2017-05-22 12:36:00

Dioqeza Sapës kujton ipeshkvin imzot Lucjan Avgustini


Dioqeza e Sapës kujton bariun e saj, ipeshkvin imzot Lucjan Avgustini, në përvjetorin e parë të kalimit në amshim, me një kremtim e përkujtim të veçantë, me një pjesëmarrje korale të klerit dioqezan, në krye me Administratorin Dioqezan të Sapës, Dom Simon Kulli, në praninë e Nuncit të ri Apostolik në Shqipëri, Imzot Charles John Brown, kryeipeshkvit të nderit të Tivarit të Malit Zi, imzot Zef Gashi, ipeshkvit të Kosovës imzot Dodë Gjergjit, ish-Presidentit të Shqipërisë Alfred Mosiu e shumë të tjerë.

Dy momentet kryesore të këtij përkujtimi: Kremtimi i Meshës Shenjte, udhëhequr nga imzot Zef Gashi dhe paraqitja e librit përgatitur nga Nest Zefi me titullin: “In Memoriam. Në nder të Imzot Lucjan Avgustini”. Nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit...

PËRVJETORI I KALIMIT NË AMSHIM TË IMZOT LUCJAN AVGUSTINI

Në përvjetorin e parë të kalimit në amshim të Imzot Lucjan Avgustinit, Dioqeza e Sapës ka kujtuar bariun e saj përmes një Kremtimi të veçantë të kësaj dite. Në sallën pranë selisë së tij, që e drejtoi për 10 vite me radhë,  nën organizimin e familjes dioqezane të Sapës, ishin të pranishëm Nunci i Ri, Imzot Broëun, Hierarkia e Kishës në Shqipëri, mbarë kleri i Sapës dhe të dioqezave të tjera të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Alfred Moisiu, autoritetet të larta shtëtërore dhe civile, familjarët e tij si dhe besimtarët, që së bashku në këtë ditë përkujtimore nderuan figurën dhe veprën e tij.

Në emër të Dioqezës, Administratori Dioqezan Dom Simon Kulli përmes fjalës së tij të përshëndetjes dhe të mirënjohjes, falenderoi Zotin për Imzot Avgustinin, për dashurinë e tij të shprehur në vepër për këtë vend dhe për popullin shqiptar gjatë gjithë viteve të jetës së tij meshtarake.

Përmes një ligjërate të shkurtër si kohë, por shumë e thellë në përmbajtje, rreth argumentit të çmuar mbi rolin, kontributin e individit në shoqëri, edhe ish presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Alfred Moisiu, kujtoi me shumë nostalgji ipeshkvin e paharruar Imzot Lucjan Avgustinin dhe vlerësoi kontributin e tij maksimal në rimëkëmbjen e Kishës Katolike në vendin tonë. Vepra e tij duket si drita e diellit tha ai, që ky at shpirtëror nuk kurseu asgjë për lehtësimin e vuajtjeve të njerëzve kudo që i ka takuar.

Imzot Lucjani ishte njeriu i miqësisë me Zotin dhe njeriun. Një lidhje mjaft të ngushtë kishte dhe me shokun e fëmijërisë dhe vëllain në Krishtin Imzot Dodë Gjergjin, ku ky i fundit shprehi falenderimin ndaj Zotit që e ka pasur një vëlla të tillë duke kujtuar edhe momente të ndryshme gjatë jetës që kanë kaluar së bashku, ndërsa sot një pjesë e tij tha ai vazhdon të jetojë sërish me mua.

Edhe pse ka pak ditë që Shenjtëria e tij Papa Françesku emëroj Nuncin e Ri në Shqipëri, Imzot Charles John Broën, ai shprehi afërsinë që Ati i Shenjtë ka treguar me popullin shqiptar dhe me Kishën Katolike në Shqipëri. Në këtë përvjetor, me nxitjen e dom Simon Kullit dhe Dom Mark Shtjefnit, u promovua edhe libri i parë “In Memoriam” kushtuar Imzot Lucjan Avgustinit, me autor z. Nest Zefi. Është ky libër me një përbledhje kujtimesh, dhe një radhitje e virtyteve dhe karakteristikave që përbënin Imzot Avgustinin.

E gjithë ceremonia përkujtimore kishte për kryefjalë emrin e nderuar të Imzot Lucjan Avgustinit. Edhe në kremtimin e Meshës Shenjte, mbajtur në Katedralen Shën Nënë Tereza, të gjitha lujtjet u drejtuan për shpirtin e tij dhe të gëzojë lumninë e parrizit. Siç e theksoi edhe ipeshkëvi i nderit i Tivarit, Imzot Zef Gashi, gjatë homelisë së tij: Thuhet se vdekja është shpendi grabitqar i jetës. E në rastin tonë, kjo thënie e ka kuptimin e plotë të fjalës. Deshtëm, s’deshtëm, jeta është ecje drejt vdekjes, njeriu është udhëtar kalimtar. Bibla na mëson dhe vërteton: Të lumët ata që vdesin në Zotin.

Violeta Marashi 

Imzot Lucjan Avgustini qe edhe një ndër bashkëpunëtorët më të çmueshëm të Radio Vatikanit. Nga arkivi po ju propozojmë tri intervista që kemi realizuar me te në raste të ndryshme:

Një bisedë që kemi realizuar më 11 qershor 2015, rreth çështjes ndërfetare, vlerë kjo e popullit shqiptar që edhe imzot Lucjan Avgustini e kishte posaçërisht përzemër, ta dëgjojmë

Një tjetër bisedë, realizuar më 15 mars 2016, është rreth ngjarjes historike për Kishën e kombit shqiptar, lejes e më pas edhe shenjtërimin e Nënë Terezës – Ganxhe Bojaxhiu nga Papa Françesku, ta dëgjojmë mendimin e vlerësimin e imzot Lucjan Avgustinit....

Biseda tretë, që po ju propozojmë, është realizuar më 11 shtator 2015, rreth takimit a asamblesë së parë kombëtare të Kishës katolike në Shqipëri, organizuar nga kleri shqiptar, mbajtur në korrik të vitit 2015, 25 vjet pas rënies së komunizmit, një ngjarje kishtare të cilën imzot Lucjani e mbështeti, sepse për klerin ai pati gjithmonë një dashuri e përkushtim të veçantë..

Kush ishte ipeshkvi i Sapës, Imzot Lucjan Avgustini?

Imzot Lucjan Avgustini lindi në Ferizaj, të Kosovës, më 23 gusht 1963, prej prindërve Gjini dhe Roza lind, në një familje të madhe të mirë e të bekuar me 10 fëmijë. Pagëzimin e mori po ashtu në Ferizaj, në kishën “Engjëlli Rojës” nga ipeshkvi i atëhershëm i Shkup-Prizrenit, Imzot Smiljan Franjo Čekada, më 5 shtator 1963. Shkollën fillore e kreun në vendlindje, në komunitetin kishtar të “Engjëllit Rojës” Lucjani i vogël ishte ministrat i rregullt, së bashku me Dodë Gjergjin, tani ipeshkvin e Kosovës. Pas shkollimit tetëvjeçar, së bashku me Dodë Gjergjin u dërguan për seminarin e Suboticës  “Paulinum”, ku përfunduan gjimnazin klasik. Studimet filozofike e teologjike i kreu pranë Fakultetit filozofik – teologjik në Zagreb.

Më 15 gusht 1989 shugurohet meshtar nga ipeshkvi ndihmës i dioqezës së Shkup-Prizrenit, Imzot Nikë Prela, i cili gjatë Meshës së shugurimit tregoi se po e shuguronte për “Shqipërinë martire!”.  Më 10 shtator 1989 dom Lucjan Avgustini caktohet bashkëpunëtor i shtëpisë botuese “DRITA”, ku  punoi posaçërisht rreth botimeve liturgjike, por edhe  si ndihmës a sekretar personal i ipeshkvit Imzot Nikë Prela. Prifti ri dom Lucjani ishte i zellshëm në misionin e veprimtarinë e tij meshtarake. Shpesh, të dielave e festave ndihmonte famullitarin e fshatit Stubllë, dom Rrok Gjonlleshaj, sot kryeipeshkëv i Tivarit. Qe pra një meshtar plot zell, entuziazëm, dashuri e përzemërsi në misionin ungjillëzues, një prift shembullor.

Pas kontributit të çmueshëm për botimin e “Mesharit Romak”, më (1992), botimit të Biblës së plotë në gjuhën shqipe, botuar për herë të parë nga Kisha katolike (1994), fryte këto të punës e të mendjes së meshtarit të paharrueshëm dom Simon Filipajt, fushëveprimi meshtarak i dom Lucjanit rritej e pasurohej me eksperiencë.

E kështu, ipeshkvi i vendit e emëroi dom Lucjan Avgustinin Drejtor të parë të Caritasit të Kosovës, më vonë, më 15 prill 1993, edhe famullitar të komunitetit kishtar të Ferizajit, ku shërbeu me zell e përkushtim deri në nëntor të vitit 1994.

Në këtë periudhë, fatbardhësisht, Shqipëria tashmë ishte liruar nga regjimi i diktaturës komuniste, pra po bënte hapat e parë në liri e demokraci. Pas persekutimit e vrasjes së pjesës dërmues të klerit, në Kishën shqiptare ndjehej mungesa e klerit, e strukturave kishtare, e kështu Dom Lucjan Avgustini, së bashku me Don Dodë Gjergjin, shprehin dëshirën dhe gatishmërinë për të ndihmuar Kishën katolike në  Shqipëri, me shërbimin e misionin e tyre meshtarak.

Më 27 tetor 1994 dom Lucjan Avgustini u lirua nga detyrat në dioqezës së Shkup-Prizren, për të shërbyer si “Fidei donim” (Dhuratë feje) në kryeipeshkvinë e Shkodrës, nën udhëheqjen e imzot Frano Illisë. Aty, së pari qe ndihmës-famullitar, ndërsa më 14 korrik 1995 qe emëruar famullitar i Katedrales “Shën Shtjefni” në Shkodër. Puna e veprimtaria meshtarake e misionare qe e paskajshme, por edhe feja e dashuria që dom Lucjani kishte për besimtarët, njerëzit, Kishën e vendit, bënin që të përballonte çdo vështirësi e sfida të shumta.

Më 24 maj 1997 Papa Shën  Gjon Pali  II e emëroi “Kapelan të tij”, me titullin e nderit – Monsinjor. Ipeshkvi i Sapës, Imzot Lucjan Augustini, edhe pse i ri në moshë, por me një përvojë meshtarake të fortë,  u emërua nga Papa Benedikti XVI ipeshkëv të Sapës, në Shqipëri, duke zëvendësuar imzot Dodë Gjergjin, i cili qe emëruar ipeshkëv i Kosovës (12 dhjetor 2006).

Imzot Lucjan Avgustini, ishte njeri i Zotit, njeri i uratës, pra i përshpirtshëm, punëtor i palodhur, njeri i përzemërt dhe i thjeshtë, prandaj komunikues me njerëz, besimtarë, qytetarë, përherë i gatshëm për të dëgjuar popullin, këshilluar, udhëzuar, për t’u thënë një fjalë të mirë ngushëllimi e inkurajimi, për t’ua dëshmuar bukurinë e forcën e fesë, begatinë e dashurisë së krishterë. Qe apostull i vërtetë, dëshmitar e predikues i Jezus Krishtit dhe Ungjillit të tij. Për imzot Lucjanin koha ishte dhuratë, hir, pasuri e Zotit për t’u ndarë dhe dhuruar të gjithëve. Si ta kishte një lloj parandjenje se “koha” po e nxiste, gati gati e ndjekjet e madje e çonte hap pas hapi drejt shtëpisë së Atit Qiellor, në amshimi.

Para një viti, pas një sëmundje të rëndë, imzot Lucjan Avgustini kaloi në amshim, si sot, më 22 maj 2016, në selinë ipeshkëvnore të dioqezës së Sapës, të cilën e drejtoi deri në frymëmarrjen e fundit, duke shërbyer me dashuri e përkushtim sipas lajtmotivit të kamotshëm të klerit shqiptar “Për Fé e Atdhé”!








All the contents on this site are copyrighted ©.