2017-05-23 14:52:00

Vepra: “In Memoriam: në nder të imzot Lucjan Avgustinit"


“In Memoriam: në nder të imzot Lucjan Avgustinit”: ky titulli i veprës kushtuar figurës e veprimtarisë së ipeshkvit të ndjerë të Sapës, imzot Avgustinit, që u promovua dje, në Vau-Dejës, nga dioqeza e Sapës, me rastin e përvjetorit të parë të kalimit të tij në amshim. Vepra, me nismën e administratorit dioqezan e të klerit të Sapës, është përgatitur nga Nest Zefi, përmban kujtimet nga shërbimi tij meshtarak e ipeshkëvnor, përshkuar virtytet njerëzore, shpirtërore e atdhetare të bariut të mirë, imzot Lucjan Avgustinit. Me një fjalë, dëshminë e tij për Zot e atdhe.

Po më hollësiht nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin që ka përgatitur për ne Violeta Marashi… 

“Nëse ky është vullneti i Atit,

kush jemi ne për t’ia ndaluar?

U bëftë sipas dëshirës së Tij”!

Nën kujdesin dhe nxitjen e Administratorit Dioqezan të Sapës, dom Simon Kullit dhe meshtarit dom Mark Shtjefnit, në një vjetorin e kalimit në amshim të Ipeshkvit të Sapës, Imzot Lucjan Avgustini, u promovua edhe libri i parë “In Memoriam”, kushtuar kësaj figure të ndritur meshtarake dhe atdhetare, me autor z. Nest Zefi. Është ky libër me një përmbledhje kujtimesh, dhe një radhitje e virtyteve dhe karakteristikave që përbënin Imzot Avgustinin, dhe me të cilat ai rrezatonte në çdo moment. Që në hyrje të librit gjejmë të shkruar fjalët e Imzot Lucjanit, që shpeshherë i shqiptoi gjatë sëmundjes së tij: “Nëse ky është vullneti i Atit, kush jemi ne për t’ia ndaluar? U bëftë sipas dëshirës së Tij”!  E kjo tregon më së miri gjithë lidhjen e tij jetësore me Krishtin dhe për Krishtin.

Në parathënien e librit, dom Simon Kulli, e konsideron këtë botim si një shenjë mirënjohjeje dhe falenderimi ndaj veprës së madhe që Monsinjori i dashur na ka lënë. Programi i jetës së tij, kujton ai, u duk qartë që në fjalët e para që tha në shugurimin e tij Ipeshkvor: “Për ju jam Ipeshkëv, me ju jam i krishterë”, duke treguar kështu vetëdijen e tij prej Bariut dhe vetëdijen për bashkësinë e thellë me popullin e Zotit, që lind prej Pagëzimit të Fjalës së Zotit.

Autori z. Nest Zefi duke folur para të pranishëmve për përshkrimin e këtij libri, i është përmbajtur traditës së konsoliduar të librave “In Memoriam”, duke zgjedhur të mbledhë disa kontribute-dëshmi, mundësisht me nivel të kënaqshëm përfaqësimit, ndër personat që kanë dhënë gatishmërinë e tyre dhe e kanë njohur mjaftueshëm në rrethanat e ndryshme e të frytshme të veprimit të tij meshtarak e ipeshkvor. Dëshmitë e mbledhura, duke ndjekë modelin e poliedrit – shprehje e bukur e Papa Françeskut – në kuptimin e formimit dhe prejardhjes lokale e ndërkombëtare të personave të përfshirë, të cilët e kanë njohur në pozita të ndryshme ipeshkvin Avgustini, autori i emërton me një emërues të përbashkët në përcaktimin e figurës së tij si: “njeri i thjeshtë, shëmbëlltyrë e Bariut të Mirë, gjithmonë i gatshëm të shërbejë me përkushtim të palodhur e dashni të zjarrtë grigjës që i është besuar, duke iu rezervuar të varfërve, të mënjanuarve dhe personave të fundit në hierarkinë sociale, privilegjin e përkushtimit të Ungjillit”.

Libri është botim i Entit botues Gjergj Fishta dhe ka një tirazh prej 1000 kopjesh, të cilat u janë shpërndarë të gjithë ipeshkvinjëve, meshtarëve e motrave, familjarëve dhe miqëve të Imzot Lucjan Avgustinit, si dhe besimtarëve.

Violeta Marashi








All the contents on this site are copyrighted ©.