2017-05-24 18:17:00

Kishat në trevat shqiptare kushtuar Virgjërës Mari


Kishat në trevat shqiptare kushtuar Virgjërës Mari janë një dëshmi identiteti kombëtar e shpirtëror, thesar feje e arti. Gjatë tërë vitit, por në mënyrë të veçantë gjatë majit, gushtit, shtatorit, tetorit e dhjetorit Kisha përkujton disa herë figurën e së Lumes Mari Virgjër, siç dëshmojnë festat për nder të Nënës Hyjnore, që kremtohen në data të ndryshme.

E po kujtojmë se Shën Maria Virgjër ka qenë gjithnjë tejet e nderuar ndër shqiptarë. Kulti i nderimit të Zojës së Bekuar – Virgjërës Mari në trojet shqiptare mori hov njëherësh me kultin marian në Evropën perëndimore në kulmin e mesjetës.

Prej 275 kishave, të regjistruara nga jezuiti Atë Fulvio Kordinjano S.J., 42 i kushtoheshin Shën Mërisë. Kishë kushtuar Zojës së Bekuar kishte në Ulqin, Shurdhah, Dejë, Drisht, Naraç, Hajmel e Rrenc (Shkodër); Fishtë, Troshan, Kalivaç e Lezhë (Lezhë); Mërtur (Pukë); Surroj (Kukës); Shpërdhazë, Malaj, Ndërshena, Ndërfana (Mirditë); Lurë, Çidhna (Dibër); Gur i Bardhë (Mat); Sebaste, Mbret (Laç); Kurcaj(Krujë); Kepi i Rodonit apo Bishti i Muzhlit (Durrës); Brar (Tiranë-shek XII), Skuterrë, Pëllumbas, Buçimas, Linzë (Tiranë) dhe Bishqem (Peqin).

Këtyre tempujve katolikë, kushtuar Zojës së Bekuar në trojet e Shqipërisë së sotme, i shtohet edhe një numër i madh Kishash dhe manastiresh ortodokse, të përhapura në të gjithë vendin. Ndërmjet tyre, Labova e Kryqit, në Gjirokastër (shek X); Manastiri i famshëm i Ardenicës në Apolloni (Lushnje) (shek. XIII); Kisha e Zojës në Voskopojë (shek XVIII); Manastiri i Shën Marenës në Mokër të Pogradecit, me shpellën e mrekullueshme, që i ngjet asaj të Lurdës (shek XVIII) e disa Kisha të tjera, njëlloj të lashta.

Mos të harrojmë Kosovën. Shenjtërorja kombëtare e shqiptarëve, ajo që ngrihet rrëzë Kështjellës Rozafa në Shkodër, i kushtohet Zojës së Këshillit të Mirë; ndërsa një shenjtërore tjetër, njëlloj e famshme, është Kisha e Zojës Crnagore, në fshatin Letnicë të Vitisë në Kosovë, ajo e Zojës Ndihmëtare në Prizren (konkatedrale) ajo e Zojës së Madhe në Zym të Hasit në komune të Prizrenit, Kisha e Zojës Rruzare në Bishtazhin të Gjakovës, Kisha e Zojës së Vogël në Bec të Gjakovës, Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë në Klinë e tjera e tjera.

Po kështu duhet kujtuar Kisha kushtuar nderimit të Virgjërës Mari në kryedioqezën e Tivarit në Mal të Zi e në treva tjera shqiptare.
Ndërmjet shumë festave kushtuar Zojës së Bekuar, ajo që i bashkonte gjithë të krishterët shqiptarë në rrjedhë shekujsh ishte, pa dyshim, Festa më e madhe e fundit të verës, të Ngjiturit e Zojës së Bekuar në qiell (për të katolikët), Fjetja e Shën Mërisë (për ortodoksët), që kremtohej e kremtohet më datën 15 gusht. Prej këndej, ndër shqiptarë festa njihet edhe si Shën Mëria e Verës, Shën Mëria e Gushtit ose Shën Mëria e Madhe, në sa, më 4 dhjetor, festohet edhe Shën Maria e Dimrit.

Kalendari Julian e shënonte më 27 gusht, ai Gregorian, më 15. Ishte e mbetet festa e shtegtimeve në gjirin e natyrës. Sipas traditës, besimtarët e kremtonin me shtegtime të gjata, ngjiteshin në majat e bjeshkëve, ku dikur ngriheshin tempujt e paganizmit, kthyer në tempuj të krishterë, duke nisur nga Mali i Tomorrit; Mali i Gjallicës, pranë Kukësit; Maja e Shën Llezhdrit, afër Krujës; Maja e Kundrevicës, në Kurvelesh dhe ajo e Pashtrikut, në kufirin Shqipëri-Kosovë. Ja si i e përshkruan imzot Pjetër Bogdani kremtimin në Pashtrik, rreth viteve 1630-1689, duke theksuar edhe natyrën meditative të festës e të shtegtimeve, që kremtoheshin me këtë rast në kulmin e verës: “Ngjiten në maje dhe e kalojnë atje gjithë natën, me uratë, kangë e valle të përshpirtshme. Mbas mesnate nis procesioni, në të cilin marrin pjesë të krishtênë e myslimanë, me qira të ndezun. Gjatësia e qirit përkon me moshën e atij, që e mban në dorë. Kështu, me qira ndezë, zdathë, shtegtarët ecin kah majet ma të nalta për tri orë rresht. Vetëm myslimanët ngjiten kaluer...”

Në Shqipërinë e Mesme, gratë që nuk kishin fëmijë, shtegtonin kah bregdeti i Kavajës e i Durrësit. Laheshin në det e luteshin. Ky shtegtim, që bënin gratë, me shpresën se Nëna e Krishtit do të ndërmjetësonte për to e do t’u falte dhantinë e foshnjeve, aq të dëshiruara, vijoi fshehurazi edhe në kohën e persekutimit të madh nën thundrën e diktaturës.

Në Seltë, krahinë e Shpatit, në Shqipërinë e Mesme, për festën e Shën Mërisë së gushtit flijohej një lopë. Këto e zakone të tjera, të shoqëruara me Meshë solemne, procesione, meditime e lutje në gjirin e natyrës, mbeten të gjalla edhe sot e kësaj dite në të gjithë botën e krishterë. Prandaj në kulmin e gushtit, kur vera përgatitet t’i lëshojë shtegun vjeshtës, qytetet e mëdha të botës perëndimore zbrazen e njerëzit dynden kah viset më të njohura për bukuri natyre: bregdetet, bjeshkët e vendet ku ngrihen tempuj të famshëm për kryevepra arti, ku pa dyshim, do të takohen edhe me Shën Mërinë!








All the contents on this site are copyrighted ©.