2017-05-30 12:39:00

Papa: di të largohet bariu, që nuk mendon se është në qendër të historisë


Bariu i vërtetë di të largohet e ta përshëndesë si duhet Kishën e vet, sepse e di se nuk është në qendër të historisë, por vetëm i ka shërbyer grigjës së vet, në liri të plotë e duke e lënë të lirë. Kështu pohoi sot Papa Françesku gjatë meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan.

Bariu duhet të jetë gati të ndahet si duhet me grigjën e vet

Në qendër të homelisë, Leximi i parë liturgjik, marrë nga Veprat e Apostujve. Për Papën ai mund të titullohet “Largimi i një ipeshkvi”. Shën Pali përshëndet e ndahet me Kishën e Efesit, që e kishte themeluar vetë. Tashmë, i duhet të largohet, vërejti Ati i Shenjtë:

“Të gjithë ne, barinjtë, duhet të largohemi. Mbërrin çasti kur Zoti na thotë: shko diku tjetër, shko andej, shko këndej, eja tek unë. E njëri nga hapat, që duhet të bëjë bariu, është edhe përgatitja për t’u ndarë si duhet, jo përgjysëm. Bariu, që nuk mëson si të largohet, nuk ka lidhje të mirë me grigjën, lidhje që nuk është purifikuar për Kryqin e Krishtit”.

Barinj pa kompromis

         Shën Pali i thërret të gjithë meshtarët e Efesit në një lloj “këshilli presbiteral”. Papa nënvizoi “tri qëndrimet” e apostullit. Së pari, pohoi se nuk u tërhoq kurrë mbrapsht. Nuk e bën këtë për mburrje e kreni, sepse Shën Pali thoshte se është më i keqi i mëkatarëve, por nuk bëri kurrë kompromise. Duhet guxim për këtë, vërejti Papa Françesku.

Barinj, që nuk e konsiderojnë grigjën pronë të tyre

         Pika e dytë. Shën Pali thotë se shkon në Jeruzalem “i detyruar nga Shpirti Shenjt”, pa e ditur se ç’do t’i ndodhë. Thjesht, i bindet Shpirtit. “Bariu e di se është për udhë”, theksoi Papa:

         “Ndërsa Shën Pali e udhëhiqte Kishën pa kompromise, Shpirti Shenjt i kërkon të vihet për udhë, pa e ditur se ç’do të ndodhë. E Pali bindet, sepse ai s’ka asgjë të vetën, nuk është sjellë me grigjën si ta kishte pronë të vetën. I ka shërbyer. ‘Tani Zoti do që unë të largohem? Po shkoj, pa e ditur ç’do të më ndodhë. Di vetëm – Shpirti Shenjt ia kishte thënë – që Shpirti më thotë se nga qyteti në qytet, më presin vetëm hekurat dhe mundimet’. E dinte! ‘Nuk shkoj në pension. Shkoj diku tjetër për t’u shërbyer Kishave të tjera’. Gjithnjë, me zemrën hapur për të dëgjuar zërin e Zotit: po largohem, të shohim ç’më kërkon Hyji. E ky bari pa kompromise është bari për udhë”.

Barinj, që nuk e mbajnë veten me të madh

Papa shpjegoi pse Shën Pali nuk e konsideronte grigjën si pronën e vet, duke folur kështu për qëndrimin e tretë të apostullit, i cili thotë: “Nuk e konsideroj aspak të çmuar jetën time”. Pali, nënvizoi Ati i Shenjtë, nuk është në qendër të historisë, e cila është më e madhe se ai: është shërbëtor. Shën Pali largohet në liri e pa kompromise. Kështu duhet të ndahet me grigjën bariu i vërtetë i saj, tha Papa:

 “Me këtë shembull kaq të bukur, le të lutemi për barinjtë, për famullitarët, për ipeshkvijtë, për vetë Papën, që jeta e tyre të jetë pa kompromise, të jetë për udhë e të jetë e tillë që të mos kujtojnë se janë në qendër të historisë. Kështu, të mësojnë si të ndahen me grigjën. Të lutemi për barinjtë tanë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.