2017-05-19 13:32:00

Kard. Parolin: Venezuela qetësohet, nëse sovraniteti i kthehet popullit


Gjendja në Venezuelë po bëhet gjithnjë e më dramatike, me protestat kundër presidentit Maduro, që nuk ndalen. Kriza ekonomike ka shkaktuar varfërimin e skajshëm të popullsisë, një pjesë e madhe e së cilës vuan nga uria dhe nga mungesa e ilaçeve. Dje, në fund të një kuvendi në Romë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin foli për këtë problem me gazetarët, të cilët e pyetën nëse është i mundur ndonjë ndërmjetësim i Selisë së Shenjtë. Të dëgjojmë përgjigjen e prelatit:

         “Ne shpresojmë se ekziston gjithnjë kjo mundësi, pasi, në rast se do të krijohej, do të thotë se gjendja po përmirësohet, në një farë kuptimi. Prandaj, nuk mund të bëjmë tjetër, veçse të shpresojmë që kjo të ndodhë, sepse ngjarjet e deritanishme janë vërtet dramatike e mund të keqësohen edhe më. Por, e kam thënë edhe herë të tjera e po e përsëris, se zgjidhja e vërtetë janë zgjedhjet: t’i jepet popullit mundësia për t’u shprehur, por sidomos t’i jepet sovraniteti dhe mundësia për të vendosur mbi të tashmen dhe të ardhmen e vet”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.