2017-06-02 15:14:00

Kisha na fton t’i afrohemi Rrëshajëve në bashkim me Virgjërën Mari


Solemniteti i Rrëshajëve: Shpirti Shenjt nga liron nga frika e na bën ta ndjejmë veten në dorën e Hyjit dashuri! Kisha katolike kremton këtë të diele festën e Rrëshajëve. Siç dihet, Pashkët kremtojnë ngjalljen e Krishtit, ndërsa Rrëshajët, pesëdhjetë ditët e Pashkëve, shënojnë fillimin e jetës së re të Jezu Krishtit të Ngjallur në besimtarë, në saje të veprës së vet Shpirtit Shenjt. Ajo që ndodh më Krishtin, ditën e parë të Pashkëve, në ditën e pesëdhjetë, ndodh për gjymtyrët e korpit të Tij mistik, që është Kisha.

Solemniteti i Rrëshajëve nuk është thjeshtë kremtim apo kujtim. Është realitet, përvojë, që e jetojmë çdo vit. Shën Agostini i dallonte festat e krishtera që përkujtojnë përvjetorë, nga ato që kremtojnë një mister. Ata që përkujtojnë përvjetorë, kremtojnë rikthimin në kujtesë të ditës kur ka ndodhur një ngjarje. Ndërsa festat që kremtojnë ‘misterin’, ndërmjet të cilave Agositini numëronte në radhë të parë Pashkët, jo vetëm që e kujtojnë ngjarjen, por sidomos, e rijetojnë atë. Prandaj gjëja më e rëndësishme në solemnitetin e Rrëshajëve duhet të jetë që secili prej nesh të hyjë brenda misterit e të presë, me fe të gjallë që, çka ndodhi atë ditë, të ndodhë përsëri.

E kështu, Kisha na fton t’i afrohemi festës së Rrëshajëve në bashkim me Virgjërën Mari. Pas festës të të Shëlbuemit, Kisha përgatitet për solemnitetin e madh të Rrëshajëve, që do të kremtohet këtë të diele. Kisha pra na fton të gjithë besimtarëve të mblidhemi në uratë, siç patën bërë Apostujt, e të lutemi për ndikimin e Shpirtit Shenjt, në bashkim shpirtëror me Virgjërën Mari, të cilës i kërkojmë që, me ndërmjetësinë e saj, të na nxjerrë hirin e Rrëshajëve të reja. Kisha na fton të bashkohemi shpirtërisht me Virgjërën Mari, ndërsa përgatitemi shpirtërisht për këtë festë e takim me Shpirtin Shenjt Zot.

Apostujt, pas të ngjiturit të Krishtit në qiell, për një çast do të jenë shastisur e ndoshta-ndoshta edhe do të jenë trembur. E Jezusi u pat thënë atyre: “Unë po ju dërgoj në mbarë botën. Shkoni e predikojani Ungjillin të gjitha krijesave”.

E në atë çast apostujt do të kenë pyetur vetveten: “E si mund të shkojmë në gjithë botën, kështu siç është bota, e ta kumtojmë Ungjillin, që duket krejt në kundërshtim me atë çka bota mendon ? Si mund të shkojmë e të themi: “Lum të varfrit”, kur të gjithë s’kërkojnë tjetër, veçse të bëhen të pasur? Po si mund të shkojmë e të themi: “Lum të butët”, kur të gjithë duan të sundojnë mbi të tjerët? E si mund të shkojmë e t’i themi njerëzve “Lum ata që e kanë zemrën e pastër”, kur jemi të sigurt se do të tallen me ne?

Pra besojmë se në atë çast do të ketë ndërhyrë Zoja e Bekuar e do t’u ketë thënë Apostujve: “Pse keni frikë? E harruat atë që ju tha Jezusi? Ju tha që para se të niseni, duhet të shkoni në Jerusalem e të mos lëvizni nga Jerusalemi, para se të përmbushet premtimi; premtimi që ju bëri: “Do të jeni përplot me Shpirtin Shenjt”.

Ata atëherë u mblodhën në lutje e shën Luka ungjilltar në ‘Veprat e Apostujve’ tregon se: “ Ishin një zemre e një zëri me Marinë”. Kjo është fotografia e Kishës. Apostujt ishin një zemre: atëherë krenaria ishte zbehur, për t’ia lëshuar vendin lutjes. E ishin së bashku me Marinë, gruan që edukon në fe: e erdhën Rrëshajët, erdhi Shpirti Shenjt. Mund të themi, pra, se Rrëshajët janë parakusht i apostullimit.

Kisha duhet të shkojë si misionare në botë, ajo e ka për detyrë të shkojë, ashtu si e ka për detyrë të ndalet në Jerusalem: “Prisni – pat thënë Jezusi: Prisni, derisa të përmbushet premtimi”: këtë u kujtoi Zoja e Bekuar Apostujve e këtë na kujton Kisha sot ne me rastin e festës së Rrëshajëve. Duhet të hyjmë vazhdimisht në Çenakull e të dalim prej andej vetëm atëherë, kur të mbushemi përplot me Shpirtin Shenjt Zot. Në se nuk do ta kemi forcën e Shpirtit Shenjt, s’jemi tjetër, veçse përsëritës të Ungjillit, por jo dëshmitarë të Ungjillit.








All the contents on this site are copyrighted ©.