2017-05-20 12:20:00

Me 20 maj kalendari përkujton Shën Bernardinin nga Siena.


Me 20 maj kalendari kishtar përkujton Shën Bernardinin nga Siena. Bernardini lindi në Massa Maritima (Itali) në vitin 1380, në familjen seneze të Albizeskëve. Ishte ende fëmijë, kur humbi prindërit. U rrit në shtëpinë e hallave, që banonin në Sienë, ku pati fatin të merrte një edukatë të vërtetë kristiane. Ndoqi Studion seneze, deri në moshën 22 vjeçare.

I mahnitur nga figura e Françeskut të Asizit, zgjodhi rrugën e jetës rregulltare në Urdhrin serafik e nisi të jetonte si vëllezërit e parë të Shenjtit. U bë një nga luftëtarët më të zjarrtë të reformimit së françeskanëve, që u njohën me emrin “Obsevantë”. Mbi majën e një kodre, në Sienë ngriti një kështjellë të vërtetë e njëkohësisht, fidanishte, të françeskanizmit, që njihet edhe sot e kësaj dite me emrin “Observanca”, ku u përgatitën shumë françeskanë shqiptarë. Përhapës i njohur i devocionit për emrin e shenjtë të Jezusit, skaliti monogramin YHS mbi pllaka druri, të cilat ua jepte besimtarëve t’i puthnin, në përfundim të predikimeve.

La pas kujtimin e një predikatari të pashoq e me të, edhe predikimet e tij në gjuhën italiane, që asokohe njihej si gjuhë vulgare. E kjo, sepse populli nuk e kuptonte latinishten, në sa françeskanët, në të gjithë shtrirjen e traditës së tyre të lumnueshme, punuan e punojnë për ta bërë Fjalën e Zotit sa më të kuptueshme pikërisht për masat popullore, që i ndoqën me admirim të thellë kudo shkelën. E pra Bernardini nuk i kursente mëkatarët: përkundrazi, i sulmonte me fjalë shumë të ashpra. I dënonte hapur të gjithë ata, që e mohonin Zotin “për një kaptinë hudhër” e sidomos shfrytëzuesit e të varfërve, të cilët i quante “bisha me kthetra, për t’i zhvatur deri në palcë kockat e skamnorëve”.

I ashpër, por i drejtë e paqësor, ai punoi deri në vdekje për të përhapur kudo paqen e të mirat e Atit Serafik, Françeskut te Asizit. Në vitin 1417 u emërua vikar i provincës toskane dhe u transferua në Fiezole, duke i dhënë një shtytje të fuqishme përpara reformës në vijim, të urdhrit të tij e duke filluar predikimin e jashtëzakonshëm nëpër qytetet italiane. Vdiq në Akuila, ku arriti duke dhënë shpirt, për të vijuar një cikël të ri predikimesh.

Ishte data 20 maj 1444, kur u nis për qiell. Me që ndeshjet ndërmjet fraksioneve kundërshtare vijuan edhe mbasi dha shpirt, nga trupi i tij, i shtrirë në arkivol, nisi të rridhte gjak e vala e gjakut u ndal vetëm kur banorët e Akuilës i dhanë fund sherreve, duke e përcjellë me paqe, në paqen e amshuar, trupin e Prijësit të Observantëve. Bernardini i Sienës u shpall shenjt vetëm gjashtë vjet pas vdekjes, në Rrëshajët e vitit 1450, nga papa Martini V. Monogrami i tij është HIS- Jezu Krishti!








All the contents on this site are copyrighted ©.