2017-05-23 12:10:00

Manchester: terror në koncertin rinor. 22 të vdekur


Së paku 22 të vdekur, ndër të cilët edhe disa fëmijë, e 59 të plagosur: duket se ky është bilanci i masakrës së mbrëmshme në Manchester Arena, në përfundim të koncertit të këngëtares së njohur Ariana Grande, pop star amerikane, 23 vjeçare, idhull i të rinjve. Identiteti i viktimave akoma nuk njihet.

Ngjarja

Shpërthim i fuqishëm pak pas orës 22.30 e pastaj, gjak e terror, pikërisht kur të rinjtë po fillonin të dilnin nga stadiumi, mbi të cilin vërshonin tollumbaca rozë. Policia britanike mendon se atentati është kryer nga një person i vetëm, një atentator që shpërtheu së bashku me një bombë rudimentale, megjithatë po përpiqet të kuptojë nëse ka pasur bashkëpunëtorë.

Akoma nuk njihen viktimat, por fytyrat e tyre janë tashmë në rrjetet shoqërore, të postuara nga prindërit, që i kërkojnë të dëshpëruar. Fytyra të freskëta, që buzëqeshin e shohin me besim jetën, krejt të rinj, gati fëmijë. Akoma nuk ka lajme të sigurta as për të plagosurit, të shtruar në tetë spitale.

Britania e Madhe pezullon fushatën zgjedhore

Kryeministrja britanike, Theresa May, në marrëveshje si me laburistët, ashtu edhe me liberaldemokratët, pezulloi fushatën për zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit. Që nga ora 9.00 e Londrës po kryeson një mbledhje të Komitetit të emergjencës “Cobra”. Para Downing Street, flamuri britanik valëvitet në gjysëm shtizë. Xhihadistët festojnë në faqet e tyre të internetit, duke rivendikuar autorësinë e atentatit.

Ndoshta video e xhihadistit

Sipas “Site”, faqes që monitorizon veprimtarinë xhihadiste në galaktikën e ekstremizmit, në kanalet e internetit që mbështesin Isis-in shihet një video, në të cilin flet një kamikaze me fytyrë të mbuluar: ndoshta është autori i masakrës. Video zgjat vetëm 16 sekonda e atentatori shqipton vetëm pak fjalë: “Në emër të Allahut, të mëshirshmit dhe bujarit, ky është vetëm fillimi: luanët e Shtetit Islamik po fillojnë sulmin kundër gjithë kryqtarëve. Allah Akbar, Allah Akbar”. E menjëherë, ngre lart një karton të bardhë, ku është shkruar vetëm një vend, me datën e djeshme, në anglisht e arabisht: “Manchester, 2017-05-22”.

Policia, që po punon pa pushim në bashkëpunim me forcat e sigurimit, ka përforcuar masat e sigurisë në trena e metro në gjithë vendin, u ka kërkuar pjesëmarrësve në koncert fotografitë dhe videot e regjistruara mbrëmjen e djeshme, me shpresë se mund të gjejë gjurmë të reja. 

Bashkësia ndërkombëtare shtrëngohet rreth Britanisë së Madhe

Manchester Arena është stadiumi i dytë më i madh i Evropës (i pari ndodhet në Anversë), në gjendje të mbajë deri në 21 mijë vetë. Këngëtarja Ariana Grande ndodhej aty në etapën e parë të turneut të saj botëror. Nuk dihet nëse do të shkojë të enjten në Londër, në etapën e dytë. “Nuk kam fjalë. Më vjen shumë keq”, shkruan në Twitter, krejtësisht e trishtuar.

E bashkësia ndërkombëtare shtrëngohet rreth Britanisë së Madhe. Presidenti amerikan, Donald Trump, që u takua sot me liderin palestinez, Abu Mazen, informohet vazhdimisht për ç’po ndodh. Kremlini bëri të ditur se presidenti Vladimir Putin i ofron Londrës bashkëpunimin e rusëve kundër terrorizmit. “Dhimbje e tmerr” shprehën kancelarja gjermane, Angela Merkel, kryeministri italian Paolo Gentiloni,  ai kanadez Justin Trudeau, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri australian Malcolm Turnbull, i cili foli për “atentat të poshtër”, sepse kundër të rinjve në lule të moshës. “Do ta mundim terrorizmin – i siguron anglezët presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker. Sot jemi në zi me ju. Nesër do të punojmë krah për krah me ju për të luftuar ata, që përpiqen ta shkatërrojnë mënyrën tonë të jetesës. Por e nënvleftësojnë aftësinë tonë e tuajën për t’u ringritur në këmbë”. Lufta kundër terrorizmit, njoftoi kryeministri japonez, Shinzo Abe, do të jetë ndër temat e “nxehta” të mbledhjes së G7-ës në Taormina të Italisë, të premten e të shtunën.








All the contents on this site are copyrighted ©.