqve dhe i Turqisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.