2017-05-28 12:30:00

Mbretëresha Qiellore me Papën Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit


Papa Françesku tha sot lutjen e Mbretëreshës Qiellore, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, një ditë pas vizitës së tij në Gjenovë të Italisë, ku u takua me klerin, me botën e punës, me të rinjtë, me fëmijët e sëmurë e me të burgosurit. Po sot, kremtohet edhe Dita e 51-të Botërore e Komunikimeve Shoqërore. Tema e Mesazhit të Atit të Shenjtë për këtë Ditë është marrë nga Libri i Isaisë: “Mos u tremb, unë jam me ty” (Is 43,5). Të komunikojmë shpresën dhe besimin në kohën tonë”.

Bota katolike kremton të Ngjiturit e Zotit në Qiell, festën e të Shëlbuemit, e cila na kujton një aspekt të misterit të Pashkëve: Krishti, që erdhi nga Ati Qiellor, kthehet tani tek Ati për të mbretëruar së bashku me Të në lavdi. Ngjarja tregohet në Veprat e Apostujve: pasi i siguron dishepujt edhe për gjërat, që nuk i dinë e, pasi u premton se do t’u dërgojë Shpirtin Shenjt, Jezusi ngrihet lart, u ikën nga sytë dhe zhduket dalëngadalë në mesin e reve.

Engjëjt, që patën shpallur ngjalljen, tani i ftojnë njerëzit të mos shohin lart për të kërkuar Zotin, sepse Ai është në mesin e tyre. Siç thuhet në Leximin e dytë të liturgjisë së sotme, njohja e Zotit është përvojë e dashurisë së Tij absolute, që jep shpresë e forcë. E këtë koncept e thekson edhe Ungjilli, kur vë në dukje se pikërisht kur kemi frikë se nuk do ta shohim më Zotin, Krishti premton: “Ja, unë do të jem me ju përgjithmonë”. Jo ndërmjet reve në qiell, por në zemrat e besimtarëve, në misterin e Kishës, në Fjalën e Zotit e në Eukaristi.








All the contents on this site are copyrighted ©.