2017-05-31 14:14:00

Vlerësim për Këshillin Papnor Portugez: fshehu hebrenj e antifashistë


Në librin e tij “Lista e atë Carreira-s”, titull që sjell ndërmend ngjarjet e “Schindler’s list”, gazetari portugez Antonio Marujo kujton historinë e hebrenjve dhe të antifashistëve të fshehur në Kolegjin Papnor Portugez në Romë, në vitet 1943-44. Rektori i atëhershëm, që e bëri të mundur shpëtimin e tyre, ishte imzot Joaquim Carreira. Kjo punë kërkimore u njoh dhe u vlerësua edhe nga hebrenjtë, prandaj mbrëmë Kolegjit iu dha titulli “Shtëpia e jetës” nga Fondacioni Raoul Wallenberg.

39 vetë të strehuar në Kolegj

         E është pikërisht një raport i imzot Carreira-s, gjetur në arkivat e Kolegjit, që i jep mundësinë autorit të librit të vërë në vendin e vet gurët e një mozaiku të përbërë nga rreth 40 vetë, shpëtuar nga prifti portugez. Antonio Marujo në mikrofonin tonë:

         “Dokumenti i parë, që gjeta në arkiv, është raporti i Kolegjit, i cili mbulon periudhën nga shtatori i vitit 1943 në qershor 1944. Përkon me pushtimin nazist të Romës. Në atë raport, që atë Carreira e shkroi në korrik 1944, përmenden emrat e 39 vetëve të strehuar në Kolegj. Thoshte se i kishte fshehur, duke e ditur se rrezikonte jetën e vet e atë të studentëve, por kjo ishte detyrë ungjillore”.

Në vitin 2015, imzot Carreira merr medaljen “I drejtë ndër kombe”

         “U kam dhënë mikpritje – shkruan atë Carreira në dokument – njerëzve të persekutuar mbi bazën e ligjeve të padrejta e çnjerëzore”. Shumë prej këtyre refugjatëve kanë qenë njerëz me emër, si mjeku i Musolinit, i Toskaninit dhe i kreut të partisë komuniste. Në vitin 2015, imzot Carreira merr medaljen “I drejtë ndër kombe”, titull dhënë nga institucioni hebre i Yad Vashemit që më 2010, pas vdekjes së protagonistit, i cili vijon të japë një dëshmi shembullore për frymën e solidaritetit e të vëllazërimit, që duhet të ketë çdo i krishterë.








All the contents on this site are copyrighted ©.